Politika 30 Prill 2026, 15:18 Nga VNA

Kori Rama-Berisha dhe posti i mbajtur peng

Ndaje në Whatsapp

Kori Rama-Berisha dhe posti i mbajtur peng

Procesi i zgjedhjes së Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi ka gjetur vendin e vet të natyrshëm: në heshtjen institucionale, në zvarritjen procedurale dhe në atë zonë të njohur gri ku mazhoranca dhe opozita bien dakord pa folur me njëri-tjetrin. Komisioni parlamentar i drejtuar nga Jorida Tabaku vijon ta mbajë të hapur procesin, pa asnjë datë të re për dëgjesat, pa asnjë shpjegim dhe, mbi të gjitha, pa asnjë pretendim nga asnjëri prej aktorëve.

Thirrja e parë dështoi pa shumë bujë. Mes kandidatëve të shumtë, mbi dhjetë sipas shifrave zyrtare, figuronte edhe Sonila Bejtja, anëtare aktuale e Gjykatës Kushtetuese, e konsideruar botërisht si figurë e preferuar e Sali Berishës: lavdet publike që ky i fundit i ka thurur janë të dokumentuara, ashtu si edhe lidhjet e saj me televizionin e familjes.

Edhe pse kandidoi, ajo u tërhoq nga gara me shpjegimin se do të priste zëvendësimin e saj në Gjykatën Kushtetuese. Kandidoi, po ndërroi mendje. Me gjasë, ia ndërruan mendjen.

Dhe pikërisht ai moment nuk ishte i rastësishëm. Pikërisht atëherë Gjykata Kushtetuese kishte të paraqitur për gjykim kërkesën e kryeministrit Rama për pezullimin e vendimit të SPAK dhe GJKKO në çështjen Balluku. Vendimi u pezullua ashtu siç e kërkoi kryeministri. Znj. Bejtja ishte në mesin e atyre që votuan pro. E paracaktuar të hiqte dorë nga posti, e paracaktuar të votojë me qeverinë — koincidencë e fatkeqe, ndoshta. Por koincidencë që kërkon shpjegim.

Kandidaturat e tjera të mbetura në garë u braktisën nga të gjitha forcat politike. Asnjë parti nuk dha firma mbështetëse për ta, për të kaluar për votim në seancën plenare. Tabaku dhe Peleshi bënë pushim tre muaj.

Thirrja e dytë për kandidatë për Komisioner për Mbrojtjen nga Diskriminimi u mbyll më 25 mars. Tetë emra në garë (por jo Sonila Bejtja; ajo ende duhet në Gjykatë Kushtetuese).

Vetëm një kandidat u paraqit në seancën e vetme dëgjimore, më 8 prill. Për të tjerët, komisioni i Tabakut ka shpenzuar një muaj pa i thirrur në seancë dëgjimore dhe pa kaluar në fazën e mbështetjes me firma dhe kalimit për votim.

Pse kjo zvarritje? Mos vallë për ta djegur sërish garën dhe për t’i dhënë kohë Sonila Bejtes të çlirohet nga mandati në Gjykatë Kushtetuese? (KED akoma nuk e ka mbyllur procedurën e pasuesit të saj.)

Postet shtetërore nuk mbeten pa aplikantë nga neglizhenca; ato mbeten të zbrazëta kur fjala është dhënë para se gara të fillojë. Është i vetmi arsyetim logjik që shpjegon mungesën e interesit.

Deri më 30 prill, komisioni nuk ka caktuar asnjë datë të re për vijimin e dëgjesave, megjithëse është deklaruar se priten kandidatë të tjerë. Zvarritje e pajustifikueshme kjo, që vlen të nënvizohet edhe për një arsye tjetër: janë pikërisht deputetët e PD-së në atë komision — të njëjtit që ankoheshin me zë të lartë për postin e Avokatit të Popullit “të mbajtur peng nga qeveria” — që sot heshtin plotësisht. Niko Peleshi mund t’i bëjë vizitat jashtë shtetit pa shoqërim dhe PD e ngre zërin për këtë shkelje. Një post i lartë shtetëror mbetet vakant me procedura të pashpjeguara dhe PD hesht. Kjo nuk është harresë. Kjo është zgjedhje.

Ndërkohë, në KED kanë nisur proceset e zëvendësimit të znj. Bejtja. Mandati i saj po mbaron. Largimi nga Gjykata Kushtetuese nuk do vonojë. Dhe, rastësi e re, procesi i emërimit të Komisionerit mbahet pezull, i gatshëm, i rezervuar. Mjafton të pritet momenti i duhur: sapo znj. Bejtja të largohet nga Gjykata Kushtetuese, rruga drejt komisionit është e lirë, kandidatura e pastër dhe procesi i mbyllur me sukses.

Operacioni ka precedentin e vet. Holta Zaçe, kryetare e Gjykatës Kushtetuese, shërbeu me besnikëri, mbajti qëndrimet e duhura — edhe pro Ramës, edhe pro Berishës në gjyqet kushtetuese — dhe u shpërblye me postin e zëvendësguvernatorit të Bankës së Shqipërisë. Asnjë zë nga opozita e Berishës. Asnjë protestë. Nëse znj. Bejtja ka mbajtur të njëjtat qëndrime, dhe votimi i saj i 15 nëntorit e konfirmon, nuk vlen më pak se znj. Zaçe. Edhe ajo kërkon shpërblimin e shërbimit.

Spekulim? Ndoshta. Por kori Rama-Berisha ka një melodi shumë të njohur, dhe komisioni i Tabakut e Bardhit di ta dëgjojë mirë, madje edhe ta intonojë kur duhet.

Video

Biznesmeni Arbër Abazi, lidhje familjare e ministres Belinda Balluku, është paraqitur në SPAK pas kontrolleve të zhvilluara në bizneset e tij. Kompania “Alko Impex” e Abazit ka fituar tendera pranë Ministrisë se Infrastrukturës kur drejtohej nga Balluku, procedura që dyshohen të paracaktuara. Kompania në fjalë ka qenë një nga përfitueset e mëdha të tenderave publikë në të gjithë institucionet e vendit.

Mereme Sela prezanton ambicien e saj për të rivalizuar Sali Berishën si e vetmja kandidate në garën për kryetar të PD.

Kur i vë vulën rivales së Sali Berishës.

Në GJKKO vijon procesi për dosjen “Partizani”, ku i pandehur kryesor është ish-kryeministri Sali Berisha. Në seancën e sotme pritet të dëshmojë kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, i cili është edhe kallëzues në këtë çështje. Në hyrje të gjykatës, Balla deklaroi se “sot është një ditë e madhe për drejtësinë”. Berisha akuzohet për korrupsion të kryer në bashkëpunim me dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi, ndërsa në këtë dosje janë të pandehur edhe disa persona të tjerë.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme