Politika 2 September 2025, 22:25 Nga VNA

Kryetarja e KLP flet për sherrin me prokurorin Sokol Stojani

Ndaje në Whatsapp
Kryetarja e KLP flet për sherrin me prokurorin Sokol Stojani

Këshilli i Lartë i Prokurorisë u përfshi nga debatet gjatë mbledhjes plenare të së hënës në lidhje me mënyrën se si do të shpenzohej buxheti i vitit 2026, por edhe për pakënaqësi që lidhen me drejtimin.

Duke marrë shkas nga vendimi i kryetares së KLP, Mirela Bogdani për të mos përfshirë në buxhet shlyerjen e detyrimeve që rrjedhin nga një vendim gjyqësor i formës së prerë, prokurori Sokol Stojani kritikoi ashpër mënyrën se si Bogdani po e drejtonte Këshillin dhe prioritetet e vendosura prej saj.

Stojani e akuzoi Bogdanin se kishte ushtruar presion ndaj shefes së Financës për të penguar zbatimin e vendimit të Gjykatës për dëmshpërblimin e ish-sekretares së Përgjithshme. Ai tha gjithashtu se një email i tij kishte mbetur pa përgjigje, ndërsa i ishte bërë me dije se prioritet do të ishin pagat dhe organizimi i disa trajnimeve.

“O Zot! Garantimi i pagave nuk është diskutuar as në ’97-ën! As në ’97-ën! Ky është vizioni,” pyeti Stojani në diskutimin e dokumentuar me audio në faqen e KLP-së.

“Pastaj thotë se do bëjmë parashikime për 15 ‘retreat’-e…, 15? Çfarë jemi ne, agjenci udhëtimi? Si do kthehet kjo, në KLP Travel?”, shtoi ai.

Sipas tij, planifikimi i buxhetit është problem i Këshillit dhe se ka pasur veprime nga kryetarët për të penguar e sfiduar Këshillin. Sipas tij, Bodani nuk arrin të perceptojë gjëra elementare. “Detyra duhet të bëhet në bazë të ligjit”, tha Stojani.

Kryetarja e KLP, Mirela Bogdani nuk replikoi me Stojanin për çështjet që ai ngriti.

E pyetur nga BIRN për akuzat, Bogdani tha se Këshilli ka kultivuar tashmë praktikën e diskutimit mes anëtarëve dhe ndarjen e shqetësimeve dhe mendimeve për çdo çështje.

“Diskutimet e reflektuara në media janë pjesë e debateve dhe optikës së gjithsecilit prej anëtarëve, i cili duhet të jetë brenda rregullave të një komunikimi etik dhe profesional. Secili është i lirë të komentojë çdo detaj të buxhetit dhe të votojë pro ose kundër,” tha Bogdani përmes një mesazhi në aplikacionin Whatsapp.

Bogdani sqaroi se takimet e punës [retreat] ishin propozuar për të trajnuar stafin dhe për të zhvilluar procese diskutimi për një listë të gjatë të rregulloreve që i kanë detyrim ligjor, në kuadrin e proceseve integruese në Bashkimin Evropian. Sipas saj, këto takime janë menduar edhe si forume shkëmbimi përvojash me drejtuesit e prokurorive apo edhe prokurorë të tjerë në sistem për çështje të vlerësimit etiko-profesional, komunikimin me median dhe publikun, etikën etj.

“KLP është institucion relativisht i ri dhe stafi apo anëtarët do duhet të marrin pjesë në aktivitete profesionale qoftë edhe me institucione homologe. Deri tani, një pjesë e aktiviteteve janë mbuluar financiarisht nga projekti i BE EU4Justice ose donatorë të tjerë, por në momentin që ata mbarojnë angazhimin e tyre ne do të duhet t’i organizojmë vetë këto aktivitete dhe kjo fillon me parashikimin në buxhet, sipas VKM që specifikon kuotat e dietave të cilat si mund të jeni në dijeni janë minimale dhe të paindeksuara me çmimet e tregut”, tha Bogdani, ndërsa shtoi se bëhet fjalë për parashikime që do të duhet të miratohen nga Ministria e Financave dhe Kuvendi.

Për akuzat e ngritura nga Stojani për ndikim në zyrën e financës, Bogdani theksoi se bëhet fjalë për diskutime me ta dhe kërkesën e saj të përsëritur për të përllogaritur në mënyrë të saktë detyrimin për pagimin e pagës dhe sigurimeve shoqërore për ish-sekretaren e përgjithshme, e cila sipas vendimit të Gjykatës së Apelit, do duhet t’i paguhet paga deri në kthimin e saj në punë.

“Në tërësinë e saj, seanca kishte karakteristikat tipike të diskutimeve të një organi kolegjial, ku debatet dhe mendimet e ndryshme janë të pritshme. Qëndrimi im, në cilësinë e titullarit të institucionit, mbetet respektimi i ligjit dhe integritetit profesional në ushtrimin e detyrës me përkushtim nga çdo punonjës, në çdo nivel, për të kërkuar më pas te njëjtën qasje edhe nga të tretët”, përfundoi Bogdani./BIRN

 

Video

Pas përfundimit të protestës para Kryeministrisë, qytetarët kanë nisur marshimin në rrugët kryesore të Tiranës.

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky zhvilloi takimin e tij të parë me kryeministrin e ri të Britanisë së Madhe në bordin e aeroplanmbajtëses HMS Queen Elizabeth, në bazën detare të Portsmouthit. Gjatë bisedës, kryeministri britanik rikonfirmoi mbështetjen për Ukrainën, ndërsa Zelensky ftoi kryeministrin të vizitojë vendin e tij.

Të paktën dy persona humbën jetën pasi një automjet u godit nga një sulm ajror në Deir al-Balah, në qendër të Rripit të Gazës. Sipas raportimeve, sulmi u krye nga forcat izraelite, ndërsa viktimat ishin dy zyrtarë të sigurisë së Hamasit. Ushtria izraelite konfirmoi se kishte në shënjestër një militant të Hamasit.

Një vizitor i pazakontë shkaktoi panik dhe habi në një aeroport të Nju Jorkut, pasi një rakun ra papritur nga tavani i terminalit mbi udhëtarët. Ende mbetet mister se si kafsha përfundoi mbi tavan dhe çfarë po bënte aty. Pas “uljes së detyruar”, rakuni u largua me shpejtësi, duke lënë pas pasagjerë të trembur dhe një episod sa të pazakontë, aq edhe komik. Pamjet janë regjistruar në nëntor 2024, por së fundmi janë bërë virale në rrjetet sociale.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme