Politika 19 March 2026, 14:08 Nga VNA

Opozita në Berlin me paratë e Kuvendit: Foto në Bundestag, ankesa për përjashtim në Tiranë dhe një denoncim i Metës që nuk e di se Haxhinaston e ka në delegacion

Ndaje në Whatsapp

 

Delegacioni parlamentar shqiptar ndodhet në Berlin për takime në Bundestag, por përbërja e tij ka shkaktuar më shumë debat në Tiranë sesa në Gjermani.

Pavarësisht pretendimeve të Partisë Demokratike se opozita është përjashtuar nga delegacioni, Kuvendi i Shqipërisë ka sqaruar zyrtarisht se deputetët e opozitës që ndodhen në Berlin – përfshirë Jorida Tabakun, Klevis Balliun dhe Gazment Bardhin – janë pjesë e delegacionit me shpenzimet e Kuvendit.

Pra, ndërsa opozita flet për “përjashtim”, buxheti i parlamentit duket se ka qenë mjaftueshëm bujar për të mbuluar praninë e tyre.

Deputetët kanë kaluar dy ditët e fundit në korridoret e Bundestagut, duke realizuar takime dhe – siç ndodh rëndom në diplomacinë parlamentare – duke shkrepur edhe disa foto me deputetë gjermanë.

Debati u ndez fillimisht nga drejtues të opozitës, të cilët u ankuan se kreu i delegacionit, Niko Peleshi, kishte përfshirë si përfaqësues të opozitës vetëm Redi Muçin dhe Edmond Haxhinaston. Por rezulton se lista e delegacionit ka qenë më e gjerë dhe se paratë e Kuvendit nuk janë kursyer as për Tabakun, Balliun dhe Bardhin.

Megjithatë, reagimi më i fortë erdhi nga një vend disi më i largët nga Bundestagu: qelia e Ilir Metës. Kryetari i Partisë së Lirisë e cilësoi përjashtimin e opozitës nga delegacioni si “një akt të turpshëm që tregon mungesë vullneti për përfaqësimin gjithëpërfshirës të Kuvendit të Shqipërisë, aq më tepër në këto momente të rëndësishme edhe në Gjermani”.

Por ndoshta kushtet e vështira të izolimit nuk e kanë ndihmuar Metën të ndjekë me saktësi listën e delegacionit: deputeti i tij Edmond Haxhinasto ishte pjesë e delegacionit parlamentar shqiptar në Berlin, së bashku me kryesuesin Niko Peleshi.

Dhe këtu historia bëhet edhe më interesante. Sepse është e vështirë të besohet se Meta nga qelia ka ndjekur me kaq imtësi përbërjen e delegacionit në Berlin. Më shumë duket si një reagim i shkruar diku në korridoret e politikës në Tiranë, ku inatet e vjetra të Partisë së Lirisë – veçanërisht ato mes Tedi Blushit dhe Edmond Haxhinastos – ndonjëherë gjejnë rrugë për të dalë në publik edhe në formën e “denoncimeve” nga burgu.

Por ndoshta problemi është më i thellë. Opozita qaramane shqiptare duket se ende nuk e ka mësuar një rregull të thjeshtë të politikës: opozita nuk bëhet duke u ankuar te dera e Niko Peleshit për vendet në delegacion. Opozita bëhet duke frymëzuar protesta dhe duke krijuar presion politik. Ndërsa në Tiranë numërohen karriget në delegacione, në Berlin bëhen foto. Dhe kështu mbyllet edhe një episod tjetër i opozitës që kërkon revolucion… por fillimisht një vend në listën e udhëtimit.

Opozita në Berlin me paratë e Kuvendit: Foto në Bundestag, ankesa

Video

Pas përfundimit të protestës para Kryeministrisë, qytetarët kanë nisur marshimin në rrugët kryesore të Tiranës.

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky zhvilloi takimin e tij të parë me kryeministrin e ri të Britanisë së Madhe në bordin e aeroplanmbajtëses HMS Queen Elizabeth, në bazën detare të Portsmouthit. Gjatë bisedës, kryeministri britanik rikonfirmoi mbështetjen për Ukrainën, ndërsa Zelensky ftoi kryeministrin të vizitojë vendin e tij.

Të paktën dy persona humbën jetën pasi një automjet u godit nga një sulm ajror në Deir al-Balah, në qendër të Rripit të Gazës. Sipas raportimeve, sulmi u krye nga forcat izraelite, ndërsa viktimat ishin dy zyrtarë të sigurisë së Hamasit. Ushtria izraelite konfirmoi se kishte në shënjestër një militant të Hamasit.

Një vizitor i pazakontë shkaktoi panik dhe habi në një aeroport të Nju Jorkut, pasi një rakun ra papritur nga tavani i terminalit mbi udhëtarët. Ende mbetet mister se si kafsha përfundoi mbi tavan dhe çfarë po bënte aty. Pas “uljes së detyruar”, rakuni u largua me shpejtësi, duke lënë pas pasagjerë të trembur dhe një episod sa të pazakontë, aq edhe komik. Pamjet janë regjistruar në nëntor 2024, por së fundmi janë bërë virale në rrjetet sociale.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme