Politika 14 January 2026, 12:03 Nga VNA

Nga Dubai në Facebook: Kryeministri hap një tjetër betejë me gazetarët, ndërsa përmbytjet mbeten pa përgjigje

Ndaje në Whatsapp
Nga Dubai në Facebook: Kryeministri hap një tjetër betejë me

Pas debatit publik me Blendi Fevziun, kryeministri Edi Rama ka zgjedhur sot të hapë një tjetër përplasje, këtë herë me gazetaren Klodiana Lala, duke reaguar nga Dubai përmes një postimi në rrjetet sociale.

Shkak është bërë një status i gazetares në Facebook, ku ajo ngre shqetësimin për përmbytjet në Durrës dhe mosfunksionimin e inceneratorit të Tiranës. Rama e ka ripostuar statusin, duke e shoqëruar me një koment të gjatë, ironik dhe sulmues, ku shmang përmendjen e emrit të gazetares, por jo etiketimin e saj.

Sipas kryeministrit, problemi nuk qëndron tek inceneratori apo infrastruktura, por tek ajo që ai e cilëson si “injorancë e ububushme” e disa zërave mediatikë. Në reagimin e tij, Rama shkruan se “një zëdhënës i opinionit publik” u thotë qytetarëve se inceneratori i Tiranës paska fajin për shishet dhe qeset plastike që hidhen rrugëve të Shqipërisë, të cilat më pas, nga era dhe ujërat e lumenjve, grumbullohen dhe bllokojnë kanalet kulluese apo ndotin plazhet.

Ironia e kryeministrit shkon edhe më tej, duke e përkthyer këtë qëndrim si një thirrje absurde për qytetarët: “Hidhini plehrat ku të mundeni, se fajin e ka inceneratori i Tiranës.”

Në vijim, Rama kalon nga ironia në akuzë të drejtpërdrejtë ndaj një pjese të medias, të cilën e ndan në dy kategori: gazetarët që informohen dhe informojnë, dhe ata që, sipas tij, urrejnë, shpifin dhe dizinformojnë. Këta të fundit, shkruan kryeministri, po shtohen “tamam si prurjet e plastikës”, ndërsa publiku po “përmbytet” çdo ditë nga urrejtja dhe dizinformimi.

Por përtej polemikës me gazetaren, mbeten disa pyetje thelbësore që kryeministri ende nuk i ka sqaruar.

Cili është realisht shkaktari i përmbytjeve në Durrës?
A ka funksionuar kolektori për të cilin Prokuroria e Durrësit ka nisur një hetim penal?
A nuk do të ishte më e arsyeshme që kreu i qeverisë të heshtte dhe të priste përfundimin e këtij hetimi, përpara se të shpërndante ironi dhe fyerje nga rrjetet sociale?

Po ashtu, ndërsa kryeministri ndodhet në Dubai për të marrë çmime dhe vlerësime, mbetet e paqartë pse ai nuk gjen kohë të shkojë vetë në terren për të parë situatën në Durrës. Inceneratorin e Tiranës, për të cilin flet me kaq siguri, ai nuk mund ta shohë dot, sepse ai nuk ekziston fizikisht – përveçse në dokumente, deklarata politike dhe, siç thuhet shpesh, në “letrat” e Erion Veliajt.

Në fund, këto debate të shterp me gazetarët nuk tregojnë forcë, por dobësi. Ato nxjerrin në pah një kryeministër gjithnjë e më nervoz në ditë të vështira për qeverinë e tij. Për katandisjen e qeverisë dhe të Shqipërisë, fajin nuk e kanë as Blendi Fevziu, as Klodiana Lala, e as kolegët e tyre.

Ndoshta pyetja që duhet bërë nuk është kush flet në media, por kush mban përgjegjësi kur gjërat në një shtet nuk funksionojnë. Dhe përgjigjja, si gjithmonë, nis nga koka.

Video

Pas përfundimit të protestës para Kryeministrisë, qytetarët kanë nisur marshimin në rrugët kryesore të Tiranës.

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky zhvilloi takimin e tij të parë me kryeministrin e ri të Britanisë së Madhe në bordin e aeroplanmbajtëses HMS Queen Elizabeth, në bazën detare të Portsmouthit. Gjatë bisedës, kryeministri britanik rikonfirmoi mbështetjen për Ukrainën, ndërsa Zelensky ftoi kryeministrin të vizitojë vendin e tij.

Të paktën dy persona humbën jetën pasi një automjet u godit nga një sulm ajror në Deir al-Balah, në qendër të Rripit të Gazës. Sipas raportimeve, sulmi u krye nga forcat izraelite, ndërsa viktimat ishin dy zyrtarë të sigurisë së Hamasit. Ushtria izraelite konfirmoi se kishte në shënjestër një militant të Hamasit.

Një vizitor i pazakontë shkaktoi panik dhe habi në një aeroport të Nju Jorkut, pasi një rakun ra papritur nga tavani i terminalit mbi udhëtarët. Ende mbetet mister se si kafsha përfundoi mbi tavan dhe çfarë po bënte aty. Pas “uljes së detyruar”, rakuni u largua me shpejtësi, duke lënë pas pasagjerë të trembur dhe një episod sa të pazakontë, aq edhe komik. Pamjet janë regjistruar në nëntor 2024, por së fundmi janë bërë virale në rrjetet sociale.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme