Kryeministri Edi Rama ka “emëruar” Diella-n (që në shqip do të thotë diell), e cila do të jetë mbajtësja e ardhshme e portofolit të Prokurimeve Publike, imune ndaj ryshfeteve, kërcënimeve apo përpjekjeve për korrupsion.
Qeveria shqiptare do të mirëpresë një anëtare të re, e cila megjithatë nuk do të jetë një person në mish e kocka, por një sistem i gjeneruar nga inteligjenca artificiale. Ajo do të quhet Diella dhe do të jetë ministrja e ardhshme për Prokurimet Publike, imune ndaj ryshfeteve, kërcënimeve apo përpjekjeve për korrupsion.
Kryeministri Edi Rama e ka përshkruar Diella-n si një “anëtare të qeverisë që nuk është fizikisht e pranishme, por është krijuar virtualisht nga inteligjenca artificiale”. Rama ka theksuar gjithashtu se Diella do të ndihmojë për të garantuar që “prokurimet publike të jenë 100% të lira nga korrupsioni”, duke menaxhuar dhe dhënë të gjitha kontratat publike ku qeveria lidh marrëveshje me kompani private për projekte të ndryshme. Megjithatë, qeveria shqiptare nuk ka shpjeguar ende se si do të trajtohet çështja e mbikëqyrjes njerëzore që mund të kërkohet për Diella-n, as nuk ka folur për rreziqet e mundshme të manipulimit të bot-it.
Diella ishte prezantuar në fillim të këtij viti si asistente virtuale e bazuar në inteligjencë artificiale në platformën e-Albania, duke ndihmuar qytetarët dhe bizneset shqiptare të merrnin dokumente shtetërore. E veshur me rroba tradicionale, ajo ofron shërbim përmes komandave zanore dhe lëshon dokumente me vula elektronike, duke reduktuar vonesat dhe përmirësuar efikasitetin e aparatit burokratik.
Korrupsioni ka qenë një problem historik në Shqipëri, edhe pse vitet e fundit situata ka ardhur duke u përmirësuar. Në vitin 2024, Shqipëria mori 42 pikë nga 100 në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit (CPI) të Transparency International, duke u renditur në vendin e 80-të nga 180 vende. Përparimet në luftën kundër korrupsionit janë vendimtare në rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, ku kryeministri Rama dhe Partia e tij Socialiste synojnë të mbyllin negociatat deri në vitin 2027.
Që në vitin 2016 ishte krijuar një Strukturë e posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar (SPAK), e cila vepron kundër sistemit të korrupsionit dhe pastrimit të parave. Kjo strukturë ka sjellë tashmë arrestimin e disa politikanëve të lartë, disa prej të cilëve nga i njëjti parti e Ramës, përfshirë ish-kryeministrin Sali Berisha, kryetarin e Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, ish-ministrin e Mjedisit Lefter Koka dhe ish-zv.kryeministrin Arben Ahmetaj.
Shkrimi është botuar në l’espresso.
https://lespresso.it/c/mondo/2025/9/12/albania-nuova-ministra-intelligenza-artificiale/56869






















