Politika 11 Shkurt 2026, 12:03 Nga VNA

Ndalimi i TikTok-ut në Shqipëri po skadon, mbrojtjet e premtuara mbeten ende pezull

Ndaje në Whatsapp

Ndalimi i TikTok-ut në Shqipëri po skadon, mbrojtjet e premtuara

Me përfundimin e ndalimit njëvjeçar, autoritetet shqiptare deklarojnë se vijojnë bashkëpunimin me TikTok-un për vendosjen e “filtrave përkatës”, në mënyrë që të forcohet mbrojtja e përdoruesve të mitur të platformës së videove.

Kur qeveria e Shqipërisë vendosi një ndalim njëvjeçar ndaj TikTok-ut, pas plagosjes fatale me thikë të një djali 14-vjeçar pas një sërë debatesh në rrjetet sociale, ajo premtoi se do ta përdorte këtë kohë për të punuar me platformën për forcimin e mbrojtjes së fëmijëve.

Javën e kaluar, ndalimi skadoi, por nuk ka pasur ndonjë ndryshim të dukshëm në aplikacion, sipas përvojës së fëmijëve shqiptarë.

“Sot, autoritetet shqiptare po punojnë në partneritet me përfaqësuesit e TikTok-ut për filtra mbrojtës përmes fjalëve kyçe, kontrollit të përmbajtjes dhe modaliteteve më efektive për raportimin dhe trajtimin e shkeljeve”, tha qeveria më 4 shkurt.

Kjo u përsërit një ditë më pas gjatë një seance në Gjykatën Kushtetuese lidhur me një kundërshtim ligjor ndaj ndalimit të përdorimit të TikTok-ut, të paraqitur nga BIRN Albania dhe Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë, AGSH.

Një përfaqësues i qeverisë tha në seancën dëgjimore se ishte arritur një marrëveshje për “filtra përkatës” që do të ndalonin përdorimin e disa fjalëve dhe shprehjeve dhe se TikTok-u do ta “shprehte publikisht këtë angazhim” në një aktivitet në shkurt.

Por kur u pyet nëse ekzistonte një marrëveshje me shkrim, përfaqësuesi u përgjigj: “Ligjërisht… për momentin nuk kemi një qëllim të tillë. Por ata janë zotuar të vendosin filtrat përkatës.”

Gjykata ka refuzuar një kërkesë të qeverisë që çështja të pushohej tani që ndalimi ka skaduar, duke përmendur “interesin e lartë publik” që të vazhdojë.

Në një njoftim për shtyp, AGSH-ja tha se qeveria po mbështetej në premtime nga TikTok-u dhe jo në instrumente ligjërisht detyruese.

“Po ashtu, pyetja se çfarë masash do të merreshin nëse filtrat nuk do të funksiononin mbeti pa përgjigje, duke lënë të hapur mundësinë e një mbylljeje tjetër në të ardhmen”, thuhet në deklaratë.

Ndalimi u shkel gjerësisht

Ndalimi i TikTok-ut në Shqipëri po skadon, mbrojtjet e premtuara

Ndalimi i TikTok-ut u shkel gjerësisht falë përdorimit të rrjeteve private virtuale, ose VPN-ve, të cilat u mundësuan përdoruesve shqiptarë të “zhvendoseshin” virtualisht në vende të tjera dhe të vazhdonin ta përdornin TikTok-un lirshëm.

Brenda pak orësh nga hyrja në fuqi e ndalimit, një nga kompanitë që ofron shërbime VPN në Shqipëri tha se përdorimi ishte rritur ndjeshëm.

“Përdorimi i #ProtonVPN është rritur me 1,200% mbi nivelin bazë dhe kjo shifër po vazhdon të rritet ndërsa shqiptarët kërkojnë qasje në një internet të hapur dhe të lirë”, shkroi Proton VPN në X më 13 mars të vitit të kaluar.

Ndalimi u shpërfill, madje, edhe nga disa zyrtarë qeveritarë: Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, për shembull, mbeti aktiv në TikTok nga burgu pas arrestimit të tij nën akuzat për korrupsion.

I pyetur nga Politico në dhjetor të vitit të kaluar nëse ndalimi kishte qenë efektiv, Kryeministri shqiptar Edi Rama këmbënguli se kishte pasur përfitime.

“Ka qenë efektiv në ndërtimin e kësaj marrëdhënieje me TikTok-un dhe në vendosjen e disa masave mbrojtëse që më parë nuk ekzistonin”, tha ai.

Megjithatë, Orkidea Xhaferraj, eksperte në Qendrën për Shkencë dhe Inovacion për Zhvillim, tha se nuk kishte “asnjë provë lidhur me efektivitetin” e ndalimit.

Të gjithë procesit i ka munguar transparenca, tha Xhaferraj për BIRN.

“Vendimi për të mbyllur aksesin në TikTok u mor pasi qeveria njoftoi konsultime me prindër dhe mësues, të cilët shprehën mbështetjen e tyre për mbylljen e aksesit”, tha ajo. “Dokumentacioni i këtij konsultimi nuk është bërë publik.”

Politikës i mungon “koherenca”

Ndërsa disa vende të Bashkimit Evropian po shqyrtojnë ndjekjen e shembullit të Australisë për të kufizuar rrjetet sociale për moshat nën 16 vjeç, ndalimi në Shqipëri u aplikua për të gjithë përdoruesit, “jo vetëm për fëmijët”, vuri në dukje Xhaferraj.

Ai pasoi gjithashtu përpjekjet e Autoritetit të Mediave Audiovizive në Shqipëri, AMA, për të bashkëpunuar me TikTok-un mbi këtë çështje — përpjekje që qeveria më parë i kishte cilësuar si të suksesshme.

“I gjithë zinxhiri i veprimeve qeveritare ka treguar qartazi mungesë koherence në qasjen ndaj rregullimit të veprimtarisë së platformave digjitale”, tha Daniel Prroni, studiues i të drejtave digjitale me bazë në Tiranë.

“Ndërhyrjet kanë qenë të fragmentuara, shpesh kontradiktore dhe të shkëputura nga përpjekjet e mëparshme për harmonizim me Aktin e Shërbimeve Digjitale të BE-së, i cili synon pikërisht adresimin e shqetësimeve për përmbajtje të dëmshme në mënyrë sistematike dhe proporcionale.”

“U njoftua se po punohet për filtra sigurie në kuadër të një marrëveshjeje vullnetare”, tha Prroni, ndërkohë që vetë qeveria po përpiqet të harmonizojë rregulloret ligjore me Aktin e Shërbimeve Digjitale, “çka do të thotë se rregullat për moderimin e përmbajtjes do të jenë detyrim ligjor dhe jo një angazhim vullnetar për të gjitha platformat digjitale”./BIRN/

Video

Snowboarderja kineze Liu Jiayu, e cila ka marrë pjesë pesë herë në Lojërat Olimpike, u rrëzua gjatë garës kualifikuese në disiplinën halfpipe për femra në Lojërat Olimpike Dimërore Milano–Cortina. Sipas agjencisë Xinhua, ajo humbi kontrollin në hedhjen e fundit dhe u përplas me kokë në pistë.

Një gropë e madhe është shfaqur në distriktin Minhang të Shangait, duke përpirë një pjesë të konsiderueshme të rrugës dhe duke shkaktuar dëme në strukturat përreth. Ngjarja ndodhi një ditë pasi punëtorët zbuluan një rrjedhje uji gjatë punimeve të gërmimit për linjën e metrosë Jiamin.

Në Grenoble, Francë, një bandë me origjinë nga Afrika e Veriut vodhi bagazhe nga një autobus në mes të ditës.

Rrugës për në SPAk bëjmë dhe një koment për Big Brother

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme