Politika 12 January 2026, 18:45 Nga VNA

Nga kallëzues në kryetar grupi, ironia e përplasjes Bardhi–Këlliçi që sot i bashkon Berisha në PD-në

Ndaje në Whatsapp

Nga kallëzues në kryetar grupi, ironia e përplasjes

Thirrja në SPAK e deputetit Belind Këlliçi duket të jetë rrjedhojë direkte e përplasjeve të forta që ndodhën brenda Partisë Demokratike në vitin 2021, në kulmin e betejës për vulën dhe drejtimin e partisë. Ironia e madhe politike qëndron në faktin se iniciuesit dhe protagonistët e asaj përplasjeje, sot janë bashkë brenda së njëjtës parti, duke ndjekur të njëjtin fat politik – atë që u cakton Sali Berisha.

Gazment Bardhi, dikur akuzues, dhe Belind Këlliçi, sot i paraqitur në SPAK, asokohe ishin në krahë të ndryshëm të barrikadës. Sot, ata janë në të njëjtin krah, edhe pse mbetet e paqartë nëse inatet, akuzat dhe kallëzimet e asaj kohe janë harruar apo thjesht janë shtyrë nën qilimin e interesit politik.

Burime për VNA bënë me dije paraditen e sotme se Belind Këlliçi është pyetur në SPAK si person në dijeni, në lidhje me mënyrën e financimit të Kuvendit të Rithemelimit, të mbajtur më 11 dhjetor 2021. Në atë periudhë, kur beteja për marrjen e vulës së Partisë Demokratike ishte në kulmin e saj, Këlliçi ishte një nga organizatorët kryesorë të këtij Kuvendi.

Pikërisht për këtë Kuvend të famshëm të dhjetorit 2021, Gazment Bardhi, asokohe sekretar i përgjithshëm i PD-së, depozitoi në SPAK një kallëzim penal. Kallëzimi i Bardhit ishte drejtuar ndaj deputetit Belind Këlliçi, deputetes Albana Vokshi, ish-deputetit Edmond Spaho, deputetit Ivi Kaso, si dhe Ervin Minarollit, aktualisht Sekretar për Organizimin dhe Burimet Njerëzore në PD.

Të kallëzuarit nga Bardhi ishin anëtarë të Komisionit që drejtoi punimet e Kuvendit të 11 dhjetorit 2021. Në dokumentin e kallëzimit, objekti lidhej me veprën penale të “falsifikimit të vulave, stampave ose formularëve”, e kryer në bashkëpunim.

Sipas kallëzimit, “këta shtetas kanë shpërndarë formularë me logo dhe simbole të PDSH-së, duke u krijuar bindjen shtetasve të tjerë se po merrnin në dorëzim dokumente zyrtare të lëshuara nga Partia Demokratike. Ky veprim është kryer nga disa shtetas dhe u është dorëzuar shumë personave të tjerë, duke përbërë një vepër penale me pasoja të rënda”.

Sot, Gazment Bardhi mban postin e kryetarit të grupit parlamentar të PD-së, ndërsa përballë kallëzimit të tij gjenden tre deputetë demokratë dhe sekretari organizativ i partisë. Një situatë e pazakontë, ku marrëdhëniet e brendshme partiake ndërthuren drejtpërdrejt me hetimet e SPAK-ut.

Belind Këlliçi, Albana Vokshi dhe të tjerët janë sot në të njëjtin krah politik me Bardhin. Megjithatë, siç e di mirë edhe vetë Bardhi, letrat e shtetit nuk zhduken. Ato mbeten në arkiva. Partia mund të mbajë vulën, por prokuroria mban dosjen.

Nga kallëzues në kryetar grupi, ironia e përplasjes

Video

Ilir Beqaj shfaqet në GJKKO për herë të parë që prej zbutjes së masës së sigurisë.

Deputeti i PD-së, Luan Baçi, paraqitet në SPAK, i shoqëruar nga avokati i tij.

Partia ime më shkarkoi…

Qielli i Nju Jorkut u ndriçua nga rreth 3 mijë dronë gjatë një prove spektakolare për ceremoninë përkujtimore që do të shënojë 25-vjetorin e sulmeve terroriste të 11 Shtatorit në vitin 2026. Dronët u ngritën mbi qytet dhe krijuan një shfaqje të koordinuar drite, si pjesë e përgatitjeve për një homazh që synon të nderojë viktimat e sulmeve të 11 Shtatorit 2001.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme