Politika 31 Tetor 2025, 16:26 Nga VNA

Parlament i vogël? Ekspertët peshojnë efektet e një pakti të dytë mes Ramës dhe Berishës

Ndaje në Whatsapp
Parlament i vogël? Ekspertët peshojnë efektet e një pakti

Në nisje të mandatit të katërt në shtator, kryeministri Edi Rama shprehu ambicien për një reformë kushtetuese që do çonte drejt “një parlamenti të vogël”. Sipas Ramës, Kuvendi i Shqipërisë duhej të reduktohej nga 140 deputetë në të paktën 101 të tillë.

Dy muaj më pas, ideja po mbështetet në distancë edhe nga lideri i opozitës, Sali Berisha, i cili po shprehet në favor të një sistemi parlamentar me dy dhoma, i shoqëruar nga reduktimi i numrit të deputetëve.

“Nuk ka asgjë për të prekur Kushtetutën. Por nëse është problemi për të përcaktuar Senatin e Republikës, po jam gati, nuk kemi asnjë kompleks aty, sepse besojmë se është një institucion i dobishëm dhe jo duke rënduar buxhetin e taksëpaguesve, por duke zvogëluar numrin e deputetëve,” deklaroi ai.

Qëndrimet në të njëjtën linjë të Ramës dhe Berishës po i hapin rrugën një pakti të dytë mes tyre, që prej ndryshimeve kushtetuese të vitit 2008 që përcaktuan shtyllat e sistemit politik që vendi trashëgon edhe sot. Me ngritjen e Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore në Kuvend, palët po kalkulojnë efektet e një marrëveshjeje të mundshme drejt këtij synimi.

Për organizatat që monitorojnë Kuvendin, çdo ndryshim në Kushtetutë do të duhet të jetë gjithpërfshirës dhe transparent dhe të mos shkasë në ‘pazare politike’ mes dy partive të mëdha, në dëm të partive të reja.

“Çdo marrëveshje konsensuale midis dy partive kryesore politike në vend përbën monopol të rrezikshëm për demokracinë, veçanërisht plurarizmin politik si një nga shtyllat kryesore të saj si dhe shtetin e së drejtës,” tha për BIRN Erida Skëndaj, drejtoresha ekzekutive e Komitetit Shqiptar të Helsinkit.

Skëndaj theksoi se procesi duhet të garantojë pjesmarrjen aktive të çdo individe apo partie politike që mund të preket nga ndryshimet e pritshme.

Rrjedhimisht, shton Skëndaj, “partitë e vogla politike si dhe grupe të tjera interesi kanë të drejtë të dëgjohen në çdo proces vendimmarrës, aq më tepër në ndryshime të nivelit të tillë kushtetues, në aktin themeltar, nga të cilat ato mund të cenohen apo preken”.

Afrim Krasniqi nga Instituti i Studimeve Politike e sheh si të nevojshme dhe të vonuar një reformë për reduktimin e numrit të deputetëve, por nga ana tjetër ai flet për rriskun që ekziston për ‘pazare’, sa herë që dy partitë e mëdha bien dakord që të ndryshojnë Kushtetutën.

“Shqipëria nuk e ka më luksin të ketë 140 deputetë, shumë prej të cilëve prej disa legjislaturash nuk janë aktivë dhe nuk ushtrojnë detyrat parlamentare,” tha Krasniqi, duke argumentuar se ky reduktim duhet të shoqërohet me reduktim të partive fiktive politike, strukturës administrative dhe strukturës shtetërore në institucione, që janë sipas tij, më shumë burokratike se sa funksionale.

Por nga ana tjetër, ai pranon se, “kur palët bien dakord që të ndryshojnë Kushtetutën, ekziston rrisku dhe frika që palët mund të kërkojnë koncensione të njëri-tjetri për të bërë ndërhyrje të tjera në Kushtetutë”.

Krasniqi nuk e sheh reduktimin e numrit të deputetëve si kufizim të hapësirës për partitë e reja dhe të vogla politike, duke e lidhur mbijetesën e tyre politike me mundësimin e kushteve të barabarta dhe një bazë ligjore solide e gjithpërfshirëse.

Gjithsesi, nëse pakti  PS-PD do të shkonte më tej se reduktimi i numrit të deputetëve, për Krasniqin, “kjo do të vinte në provë nëse PS-PD kanë një strategji kundër partive të reja”.

Nga ana tjetër, ai e quan joefektive idenë e Berishës për një Senat, pasi nuk janë kushtet që kërkon krijimin e një dhome të tillë në parlament, që lidhet me një elitë politike të aftë të pranojë ndarjen e balancave të pushteteve.

Përvojat e mëparshme politike e të paktën dy dekadave të fundit kanë treguar se dy partitë e mëdha, pavarësisht krijimit të një klime konfliktuale dhe polarizuese të arenës politike, e gjejnë gjithmonë gjuhën e përbashkët kur iu përputhen interesat për ruajtjen e dominimit të tyre.

Për Skëndajn, “kjo praktikë e dëmshme është ndjekur edhe në të kaluarën për ndryshime që ndikojnë në ruajtjen e status-quosë politike, sikurse janë ato kushtetuese të sistemit zgjedhor”.

Edhe Krasniqi thekson se historia e parlamentarizmit tregon se partitë kanë ndërhyrë në Kushtetutë për arsye zgjedhore  dhe ai veçon si më të dukshmen atë të vitit 2008, ndryshime sollën një sistem proporcional që synonte kufizimin e partive të vogla.

“Por nga ideja e tyre për të ulur numrin e partive politike kundër tyre, në fakt rezultoi në krijimin artificialisht të partive të tilla dhe duke i futur në listat e tyre, sot numrin i partive parlamentare është më i lartë se ajo që kanë votuar shqiptarët,” theksoi Krasniqi./BIRN/

 

Video

Këto janë momentet e arrestimit të një 45-vjeçari pasi sulmoi dy burra hebrenj me thikë në zonën Golders Green, një lagje me komunitet të madh hebre në veri të Londrës. Sipas autoriteteve, sulmi po trajtohet si një akt terrorist dhe hetimet po drejtohen nga njësia kundër terrorizmit. Të plagosurit, të moshave 76 dhe 34 vjeç u dërguan në spital, ku raportohet se ndodhen në gjendje të qëndrueshme. Dëshmitarët thanë se autori ishte parë duke vrapuar në rrugë me thikë dhe duke synuar persona të identifikueshëm si hebrenj. Ai u neutralizua nga policia me Taser dhe më pas u arrestua nën dyshimin për tentativë vrasjeje. Policia Metropolitane deklaroi se i dyshuari kishte edhe një histori të mëparshme dhune dhe probleme të shëndetit mendor. Kryeministri britanik Keir Starmer e dënoi sulmin duke e cilësuar si “plotësisht të tmerrshëm”, ndërsa liderët hebrenj kërkuan masa më të forta sigurie për komunitetin.

Kjo video nga darka zyrtare në Shtëpinë e Bardhë me Presidentin Donald Trump, Zonjën e Parë Melania Trump dhe Mbretin Charles III po bëhet virale në rrjet. Shkak është një moment i sikletshëm gjatë fotos zyrtare, ku Melania duket se i heq dorën Trump, duke nxitur reagime të shumta dhe diskutime për gjuhën e trupit dhe marrëdhënien mes çiftit presidencial.

Një aksident rrugor është regjistruar në aksin Orikum–Vlorë pranë fshatit Tragjas. Sipas informacioneve paraprake, një automjet tip Volkswagen, i drejtuar nga shtetasi Vladimir Gaba, ka përplasur një tufë me bagëti të imta (dhi) si dhe çobanin, shtetasin Andi Demiraj, rreth 35 vjeç, i cili ndodhej në fund të kopesë. Si pasojë e përplasjes, Demiraj ka pësuar traumë dhe është transportuar me autoambulancë drejt Spitalit Rajonal të Vlorës për ndihmë mjekësore.

Një aksident rrugor ka ndodhur pasditen e kësaj të mërkure në aksin Tepelenë Krahës, në afërsi të fshatit Iliras. Dy automjete janë përplasur me njëri-tjetrin teksa qarkullonin në anë të kundërt. Nga aksidenti kanë mbetur të lënduar 8 persona, të cilët janë transportuar në spitalin e Gjirokastrës dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën. “Rreth orës 18:30, në aksin rrugor “Tepelenë–Krahës”, në vendin e quajtur “Iliras”, automjeti me drejtues shtetasin indian Sh. P., 27 vjeç, është përplasur me automjetin me drejtuese shtetasen L. B., 42 vjeçe, banuese në Tiranë. Si pasojë e aksidentit, janë dëmtuar lehtë 2 drejtuesit e automjeteve dhe 6 pasagjerë, të cilët ndodhen në Spitalin Rajonal Gjirokastër, për ndihmë mjekësore. Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të aksidentit“- njofton policia.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme