Politika 17 Mars 2026, 15:16 Nga VNA

Ligji i Gardës ndryshon si ‘kostum me porosi’ për drejtuesin e radhës

Ndaje në Whatsapp

Ligji i Gardës ndryshon si ‘kostum me porosi’ për

Dy vjet pas ndryshimit ligjor që u kritikua nga opozita si “i porositur”, Partia Socialiste përmes deputetes Antoneta Dhima propozon rikthimin e dispozitës së vjetër për zgjedhjen e komandantit të Gardës së Republikës, duke pranuar gabimin e dy viteve më parë.

Dy vjet pasi ndryshuan kriteret për zgjedhjen e drejtorit të përgjithshëm të Gardës së Republikës, socialistët ‘pendohen’ dhe kërkojnë rikthimin tek formulimi i vjetër, i cili e kushtëzon zgjedhjen me të qënit punonjës karriere brenda institucionit.

Ndryshimet e reja në ligjin për “Gardën e Republikës” janë pjesë e një projektligji të propozuar nga deputetja socialiste, Antoneta Dhima, i futur për shqyrtim në kalendarin e punës së Kuvendit.

Nisma e Dhimës propozon ndryshimin e nenit 17 me formulimin; “Drejtori i Përgjithshëm i Gardës së Republikës emërohet nga Kryeministri me propozim të ministrit dhe i jepet grada “Drejtues Madhor”. Ai përzgjidhet nga radhët e punonjësve të Gardës që mbajnë gradën “Drejtues i Parë/Drejtues i Lartë”.

Vetëm dy vjet më parë, mazhoranca socialiste, deputete e së cilës ishte edhe Dhima, këmbënguli që ta ndryshojë këtë nen, duke i hapur rrugën edhe kandidaturave nga jashtë radhëve të Gardës së Republikës. Ndryshimi në atë kohë u kontestua fort nga opozita si një “ligj me porosi” për t’i hapur rrugën zgjedhjes së Ermal Onuzit.

Dispozita u miratua kur institucioni ishte pa drejtues dhe vetëm pak muaj nga votimi në Kuvend, emri i paralajmëruar, Onuzi u shpall fitues pas një procedure të ashtuquajtur ‘konkurs i hapur’.

Onuzi dha dorëheqjen në qershor të vitit 2005 dhe aktualisht, Garda e Republikës është në kërkim të një drejtuesi të ri.

E pyetur nga BIRN se cila ishte shtysa për të propozuar këto ndryshime ligjore, nismëtarja Antoneta Dhima iu referuar argumenteve në relacionin e dorëzuar në Kuvend, duke pranuar se ndryshimet e vitit 2024 ishin në kundërshtim me norma të tjera të ligjit, ku gradat për pozicionin drejtues kërkojnë minimalisht 11 vite punë.

Nisma, tha ajo, “ka për qëllim përmirësimin e normave ligjore të cilat, nga praktika e deritanishme kanë gjetur vështirësi në zbatim, kanë patur mungesë harmonizimi apo kanë rënë ndesh me normat e tjera të ligjit, sikurse me frymën e përgjithshme që ligjvënësi ka patur parasysh në hartimin e tij”.

Në nismën e saj Dhima përfshin dhe dispozita të tjera që lidhen me karrierën brenda këtij institucioni dhe kriteret për t’u punësuar aty, duke hapur dyert dhe për individë që kanë punuar në institucione të tjera të sigurisë si Forcat e Armatosura, Policia e Shtetit apo SHISH.

Sipas deputetes, një pjesë e konsiderueshme e këtyre ndryshimeve janë nxitur nga rekomandimet e lëna prej grupit auditues të Ministrisë së Punëve të Brendshme në muajin dhjetor 2025.

“Për sa më sipër, qëllimi i këtij projektligji është të përmirësojë, qartësojë dhe të mos krijojë ekuivoke në zbatimin e normave, të cilat janë të paqarta, duke sjellë kështu formimin e precedentëve që çojnë në keqinterpretim apo zbatim të gabuar të ligjit,” thuhet në relacion./BIRN/

Video

Pas 35 vitesh ja kush sfidon seriozisht Sali Berishën për postin e kryetarit të PD…

Ish numri dy i AKSHIT Hava Delibashi i është drejtuar Gjykatës së Posaçme me kërkesë për zëvendësimin e masës së sigurisë. Delibashi ndodhet aktualisht në arrest shtëpie pasi dyshohet si pjesë e grupit kriminal të drejtuar nga Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri.

Kryeministri Rama ka qenë sot në Vlorë, ku është takuar me deputetët e zonës dhe kryetaren e bashkisë. Pamjet e siguruara nga VNA flasin qartë për nota nervozizmi në bisedën mes tyre, në dalje të një lokali ku u zhvillua takimi.

Direkt nga New York, Ora e Përrallës nga Shëndetësia… Si i bindim të rinjtë të kthehen në Shqipëri

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme