
Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste ka depozituar në Kuvend një projektligj për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 113/2020 "Për shtetësinë". Ndryshimet e propozuara synojnë të reformojnë rregullat aktualë për fitimin e shtetësisë përmes martesës, duke krijuar lehtësime të ndjeshme si për çiftet rezidente, ashtu edhe për ato jorezidente. Dokumenti mban firmën e dy deputetëve të mazhorancës, Taulant Balla dhe Igli Hasani.
Ndryshimet e propozuara ligjore (Citim i plotë)
Sipas dokumentit zyrtar, amendamentet parashikojnë shfuqizimin e pikës 3 të nenit 8 të ligjit aktual dhe shtimin e një neni të ri, 8/a, me këtë përmbajtje të plotë:
"Neni 8/a
Fitimi i shtetësisë nga martesa
1. I huaji ose e huaja, që janë të martuar me shtetase ose shtetas shqiptar, martesa e të cilëve është regjistruar në regjistrin e martesave të gjendjes civile në Republikën e Shqipërisë, fitojnë shtetësinë shqiptare pas kalimit të katër viteve nga data e lidhjes së martesës, në shtetin e tyre ose në Republikën e Shqipërisë, pavarësisht nëse janë rezidentë në Republikën e Shqipërisë, ose jo.
2. Shtetësia sipas këtij neni jepet edhe kur martesa është lidhur së paku tri vite përpara datës së aplikimit, met kushtin që i huaji ose e huaja të jenë rezidentë në Republikën e Shqipërisë prej së paku një viti nga data e aplikimit.
3. Shtetësia sipas këtij neni jepet edhe kur martesa është lidhur së paku dy vite përpara datës së aplikimit, me kushtin që nga lidhja e të huajit ose të huajës me shtetasen ose shtetasin shqiptar të ketë lindur së paku një fëmijë.
4. I huaji ose e huaja që aplikon për fitimin e shtetësisë sipas këtij neni duhet të plotësojë kushtet e përcaktuara nga shkronjat "dh" dhe "ë" të pikës 1 të nenit 8."
Relacioni shpjegues: Pse po ndryshon ligji?
Në relacionin shpjegues që shoqëron këtë propozim, deputetët argumentojnë se nisma ka lindur si reflektim ndaj shqetësimeve të ngritura në Samitin e Diasporës, i cili u zhvillua në Tiranë në datat 13–15 prill 2026. Gjatë këtij samiti, çështja e fitimit të shtetësisë nga bashkëshortët e shtetasve shqiptarë u cilësua si një temë mjaft sensitive.
Sipas relacionit, barrierat aktuale ligjore konsiderohen të pajustifikueshme dhe krijojnë një mjedis diskriminues për çiftet jorezidente.
"Kjo çështje u ngrit me shqetësimin se dispozitat ligjore në fuqi krijojnë barriera të pajustifikueshme për fitimin e shtetësisë nga martesa, si dhe me shqetësimin se çiftet jo rezidentë vendosen në pozita diskriminuese në raport me çiftet rezidentë, pavarësisht faktit se shtetësia duhet të jetë derivat i martesës dhe jo i rezidencës."
Pjesëmarrësit në samit dhe ndërvepruesit e tjerë e kanë cilësuar mangësinë aktuale ligjore si "diskriminuese dhe anti-demokratike", duke theksuar se ajo bie ndesh me standardet evropiane për mbrojtjen e familjes dhe barazinë. Vendosja e martesës si një rrugë autonome për fitimin e shtetësisë synon ta afrojë legjislacionin shqiptar me modelet perëndimore.
Krahasimi me praktikat evropiane
Në relacion sillet në vëmendje se si funksionon kjo procedurë në vende të ndryshme të Bashkimit Evropian, të cilat kanë shërbyer si model udhëheqës për këtë amendament:
Itali: Bashkëshorti i një qytetari italian mund të kërkojë shtetësinë pas 2 viteve rezidencë (ose 1 vit nëse çifti ka fëmijë).
Spanjë: Shtetësia mund të kërkohet pas vetëm 1 viti rezidencë.
Francë: Kërkohen 4 vite martesë (ose 3 vite nëse personi ka jetuar në Francë).
Portugali: Shtetësia përfitohet pas 3 viteve martesë.
Gjermani dhe Greqi: Ekzistojnë procedura të thjeshtuara dhe rrugë të lehtësuara me kohë më të shkurtër rezidence për bashkëshortët e shtetasve të tyre.
Deputetët propozues përfundojnë duke theksuar se ky model i ri harmonizon më mirë raportet mes çifteve rezidente dhe jorezidente, duke i dhënë një peshë të drejtë edhe rrethanave të rëndësishme jetësore, siç është lindja e fëmijëve nga martesa. Nisma pritet të kalojë për shqyrtim në komisionet parlamentare përpara se të votohet në seancë plenare.






















