Politika 17 Maj 2026, 11:01 Nga VNA

Nga SPAK-u në ekran: si përdoren mediat për të mbrojtur të akuzuarit për korrupsion

Ndaje në Whatsapp
Nga SPAK-u në ekran: si përdoren mediat për të mbrojtur

Ish drejtuesja e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, Mirlinda Karçanaj, u shfaq të enjten në prime-time në televizionin kombëtar Top-Channel ndërsa përballet me akuzat e prokurorisë si pjesë e një  grupi të strukturuar kriminal të drejtuar nga Ergys Agasi dhe Ermal Beqiraj në manipulimin e tenderave të kësaj agjencie.

Hetimi i thelluar i Prokurorisë së Posaçme, SPAK, tregon se si fondet e AKSHI-it devijoheshin drejt xhepave të Karçanajt dhe biznesmenit kontravers Ergys Agasi përmes kontratave fiktive, zhvatjes, kutive të verës të mbushura me cash dhe personave anonimë për të mbuluar pronësinë.

Por, Karçanaj përdori 45 minutata e saj live në platformën mediatike për të bërë një apologji pa u përballur realisht me gjithë akuzat penale që ndodhen në dosjen hetimore të prokurorisë.

Asaj iu dha mundësia të bëjë një rrëfim personal dhe emocional se si i kishte përjetuar akuzat e drejtësisë sesa ballafaqimi me këto akuza, duke e zhvendosur narrativën publike nga pyetja se çfarë ka ndodhur me fondet publike nën drejtimin e saj në agjenci tek tentativa për të provokuar keqardhje në publik.

Ky nuk është një rast i veçuar kur mediat shqiptare përdoren nga të akuzuarit e drejtësisë për të bërë lavazh publik ndaj akuzave që janë ngritur ndaj tyre ose dhe për udhëhequr fushata PR-i në mbrojtje të tyre, aspekt që konsiderohet si cënim i lirisë së medias.

Që prej arrestimit të kryebashkiakut të Tiranës Erjon Veliaj, mbi të cilin rëndojnë 13 akuza penale për korrupsion e pastrim parash, janë ndërmarrë një sërë operacionesh mediatike për paraqitur atë si viktimë e një sistemi drejtësie apo një komploti politik dhe deri tek aktet teatrale në sallën e gjyqit.

Fenomeni i përdorimit të mediave për ‘pastrim imazhi’ nga të akuzuarit e drejtësisë,  konsiderohet nga gazetarët dhe ekspertët e komunikimit, pasojë e marrëdhënies që grupet mediatike në vend kanë me politikën dhe kryesisht me qeverinë dhe rastet e tilla rrëzojnë propagandën e Kryeministrit për lirinë e medias në vend.

“Pothuajse të gjitha raportet e organizatave ndërkombëtare, po ashtu të DASH dhe BE-së flasin për një sistem mediatik ku pronarët e TV kryesore që ushqehen me para publike ushtrojnë trysni dhe censurë mbi gazetarët”, tha për BIRN, Andi Bushati, botues i medias online Lapsi.al.

Pavarësisht se Kryeministri Rama e ka kundërshtuar këtë duke servirur statistika të dyshimta për ndarjen e kohës televizive mes tij dhe opozitës për të argumentuar se Shqipëria është një vend me media të lira, sipas Bushatit, “në fakt liria e medias nuk është çështje përqindjesh, por mundësi për të ushtruar i pavarur profesionin, për të bërë investigime dhe për të kërkuar të vërtetën”.

Në këtë këndvështrim, shton ai, “flakja tej e parimeve bazike të gazetarisë, për t’i shërbyer bashkëpunëtorëve të kryeministrit që dyshohen nga drejtësia si të korruptuar është rasti më flagrant që hedh poshtë propagandën për lirinë e mediave në Shqipëri”.

Duke komentuar intervistën e Karçanajt, Bushati vlerëson se “ajo ftohet në ekranin më të madh të vendit, i bëhet një orë intervistë për t’u shplarë, duke mos iu bërë asnjë nga pyetjet për të cilat akuzohet realisht”.

Në të njëjtën model, shton ai, “janë krijuar qindra kronika dhe artikuj për çështje krejtësisht pa lidhje me thelbin e dosjes korruptive kundër Erion Veliajt, që tentojnë një mbrojte të tërthortë të tij, pa folur për akuzat konkrete. E njëjta strategji mediatike e komanduar dallohet edhe për rastin e Belinda Ballukut”.

E njëjta strategji shërben, sipas Bushatit, edhe kur organizohen emisione teorike nëse drejtësia ka tagrin për të pezulluar një ministër, nëse kemi të bëjmë me ndërhyrje të kompetencave të pushtetit gjyqësor tek ai ekzekutiv, por pothuajse asnjë emision nuk diskuton për mënyrën se si paracaktoheshin tenderat dhe dhuroheshin qindra miliona euro në infrastrukturë.

“Pra teknologjia është e njëjtë: që mediat ti shërbejnë sa më mirë pushtetit duhet prodhuar shumë zhurmë e kotë, për të mbuluar të vërteta të thjeshta, që kanë dalë nga hetimet”, thekson ai.

Edhe për Erlis Çelën, pedagog i Komunikimit, përdorimi i mediave si platforma për mbrojtjen publike të personave të akuzuar nga SPAK është një fenomen që cenon misionin e medias për të raportuar ngjarjet në interes të publikut dhe tregon një problem më të gjerë të marrëdhënies mes politikës, medias dhe drejtësisë në Shqipëri, ku beteja për perceptimin publik po bëhet pothuajse po aq e rëndësishme sa vetë beteja ligjore në institucionet e drejtësisë.

Çela beson se kjo dukuri  lidhet me një problem kronik të medias shqiptare, i cili ka të bëjë me strukturën e pronësisë së medias dhe mungesën e transparencës.

“Për sa kohë që jetojmë në një realitet ku grupet mediatike kanë marrëdhënie jo transparente me politikën, dhe veçanërisht me qeverinë, ndërkohë që angazhohen në tendera me para publike, do të jetë e vështirë të kërkojmë integritet profesional dhe vëmendje të vërtetë ndaj interesit publik”, i tha ai BIRN-it.

Sipas Çelës, në një shoqëri demokratike, çdo individ ka të drejtën e prezumimit të pafajësisë dhe të drejtën për të dhënë versionin e tij të ngjarjeve, por “problemi lind kur hapësira mediatike shndërrohet nga një instrument informimi publik në një mekanizëm presioni, ndikimi apo relativizimi të proceseve hetimore dhe gjyqësore”.

Në këtë kontekst ai thotë se në shumë raste vihet re se komunikimi publik i personave nën hetim apo i përfaqësuesve të tyre nuk synon vetëm sqarimin e opinionit publik, por edhe ndërtimin e narrativave që delegjitimojnë veprimtarinë e institucioneve të drejtësisë, sulmojnë prokurorët apo krijojnë perceptimin se procesi penal është politik, selektiv ose i manipuluar.

“Kjo krijon një sfidë serioze për etikën mediatike, sepse media rrezikon të përdoret si instrument i strategjive të komunikimit të krizës nga persona apo grupe të ndryshme”, përfundon ai./reporter.al

Video

Fundi i ndeshjes në “Air Albania” mes Egnatias dhe Elbasanit, i përfunduar 4-0 për rrogozhinasit, ka sjellë tension. Së fundmi raportohet për incidente, ku ka patur përplasje mes dy tifozërive. E domosdoshme ndërhyerja e policisë, me këta të fundit që kanë qetësuar situatën. Pamje të tilla kthejnë futbollin shqiptar shumë vite mbrapa dhe nuk i shkojnë aspak përshtat sportit më të ndjekur në vet. Sfida Elbasani-Egnatia ishte e vlefshme për ndeshjen e dytë në Final Four

Një breshkë deti është gjetur e ngordhur pasditen e sotme në plazhin e Zvërnecit. Sipas pamjeve nga vendi i ngjarjes, breshka e vogël kishte dëmtime në trup dhe shenja gjaku, çka ngre dyshime se mund të jetë goditur nga skafe apo mjete të tjera lundruese që qarkullojnë në zonë. Breshkat detare janë specie të rralla dhe të mbrojtura, të cilat rrezikojnë zhdukjen, ndërsa kërkohet më shumë kujdes dhe kontroll ndaj lundrimit pranë zonave bregdetare ku këto specie jetojnë.

Aktivisti Baki Goxhaj, në një video-mesazh për VNA, njofton për situatën më të fundit pasi ai iu bashkua misionit global Freedom Flotilla Coalition, i cili synon të thyejë bllokadën e Gazës dhe të krijojë një korridor ndihmash humanitare për popullsinë palestineze. “Jam bashkuar misionit global Freedom Flotilla Coalition, i cili synon të thyejë rrethimin gati 3-vjeçar të Gazës, të krijojë një korridor ndihmash humanitare dhe të rrisë solidaritetin mbarëkombëtar me popullin e vuajtur të Palestinës. Flotila e sivjetshme është më e madhja deri tani me rreth 60 anije. Anëtarët e flotilës vijnë nga 50 shtete të ndryshme. Shtetet kryesore kanë delegacionet e tyre, anëtarët e tjerë grupohen në anije të përbashkëta. Pjesëmarrja në këtë mision buron nga një nevojë e brendshme për të bërë diçka përballë mizorive që kemi 2 vite e gjysmë që shohim dhe vjen si një shuplakë për maskarallëqet e qeverisë tonë, e cila nuk na përfaqëson aspak me marrëveshjet që bën me qeverinë genocidale të Izraelit. Shpresoj që pjesëmarrja ime këtu të shërbejë dhe si një zgjim për popullin shqiptar që të marrin frenat e vendit në dorë dhe t’i thonë jo maskarenjve”, shprehet ai.

Gara e MotoGP në pistën e Montmelo në Spanjë u shoqërua me skena të frikshme, pasi dy aksidente të rënda kaluan në plan të dytë rezultatin sportiv. Në xhiron e 12-të, Aleks Markez humbi kontrollin e motorit teksa tentoi të shmangte KTM-në e Pedro Akostas dhe u përplas dhunshëm jashtë piste. Gara u ndërpre përkohësisht, ndërsa piloti spanjoll u dërgua me urgjencë në spital, ku raportohet se ka pësuar trauma dhe fraktura, por pa rrezik për jetën. Pas rifillimit, një tjetër incident i rëndë ndodhi kur këmba e Johan Zarko ngeci në motorin e Francesco Banjajas pas një përplasjeje mes disa pilotëve. Fatmirësisht, edhe pse momentet ishin dramatike, nuk raportohet për rrezik për jetën e pilotëve të përfshirë.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme