Politika 19 Tetor 2025, 09:59 Nga VNA

Ilir Beqaj kritika Kuvendit nga paraburgimi: Sistemi i drejtësisë ka dështuar, Kuvendi nuk mbikqyr punën e tyre

Ndaje në Whatsapp
Ilir Beqaj kritika Kuvendit nga paraburgimi: Sistemi i drejtësisë ka

Ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj që mbahet në paraburgimin e Durrësit i bën leter të hapur Kuvendit duke pretenduar shkelje të drejtave gjatë hetimit, gjykimit dhe mbajtjes në izolim.

Nga paraburgimi i Durrësit, ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj shprehet se i janë shkelur të drejtat gjatë hetimit, procesit gjyqësor dhe mbajtjes në izolim. Përmes avokatit të tij, Beqaj shqetësohet për funksionimin e institucioneve të drejtësisë dhe rolin pasiv të Kuvendit.

Beqaj akuzon Kuvendin se ka dështuar për dy vite radhazi në mbikëqyrjen efektive të institucioneve të pavarura si KLGJ, KLP, ILD, Prokuroria e Posaçme, etj. Sipas tij, mungesa e pyetjeve konkrete dhe e kërkesës për llogaridhënie ka lejuar që praktikat e paligjshme të bëhen rregull.

Letra e plotë:

Në cilësinë e mbrojtësit ligjor të zotit Ilir Beqaj dhe me kërkesë të tij, po bëj publikimin në vijim:

Letër e hapur

Kuvendi që (s’)pyet çfarë dhe si duhet?

(Pse dështuan raportimet vjetore të institucioneve të “pavarura” të drejtësisë në Kuvendin e Shqipërisë)

Të nderuar zonja dhe zotërinj deputetë,

Prej muajsh jam në një regjim të kufizuar. Kjo më ka dhënë më shumë kohë të lirë se zakonisht dhe televizori është bërë dritarja ime e vetme me botën e lirë. Për të dytin vit rresht, kam ndjekur me vëmendje transmetimet live të raportimeve vjetore në Kuvendin e Shqipërisë të institucioneve të pavarura të drejtësisë.

Kur kam qenë vetë në atë sallë, nuk i kam kushtuar ndonjë interes të veçantë këtyre raportimeve. Më shumë më kanë tërhequr ato të ERRE, AKEP, ERRU, Bankës së Shqipërisë apo Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare. Por sot, me distancë dhe përvojë konkrete me sistemin e drejtësisë, më është bërë e qartë se Kuvendi i Shqipërisë ka dështuar për dy vite rresht me raportimet e institucioneve të pavarura si KLGJ, KLP, ILD, etj.

Drejtuesit e këtyre institucioneve iu shmangën përgjigjeve për pyetjet konkrete, sepse janë të pavarur. Dhe, në një farë mënyre, kanë të drejtë. Aq më tepër kur vetë ata që u kanë dhënë me votë pavarësinë, nuk mund të jenë ata që ua cenojnë.

Ka edhe deputetë që fshihen pas të njëjtit justifikim: “janë institucione të pavarura, nuk duhen ngacmuar.”

Por pavarësia nuk do të thotë mungesë llogaridhënieje. Nëse ligji ua ka dhënë këtë pavarësi, Kuvendi ka detyrimin ligjor dhe moral të verifikojë si po ushtrohet ajo pavarësi.

Nuk jam jurist, por përvoja në jetën publike dhe përballja e viteve të fundit me drejtësinë më kanë ndihmuar të përpiloj një listë pyetjesh joshteruese, por thelbësore, që Kuvendi dështoi t’i bëjë.

I. Pyetje të përgjithshme dhe institucionale

1. Si është e mundur që nuk u trajtua fare çështja e përgjimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese? A u hetua kush e urdhëroi, si u krye dhe a u respektuan garancitë ligjore? Pavarësia e gjyqtarëve kushtetues nuk mbron vetëm disa individë, por mbron baraspeshën e gjithë sistemit.

2. Si është e mundur që Apeli i GJKKO-së nuk zbaton vendimet e Gjykatës Kushtetuese? Kur Kushtetuta thotë se vendimet e saj janë “të detyrueshme për zbatim të menjëhershëm”, kush mban përgjegjësi për moszbatimin e tyre?

3. Si është e mundur që prej gjashtë vitesh KLGJ nuk ka emëruar asnjë kryetar gjykate, por të gjitha janë me drejtues të komanduar? Komandimi i përhershëm është kontradiktë. Pa drejtues të qëndrueshëm, s’ka as vizion, as llogaridhënie.

4. Si është e mundur që kolegje të ndryshme penale të Gjykatës së Lartë japin vendime të kundërta për të njëjtën çështje juridike dhe Gjykata nuk nxiton të nxjerrë vendim njësues? Kur praktika përçahet, drejtësia bëhet lotari.

5. Si është e mundur që pas gjashtë vitesh funksionimi, Prokuroria e Posaçme ende nuk ka kuptuar qartë kush është “funksionar i lartë” sipas Kushtetutës dhe Kodit të Procedurës Penale? Sa vendime të Gjykatës së Posaçme janë rrëzuar pikërisht sepse akuzat janë ngritur ndaj personash që nuk hynin në kategorinë e funksionarëve të lartë? Pavarësisht kompetencës materiale, kompetenca personale nuk mund të shpiket për raportim statistikor.

6. Si është e mundur që pragu financiar për të kualifikuar një vepër penale si “me pasoja të rënda” ende mbështetet në një vendim njësues të Gjykatës së Lartë të vitit 2003? Në një vend ku çmimet, kostot dhe pagat janë rritur disa herë, drejtësia vazhdon të gjykojë me “vlerën e parasë” së para 22 viteve. Sa është rritur ndërkohë paga vjetore e vetë prokurorëve që zbatojnë ende atë prag? Nëse ligji nuk ecën me kohën, drejtësia ngelet në muze.

7. Sipas nenit 222 të Kodit të Procedurës Penale, përgjimet lejohen me vendim gjykate për një periudhë 15-ditore dhe mund të zgjaten vetëm me një vendim tjetër, po aq të arsyetuar. Por kur pas disa 15-ditësh radhazi përgjimet nuk evidentojnë asgjë të dyshimtë, pse gjykata miraton këmbënguljen e verbër të prokurorisë për t’i vazhduar? Ligji kërkon “arsyetim të posaçëm”, jo “miratim rutinë”. Përndryshe, kontrolli gjyqësor humbet kuptimin dhe përjashtimi kthehet në normë.

8. Pse është shndërruar përjashtimi i nenit 223/3 të K.Pr.P. (shtyrja e depozitimit të proceseve të përgjimit) në rregull të përgjithshëm? Në çdo kërkesë të parë kërkohet që procesverbalet të mos depozitohen për pesë ditë, por “deri në fund të hetimeve”. Përjashtimi nuk është më përjashtim, por është kthyer në praktikë të qëndrueshme, duke hequr çdo kontroll real të gjykatës.

9. Si është e mundur që afati 15-ditor i përcaktuar në nenin 110 të Kodit të Procedurës Penale për t’u shprehur me vendim mbi kërkesat e mbrojtjes shkelet haptazi nga prokuroritë, pa asnjë pasojë? Kur vetë organi që kërkon zbatimin rigoroz të ligjit e shkel atë me heshtje procedurale, çdo garanci bëhet formale. Ligji nuk është “orientues”. Është detyrim.

10. Si është e mundur që tarifa për një faqe fotokopje në Prokurorinë e Posaçme të jetë 6.6 lekë për qytetarin, ndërsa vetëm 2.2 lekë për gjykatën? Në një sistem drejtësie që predikon barazi para ligjit, si justifikohet që vetë shteti paguan tri herë më pak se pala që mbron veten? Tarifa me përkufizim duhet të mbulojë kostot. Pak rëndësi ka kush e kërkon shërbimin.

II. Pyetje teknike dhe procedurale

11. Si është e mundur që prokuroritë anashkalojnë jurisprudencën e detyrueshme për provat digjitale? Po përmend disa prej tyre: Vendimi njësues i Gjykatës së Lartë nr. 147, datë 23.12.2021, “Lapsi.al

”; Vendimi i Gjykatës Kushtetuese nr. 21, datë 24.04.2025, “E.Q.”; Vendimi i Gjykatës Kushtetuese, korrik 2025, “O.Y.”. Këto nuk janë opinione, por standarde të detyrueshme.

12. Si është e mundur që prokuroritë i kërkojnë të dhëna personale kompanive celulare pa vendim gjykate, në kundërshtim me nenet 208/a dhe 209 të Kodit të Procedurës Penale? Privatësia nuk mund të shkelet me “letër kërkese”.

13. Si është e mundur që kërkohen të dhëna për korrespondencën postare pa vendim gjykate, në kundërshtim me nenin 209 të K.Pr.P.? Posta nuk është kuti e hapur për çdo prokuror të zellshëm.

14. Si është e mundur që prokuroritë kërkojnë të dhëna për korrespondencën elektronike nga AKSHI pa vendim gjykate (nenet 208/a dhe 209 K.Pr.P.)? Shteti nuk mund t’i kërkojë një institucioni shtetëror të shkelë të njëjtin ligj që duhet të zbatojë.

15. Si është e mundur që kërkesat për sekuestrim sendesh formulohen në mënyrë të përgjithshme: “pajisje elektronike si kompjuterë, laptopë, hard disqe, USB, servera, aparate telefoni, pavarësisht kujt i përkasin”, dhe gjykatat i miratojnë pa asnjë kufizim? Këto janë “cartabianca” që bien ndesh me nenin 207 të K.Pr.P., i cili kërkon përcaktim konkret të sendeve që mund të sekuestrohen.

16. Kur do të ndalojnë prokuroritë dhe gjykatat së shkeluri haptazi Konventën e Budapestit, të ratifikuar me ligjin nr. 8888/2002? Standardet ekzistojnë, thjesht mungon vullneti për t’i zbatuar.

17. Kur do të pajisen laboratorët e kriminalistikës me standardet ISO që kërkojnë udhëzuesit e Këshillit të Evropës dhe të GJEDNJ-së për provat elektronike? Të paktën ISO/IEC 27037 dhe ISO/IEC 27042 janë parakusht për çdo hetim të besueshëm digjital.

18. Kur do të ndalojnë laboratorët së përdoruri algoritme hash të papranueshme si SHA-1 apo MD5? Mjafton një kërkim i thjeshtë në “Google” për të mësuar se janë të cenueshme. Integriteti i provës digjitale nuk mund të mbrohet me teknologji të viteve 2000. Minimalisht, standardizohet SHA-256/SHA-3, me zinxhir të plotë ruajtjeje.

19. Kur do të akreditohen laboratorët tanë të kriminalistikës? Pa akreditim sipas ISO/IEC 17025, çdo raport ekspertize mbetet i diskutueshëm dhe drejtësia s’ka dot siguri mbi provat që përdor.

Kjo listë, sigurisht, nuk është e plotë. Por edhe kaq mjafton për të treguar se Kuvendi nuk mund të mjaftohet me dëgjime formale. Duhet të thërrasë jo vetëm KLGJ, KLP e ILD, por edhe Dhomën e Avokatisë si palë të interesuar. Të kërkojë përgjigje konkrete, afate dhe masa korrigjuese dhe pastaj të kërkojë llogari në raportimin e ardhshëm.

E di se pas këtij shënimi do të më thonë:

“Shih punën tënde e mos na jep mend.”

“Po e thua tani, se ke hallin tënd.”

“Ti ke qenë vetë aty kur u miratuan ligjet e reformës, s’ke pse ankohesh tani.”

Mund të kenë të drejtë në një pjesë. Por rëndësi nuk ka kush i thotë këto gjëra. Rëndësi ka nëse janë të vërteta dhe kushdo mund të përballet nesër me një sistem që sot e mendon të “largët”.

Kuvendi ka dy zgjedhje: të mbulohet me fjalime, ose të zbulojë me pyetje.

Unë, nga ky regjim i kufizuar, kam zgjedhur pyetjet.

JU???

Me respekt,

Ilir Beqaj

 

Video

Donald Trump u përplas me ambasadorin e Australisë në Shtetet e Bashkuara, Kevin Rudd, gjatë një deklarate me gazetarët që mbulonin vizitën e kryeministrit australian Tony Albanese në Uashington. Gjatë konferencës, një gazetar australian e pyeti presidentin amerikan nëse kishte ndonjë shqetësim në lidhje me qeverinë australiane — veçanërisht për shkak të komenteve kritike që Rudd kishte bërë në të kaluarën për të, kohë kur ai shërbente si kryeministër. Trump reagoi menjëherë duke thënë: “As mua nuk më pëlqen, dhe ndoshta nuk do të më pëlqesh kurrë.” Komentet kritike të Rudd ndaj Trump datojnë në vitin 2020, kur ai e kishte cilësuar atë në rrjetet sociale si “presidentin më shkatërrues në histori”. Postimi u fshi më vonë, por duket se nuk është harruar nga presidenti amerikan.

Një tornado e fuqishme ka goditur rajonin Val d’Oise, në veri të Parisit, ku një person ka humbur jetën dhe disa të tjerë janë plagosur. Pamje të publikuara në rrjetet sociale tregojnë momentin kur dy vinça gjigantë rrëzohen nga forca e erës, ndërsa dëmet materiale në zonat e prekura janë të konsiderueshme. Tornado e rrallë për këtë rajon ka shkaktuar panik në disa zona të periferisë së Parisit, ndërsa ekipet e emergjencës janë në terren për të ndihmuar të prekurit dhe për të vlerësuar shkallën e dëmeve. Autoritetet u kanë bërë thirrje banorëve të qëndrojnë të sigurt dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme derisa situata të stabilizohet.

Një granatë dore e periudhë së Luftës ka shpërthyer sot në fshatin Gështenjas të Pogradecit, duke plagosur një 49-vjeçar. Gentian Yzellari po punonte në oborrin e banesës së tij kur gjatë punës me një mjet bujqësor ka aktivizuar aksidentalisht një granatë dore që ndodhej nën tokë. Si pasojë e shpërthimit, ai ka pësuar dëmtime në trup dhe në fytyrë. Yzellari po merr trajtim mjekësor në Spitalin e Pogradecit dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërkohë që po shqyrtohet mundësia e transportimit të tij drejt Tiranës për mjekim më të specializuar.

Një avion i kompanisë Air China u detyrua të bënte një ulje emergjente pasi një bateri brenda në një çantë dore shpërtheu në flakë gjatë fluturimit. Incidenti ndodhi në një linjë ajrore që udhëtonte nga aeroporti i Hangzhou drejt Koresë së Jugut, duke shkaktuar panik mes pasagjerëve. Një pasagjer tha se dëgjoi një shpërthim të fortë disa sekonda para se të shpërthente zjarri në ndarjen e sipërme të bagazheve. Pavarësisht situatës së rrezikshme dhe tymit që mbushi kabinën, asnjë pasagjer nuk u lëndua, ndërsa piloti realizoi një ulje të sigurt emergjente. Kompania tha se po heton shkakun e incidentit dhe do të forcojë kontrollet për pajisjet elektronike në bord.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme