Politika 9 Shtator 2025, 09:04 Nga VNA

Nga fasadat e pushtetit tek realiteti i nxirë: Shkodra ku politika është dorëzuar përballë krimit

Ndaje në Whatsapp
Nga fasadat e pushtetit tek realiteti i nxirë: Shkodra ku politika

Shkodra është tronditur dje nga një ngjarje e rëndë, një vrasje në mes të ditës në mes të qytetit motivet e së cilës fshehin të vërtetën e frikshme; atë të marrjes së kontrollit nga bandat.

Kjo nuk është hera e parë që Shkodra përjeton tronditje të tilla që në thelb shënon një rrënim të sigurisë së qytetarëve por dhe të vlerave të qytetarisë që mbart kryeqendra e veriut. Vrasje, banda që qarkullojnë lirshëm dhe frika mes qytetarëve të thjeshtë është tashmë panorama e vërtetë e këtij qyteti që nuk e retushojnë dot as postimet bajate të kryetarit të bashkisë dhe as përpjekjet për ta bërë realitetin të duket ndryshe nga sa është.

Një polici thuajse inekzistente, një drejtësi me probleme të mëdha profesionale dhe morale teksa lë të lirë njerëz të rrezikshëm, një pushtet lokal që ka veç furçën në dorë për të lyer me ngjyra atë që sterron në realitetin shkodran. Por mbi të gjitha politika: ajo që duhet të marrë në dorë situatën dhe të vendosë për sigurinë e qytetit dhe qytetarëve të saj. Për herë të parë në Shkodër PS është në avantazh dhe mesa duket kjo është shenja e parë se punët po shkojnë dhe më keq. Jo se PD shkëlqeu në vitet kur kishte mazhorancën në Shkodër, por së paku situata nuk ishte kjo që është sot. Ky nuk është justifikim për mënyrën banale dhe shfrytëzuese që PD ka zgjedhur për të vjelë të mirat e Shkodrës dhe për ta lënë atë të zvarritet në mjerimin e përditshëm. Por është tregues se politika tashmë është dorëzuar para kriminalitetit në Shkodër.

Ndaj kur Rama zgjedh “neomalësore” dhe të ngjashme të saj për të përfaqësuar Shkodrën në parlament gënjeshtra shndërrohet në mashtrim politik. Në fakt Marjana Koçeku nuk ka asnjë faj pse ndodhin krime në Shkodër. Madje me gjasë as nuk ka kuptuar ende se ç’ka ndodhur dhe çfarë fshihet pas krimit të radhës. Por fytyra e saj është përdorur për të paketuar bukur votat për ata që sot mbajnë përgjegjësi reale për kriminalitetin e qytetit. Në çdo vend normal të Europës ngjarja e djeshme do ishte një këmbanë alarmi, një motiv i fortë që përfaqësuesit politikë të saj të pushtetit vendor dhe qendror të bëheshin bashkë për një motiv të përbashkët: luftën ndaj krimit të organizuar. Por për sa kohë tentakulat e këtij krimi janë shtrirë gjerë e gjatë në politikën lokale dhe qendrore që qeveris Shkodrën dhe gjithë Shqipërinë, vështirë se mund të lexosh qoftë dhe një rresht, një ndjesë apo reflektim për realitetin e dhimbshëm.

Shqipëria dhe bashkë me të Shkodra janë pjesë të një vorbulle krimi dhe korrupsioni që mban peng sigurinë e qytetarëve dhe zhvillimin. Ndaj së paku na i kurseni paketimet me të rinj që përdoren si fasadë për të treguar një realitet që nuk ekziston dhe për të kërkuar vota për një shpresë që ka vdekur pa lindur. Na mjafton Edi Rama për këtë!

Video

Lëvizja "Shqipëria Bëhet" ka dorëzuar sot në SPAK një padi për çmimin e naftës.

Rreth orës 04:00 të mëngjesit, një lokal në zonën e Qafë Shtamës është përfshirë nga flakët, duke u djegur plotësisht së bashku me bujtinën përreth. Si pasojë e zjarrit janë shkaktuar dëme të mëdha materiale, ndërsa fatmirësisht nuk raportohet për persona të lënduar. Sipas pronarit të objektit, Bukurosh Balliu, dyshohet se shkak i ngjarjes kanë qenë luhatjet e tensionit elektrik, të ardhura si pasojë e erërave të forta. Këto luhatje mendohet se kanë krijuar shkëndija, të cilat më pas kanë çuar në përhapjen e flakëve.

Të paktën gjashtë persona u plagosën nga tërmeti i fuqishëm me magnitudë 7.7 ballë që goditi Japoninë veriore të hënën Sipas Japan Meteorological Agency, lëkundja ndodhi në Oqeanin Paqësor pranë prefekturës Iwate në ishullin Honshu. Agjencia raportoi një magnitudë prej 7.7 ballësh, ndërsa United States Geological Survey e vlerësoi atë në 7.4. Menjëherë pas tërmetit u lëshua një paralajmërim për cunami, me valë të mundshme deri në tre metra. Një valë deri në 80 centimetra u regjistrua në portin e Kujit, ndërsa valë më të vogla goditën zona të tjera të Japonisë veriore. Më vonë, alarmi për cunami u hoq.

U.S. Central Command ka publikuar pamje nga një operacion ushtarak në Detin Karaibe, ku forcat e Shtetet e Bashkuara goditën një anije të dyshuar për trafik droge. Sipas njoftimit, tre persona të dyshuar si pjesë e trafikut të drogës u vranë gjatë operacionit.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme