
Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Qani Xhafa, ka hedhur poshtë deklaratën e kreu të PD, Sali Berisha, i cili tha se takimi i Salianjit në Elbasan ishte sponsorizuar nga krimi dhe se pjesëmarrësit ishin detyruar të merrnin pjesë nga krimineli, Suel Çela.
Xhafa ka mohuar kategorikisht këto akuza, duke theksuar se as ai dhe as anëtarët e Partisë Demokratike të Degës Elbasan nuk janë nënshtruar ndonjë presioni për të marrë pjesë në aktivitet. Përkundrazi, ish-deputeti ka treguar se shumë demokratë ishin të pakënaqur për mungesën e informacionit lidhur me zhvillimin e takimit dhe kishin kërkuar llogari pse nuk ishin ftuar.
Në reagimin e tij, Xhafa sqaron se ishte pjesëmarrës në takim si demokrat që nga viti 2005 dhe se vendimi për të marrë pjesë ishte i lirë dhe i ndërgjegjshëm. Ai theksoi se qëllimi i tij ishte të kontribuonte për ringritjen e aktivitetit të Partisë Demokratike, e cila, sipas tij, pas zgjedhjeve të 11 majit 2025 ndodhet në një gjendje “letargjike”.
Xhafa gjithashtu iu drejtua Berishës duke i kërkuar fakte konkrete nëse pretendimet e tij për lidhjen e takimit me Suel Çelën janë të vërteta, duke shtuar se në rast të kundërt duhet të lejohet pjesëmarrja e të rinjve për të ndërtuar të ardhmen e PD-së. Ai bëri të ditur se në takim u diskutua edhe për protestën e 22 dhjetorit dhe rëndësinë e mobilizimit të demokratëve për të sfiduar qeverinë e aktuale.
Reagimi i plotë:
Sqarim për opinionin publik në lidhje me takimin e z.Ervin Salianji në Elbasan datë 16 Dhjetor ora 18 00!
Të nderuar demokratë, anëtarë, simpatizantë të PD dhe mbarë opinionit publik, ju bëj me dije se dje pjesë e takimit me demokratët e Qarkut të Elbasanit isha dhe unë si një demokrat që nga viti 2005 ku kemi ndarë me ta të mirat dhe të këqijat e kësaj force politike!
Unë nuk jam detyruar nga askush që të marr pjesë në këtë takim por e pashë të arsyeshme se PD prej disa muajsh pas zgjedhjeve të 11 Majit 2025 ra në një gjumë letargjik që po e dëmtonte akoma më shumë!
Po kështu më gjeni një person anëtar partie, simpatizant apo çfardo, që ishte apo jo në takim, të prononcohet që ka qenë i detyruar nga dikush të marr pjesë, madje të brohorasë!
Ju bëj me dije se më janë zemëruar shumë demokratë që pse sna njoftove por koha ishte shumë e shkurtër vetëm dy ditë dhe e lamë në rrjedhë të lirë pjesmarrjen dhe për mendimin tim ishte takim shumë i mirë pasi kishte dhe shumë demokratë të rinj në forume drejtuese që janë e ardhmja e PD!
Për vetë profesionin që kam si Ing. mekanik i them Dr.Berishës nëse më bind me fakte që ai takim është bërë nga Suel Çela jam unë i pari që tërhiqem nëse është e kundërta duhet që të rinjtë të ecin përpara për të mundur regjimin e Edi Ramës!
Në atë takim u fol ndër të tjera edhe për protestën e 22 Dhjetorit që të jetë sa më e fuqishme për rrëzimin e kësaj qeverie!
Ju lutem të dëgjojmë zërin e çdokujt për të mirën e PDSH dhe për të mirën e Shqipërisë!
Me shumë respekt dhe mirënjohje Qani Xhafa!






















