Politika 4 Maj 2026, 18:54 Nga VNA

Ministri i Jashtëm mbron propozimin për anëtarësim me kushte në BE

Ndaje në Whatsapp

Ministri i Jashtëm mbron propozimin për anëtarësim me kushte

Ministri i Jashtëm, Ferit Hoxha, dha sqarime në Kuvend të hënën për ecurinë e procesit të integrimit, duke vlerësuar se qëndrimi i vendeve të BE-së për këtë ecuri nuk kishte një ‘kufizim kohor’.  Hoxha mbrojti idenë e propozuar nga Rama-Vuçiç për një anëtarësim me kushte, por tha nuk kishte pasur asnjë ndikim.

Ecuria e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian duket se është në një moment pauze, ndërsa pritet një vendimmarrje e vendeve anëtare për vlerësimin e reformave të deritanishme, një mekanizëm që njihet si Raport i Vlerësimit të Përkohshëm të Standardeve (IBAR) ose një lloj ‘provim i ndërmjetëm’ për ecurinë e negociatave.

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Ferit Hoxha tha se marrja e IBAR-it nuk kishte afate kohore të përcaktuara, por ai kundërshtoi qëndrimin e opozitës për bllokim të procesit të integrimit.

“Nuk ka kufizim kohor”, tha ai, duke shtuar se “nuk ka pasur asnjëherë një kohë që IBAR për Shqipërinë duhet të mbushej për 6 javë përndryshe Shqipëria është me vonesë, mund të shkojë edhe 6 vjet”.

Sipas ministrit, “ky ushtrim po bëhet për herë të parë nga BE dhe me këtë metodologji për Shqipërinë do të vendoset një standard për vendet e tjera”.

Sipas Hoxhës reformat e ndërmarra nga Shqipëria në kuadër të planit të përbashkët me BE-në dhe përgjigjet për dhjetra hendeqe të konstatuara janë pranuar nga Komisioni Europian në raportin e dorëzuar për Këshillin.

Hoxha, i i zgjedhur ministër dy muaj më parë, u prit me kritika nga deputetë të opozitës për mungesë transparence dhe kohorence të institucioneve qeveritare në procesin e integrimit dhe bllokim të këtij procesi me rrëzimin nga mazhoranca të kërkesës së Prokurorisë së Posaçme, SPAK, për arrestimin e ish zv/kryeministres Belinda Balluku.

Deputeti i Partisë së Lirisë, Edmond Haxhinasto, tha se kishte një mungesë transparence nga qeveria për procesin.

“Kushtet kritike dhe problematikat që ka sot të diskutoheshin këtu dhe të mos fshiheshit”- iu drejtua ai Hoxhës, duke shtuar se “kemi indekse të përkeqësuara të standardeve të Shqipërisë që nuk të lënë të bëhesh optimist se ne jemi me detyra të plotësuara”.

Edhe deputeti Erald Kapri nga partia “Mundësia” tha se ecurinë e procesin po e minonte vetë mazhoranca qeverisëse. “Bllokimi i SPAK-ut do të ketë kosto për integrimin”- tha ai, ndërsa shtoi se reformat që lidhen drejpërdrejt me përfitime për për qytetarët, siç është  regjistrimi i pronave, nuk ishin realizuar akoma.

Deputetët të opozitës kritikuan gjithashtu rolin e kryeministrit Edi Rama në politikën e jashtme si protagonizëm që binte ndesh me linjën zyrtare të institucioneve shqiptare dhe strategjisë së integrimit duke sjell si shembull artikullin e tij të përbashkët me presidentin serb Aleksandër Vuçiç në gazetën gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, ku propozonin një mekanizëm anëtarësimi pa të drejtë vetoje për vendet e tyre.

“Nëse një kryeministër paraqet konceptin e një strategjie të re për integrimin duhet të konsultohej me institucionet sovrane të vendet dhe me shtetet kryesore të BE”, tha Haxhinasto.

Ndërsa sipas deputetit të Partisë Demokratike, Tomor Alizoti, artikulli binte në kontradiktë me marrëdhëniet dypalëshe shqiptare -serbe.

“Shqipëria nuk mund ta anashkalojë Kosovën në lidhje me marrëdhëniet me Serbinë. Ky është një problem themelor kombëtar dhe këtu duhet ta diskutojmë dhe po e diskutojmë me tone shumë të qeta”- tha ai ndër të tjera.

Ministri i Jashtëm e mbrojti artikullin Rama-Vuçiç si një ide politike që bëhej publike në një kontekst të caktuar ku ndodhej gjeopolitika e Bashkimit Europian dhe që nuk e cënonte strategjinë e anëtarësimit të plotë.

“Nuk bëhet fjalë për heqje dorë dhe as për relativizim, por propozohet një rrugë më fleksibël…”- tha ndër të tjera ai.

Ndërsa shqetësimit të opozitës se pse kryeministri shqiptar ishte bashkuar me kryeministrin serb në këtë iniciativë duke pasur parasysh konfliktin për Kosovën, Hoxha këmbënguli se kjo nuk ndryshonte qëndrimet e Shqipërisë ndaj Serbisë për Kosovën dhe as nuk i shuante përplasjet e vendeve për këtë çështje.

“Nuk duhet të interpretohet si projekt apo aleancë. Kjo ide tregon se vendet e rajonit pavarësisht qasjeve të thella veçanërisht për Kosovën, arrijnë të gjejnë gjuhën e përbashkët e të tregojnë pragmatizëm e pjekuri politike”, argumentoi ministri.

Nga ana tjetër Hoxha theksoi se propozimi Rama-Vuçiç nuk kishte pasur asnjë ndikim në procesin e integrimit dhe nuk ishte marrë parasysh nga institucionet europiane./BIRN/

Video

Atë që se thonë dot deputetë dhe drejtues të PD, e thotë me kaq vërtetësi një demokrate.

Përpara se të kërkojmë libra dhe mjete ditaktike për shkollat në Irlandë, bëjmë mirë t’i kërkojmë për shkollat dhe fëmijët në Shqipëri.

Mbështetës dhe tek burgu 313. Kështu ka ndodhur sot me Sali Berishën teksa është paraqitur ne SPAK sipas kërkesës së prokurorëve.

Një fluturim i easyJet nga Londra Gatwick drejt Antalias u devijua me urgjencë në Kosovë pas një incidenti në bord. Sipas mediave britanike, një pasagjere dyshohet se kishte konsumuar vodka dhe kishte nisur një përleshje me një tjetër udhëtar. Ajo raportohet se ka pështyrë në fytyrën e një pasagjeri gjatë konfliktit në korridorin e avionit. Për shkak të situatës, avioni u detyrua të ulej në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës. Policia hyri në bord dhe largoi dy pasagjerët e përfshirë në incident. Fluturimi më pas vijoi drejt Antalias me rreth tre orë vonesë.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme