Politika 13 Shkurt 2026, 12:29 Nga VNA

Pas Vlorës, edhe Dhoma e Avokatisë Shkodër thotë se harta e re gjyqësore është dështim: Duhet rishikim të saj

Ndaje në Whatsapp

Pas Vlorës, edhe Dhoma e Avokatisë Shkodër thotë se harta e

Pas asaj të Vlorës, edhe Dhoma e Avokatisë Shkodër shprehet se harta e re gjyqësore ka dështuar. Në një deklaratë drejtuar Kuvendit, Këshillit të Ministrave, Ministrisë së Drejtësisë dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor, Dhoma e Avokatisë Shkodër kërkon rishikimin e saj si dhe një analizë të thelluar dhe transparente mbi funksionimin aktual të hartës gjyqësore.

Në deklaratë thuhet se arkitektura e re organizative ka krijuar një disproporcion të ndjeshëm ndërmjet objektivave të shpallura dhe realitetit funksional të gjykatave.

Sipas Dhomës së Avokatisë në Shkodër, centralizimi i theksuar i gjykatave të Apelit ka prodhuar një akumulim të jashtëzakonshem çështjesh.

Sipas tyre, zvarritja e shqyrtimit të çështjeve, shtimi i stokut të dosjeve dhe vonesat në shpalljen e vendimeve krijojnë pasiguri juridike për palët, por edhe pasoja ekonomike e sociale.

Qëndrim i Dhomës Vendore të Avokatisë Shkodër:

“Mbi efektet e hartës së gjyqësore”

Drejtuar:​Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.

​​Këshillit të Ministrave.

​​Ministrisë së Drejtësisë.

​​Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Dhoma Vendore e Avokatisë Shkodër, në ushtrim të rolit të saj institucional si garantuese e mbrojtjes së të drejtave dhe lirive themelore të qytetarëve, ndien detyrimin profesional dhe qytetar të artikulojë publikisht vlerësimin e saj kritik mbi pasojat që ka prodhuar zbatimi i hartës së re gjyqësore në Republikën e Shqipërisë.

Reforma territoriale e sistemit gjyqësor u paraqit si një ndërhyrje me synim rritjen e eficiencës, racionalizimin e burimeve njerëzore dhe forcimin e cilësisë së vendimmarrjes. Megjithatë, përvoja e deritanishme praktike tregon se arkitektura e re organizative ka krijuar një disproporcion të ndjeshëm ndërmjet objektivave të shpallura dhe realitetit funksional të gjykatave, veçanërisht në shkallën e dytë të gjykimit dhe gjykimet çështjeve administrative.

E drejta për akses efektiv në drejtësi nuk është koncept abstrakt, por një e drejtë konkrete që presupozon afate të arsyeshme, barazi reale në ushtrimin e mjeteve procedurale dhe mundësi të arritshme për t’iu drejtuar gjykatës. Kur distanca gjeografike, kostot ekonomike dhe mbingarkesa strukturore bëhen pengesa objektive për qytetarin, atëherë cenimi nuk është më thjesht organizativ, por prek thelbin e garancive kushtetuese.

Centralizimi i theksuar i gjykatave të Apelit ka prodhuar një akumulim të jashtëzakonshem çështjesh, duke e zhvendosur sistemin nga parimi i shpërndarjes së balancuar drejt një modeli përqendrimi që rezulton i paqëndrueshëm në terma afatgjatë. Zvarritja e shqyrtimit të çështjeve, shtimi i stokut të dosjeve dhe vonesat në shpalljen e vendimeve krijojnë jo vetëm pasiguri juridike për palët, por edhe pasoja ekonomike e sociale që shtrihen përtej interesit individual.

Për më tepër, zhvendosja e Gjykatave të Apelit dhe atyre Administrative larg zonave të gjera të vendit ka krijuar një hendek të ri territorial në aksesin ndaj drejtësisë. Në rajonet veriore, përfshirë qarkun e Shkodrës, kjo situatë ka ndikuar ndjeshëm në rritjen e kostove procedurale, në vështirësimin e përfaqësimit efektiv dhe në dekurajimin e ushtrimit të së drejtës së ankimit. Një sistem drejtësie që perceptohet si i largët fizikisht dhe institucionalisht rrezikon të dobësojë besimin publik dhe autoritetin e tij moral.

Nga një këndvështrim më i gjerë, harta e re gjyqësore ka nxjerrë në pah edhe problematika të tjera që kërkojnë reflektim serioz:

* Mospërputhje ndërmjet volumit real të çështjeve dhe kapaciteteve njerëzore e infrastrukturore të gjykatave të përqendruara në kryeqytet;

* Rritje të presionit profesional mbi gjyqtarët, me ndikim të mundshëm në cilësinë dhe thellësinë e arsyetimit juridik;

* Vështirësi në garantimin e një specializimi të qëndrueshëm, për shkak të mbingarkesës së përgjithshme;

* Dobësim të rolit të gjykatës si institucion i afërt me komunitetin dhe realitetin social që ajo duhet të rregullojë.

* Vonesa të mëdha në marrjen e shërbimit gjyqësor.

Reformat strukturore në drejtësi janë të domosdoshme dhe të mirëpritura kur ato mbështeten në analiza empirike, konsultim të gjerë profesional dhe vlerësim të ndikimit real. Megjithatë, çdo reformë që, në zbatim, prodhon pasoja të kundërta me standardet e gjykimit brenda një afati të arsyeshëm dhe të aksesit efektiv, duhet të jetë objekt rivlerësimi institucional.

Dhoma Vendore e Avokatisë Shkodër vlerëson se është koha për një analizë të thelluar dhe transparente mbi funksionimin aktual të hartës gjyqësore, të bazuar në tregues konkretë: kohëzgjatjen mesatare të gjykimeve, stokun e çështjeve, shpërndarjen demografike dhe barrën ekonomike mbi qytetarët. Një rishikim i balancuar territorial i gjykatave të Apelit dhe atyre Administrative, mbi kritere funksionale dhe jo thjesht administrative, do të përbënte një hap të arsyeshëm drejt rivendosjes së ekuilibrit ndërmjet eficiencës dhe aksesit.

Qëndrimi ynë nuk buron nga kundërshtimi formal i reformës, por nga përvoja e përditshme profesionale dhe nga detyrimi për të mbrojtur standardet e shtetit të së drejtës. Një sistem drejtësie vlerësohet jo nga arkitektura e tij normative apo “eleganca” formale që tregon në letër kjo arkitekturë, por nga aftësia për të garantuar drejtësi në kohë, në mënyrë të barabartë dhe të prekshme për çdo qytetar.

Dhoma Vendore e Avokatisë Shkodër mbetet e hapur për dialog institucional dhe për të kontribuar me ekspertizë konkrete në çdo proces reflektimi apo rishikimi që synon forcimin real të funksionimit të sistemit gjyqësor në Shqipëri.

Dhoma vendore e avokatisë Shkodër

Lexo gjithashtu

Video

Në mes të kushteve të vështira të jetesës, familjet në Gaza kanë gjetur mënyra kreative për të shënuar muajin e shenjtë të Ramazanit, duke përdorur kanaçe pijesh për të dekoruar tendat e tyre. Banorët, të zhvendosur dhe që jetojnë në strehime të përkohshme, kanë ripërdorur materiale të riciklueshme për të krijuar zbukurime simbolike dhe ndriçime artizanale, me qëllim ruajtjen e atmosferës festive dhe shpirtit të solidaritetit gjatë kësaj periudhe të rëndësishme fetare.

Një person i armatosur me thikë ka tentuar të sulmojë një polic pranë Arc de Triomphe në Paris. Sipas kryetares së bashkisë së Parisit, policia ka reaguar menjëherë duke qëlluar me armë zjarri ndaj personit për të neutralizuar rrezikun. Ende nuk ka informacion të detajuar për gjendjen e të dyshuarit apo nëse ka persona të tjerë të lënduar. Zona është rrethuar nga forcat e sigurisë, ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur plotësisht ngjarjen.

Një tenor i ri rus ka kënduar arien e famshme “Nessun dorma” nga opera Turandot e Giacomo Puccini në sheshin përpara Duomo di Firenze, por performanca e tij përfundoi me gjobë. Nuk është hera e parë që këngëtari kapet duke performuar pa leje në sheshe historike ku ndalohen shfaqjet spontane. Këtë herë, ndërsa ai mori duartrokitje nga kalimtarët, patrulla e policisë bashkiake – që e gjobiti dhe i sekuestroi pajisjet e amplifikimit – u përball me fishkëllima nga publiku i improvizuar. Jo vetëm kaq: kur autoritetet i morën rreth 100 eurot që kishte fituar nga performanca, kalimtarët reaguan menjëherë duke ia kthyer shumën aty për aty. E gjithë skena u filmua rastësisht nga influenceri Diego Fusina, i cili ndodhej aty dhe e publikoi videon në rrjetet sociale. Siç pritej, pamjet u bënë virale brenda pak orësh.

Një përleshje e dhunshme shpërtheu gjatë një fluturimi të "Jet2" nga Turqia drejt Mançesterit, duke detyruar pilotin të kryejë një ulje emergjente në Bruksel. Konflikti nisi pas një mosmarrëveshjeje për një telefon mes pasagjerëve britanikë dhe u përshkallëzua shpejt në përleshje fizike në korridor të avionit. Dëshmitarët raportuan kaos në bord, përfshirë dhe gjak në sedilje e dhëmbë në dysheme. Sipas pasagjerëve, një nga personat e arrestuar kishte konsumuar shumë alkool dhe dyshohet se kishte bërë komente raciste para përplasjes. Pas uljes emergjente, policia arrestoi dy persona në bord, ndërsa fluturimi vijoi më pas drejt destinacionit të tij final. Piloti vlerësoi se incidenti ishte ndër më të dhunshmit që kishte përjetuar në 30 vite karrierë. Kompania ajrore e përshkroi sjelljen si “të papranueshme” dhe njoftoi se të përfshirët do të ndaloheshin përjetë nga fluturimet e saj.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme