Politika 4 Shkurt 2026, 09:24 Nga VNA

Hija e Ramës mbi Kushtetuese: Pesë gjyqtarët pa busull që mbajnë peng vendimin për dosjen Balluku

Ndaje në Whatsapp
Hija e Ramës mbi Kushtetuese: Pesë gjyqtarët pa busull që

Gjykata Kushtetuese nuk arriti as dje të merrte një vendim për çështjen Balluku. Edhe pse gjyqtarët u mblodhën në dhomën e këshillimit, ata sërish dolën pa vendim, duke ngritur hije të forta dyshimi se disa prej tyre janë të paqartë (në rastin më të mirë) për një çështje që ka ngjallur interes politik, ndërkombëtar dhe publik.

Ndërsa në lojë duket se është “fati” i zëvendëskryeministres Belinda Balluku, pakkush arrin të shohë se e panjohura e vërtetë në këtë ekuacion është zyra e kryeministrit të Shqipërisë. Në Gjykatën Kushtetuese mund të jetë në pikëpyetje fati i Ballukut, por vendimi i pritshëm mund të shuajë përgjithmonë yllin politik të Edi Ramës. Yll që pas çdo krize ka arritur të ndriçojë pikërisht nga dinamika të tilla.

Këtë herë, ylli i tij është në duart e tetë gjyqtarëve kushtetues, të cilët po përpëliten për të dhënë një vendim që duket se e dinë se si duhet të jetë, por druajnë ta hedhin në letër. Nëse ky hezitim vjen nga presioni i shtuar i Edi Ramës apo nga ndërkombëtarët që i kanë takuar dhe dërguar mesazhe anëtarëve të kësaj gjykate së fundmi, kjo nuk dihet me siguri.

Ajo që dihet qartë është se të paktën tre anëtarë të kësaj gjykate kanë qenë të gatshëm për të marrë vendim që dje. VNA mësoi se Asim Vokshi, Marsida Xhaferllari dhe Ilir Toska kanë këmbëngulur në mbledhjen e djeshme që të tetë gjyqtarët të shprehen më në fund për kërkesën e kryeministrit Edi Rama.

Të paqartët — ku përfshihen kryetarja e sapozgjedhur e gjykatës Fiona Papajorgji, Sonila Bejtja (me mandat të përfunduar), për të cilën Edi Rama po “ngroh” karrigen e Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Sander Beci i afërt me Partinë Socialiste, Marjana Semini dhe Gent Ibrahimi, i cili mezi pret të largohet nga mbledhjet — janë pesë anëtarët që po përpëliten dukshëm dhe nuk dinë kujt t’ia prishin e kujt t’ia ndreqin.

Me gjasë, partia-mëmë dhe kryeministri i kanë vendosur në një darë të fortë presioni, mes “shkopit dhe karrotës”. Por njëkohësisht, sytë e vëzhguesve ndërkombëtarë janë po aq të rëndësishëm për të ardhmen e karrigeve të tyre.

Për më tepër, kryetarja e re e kësaj gjykate, zonja Papajorgji, e ka kthyer këtë çështje në një kaos juridik dhe komunikativ duke u larguar nga procedura e rregullt, transparenca dhe njoftimi i mbledhjeve për median dhe qytetarët. Prej ditësh gazetarë presin pranë dyerve të Gjykatës Kushtetuese ku mbledhjet vijojnë dhe nuk ka asnjë njoftim zyrtar për temën apo kur pritet të ketë një vendim për një nga çështjet me interesin më të madh për publikun. 

Qartësisht pa busull, pesë anëtarë të Gjykatës Kushtetuese duket se kanë humbur orientimin, me shpresën se duke fituar kohë ndoshta do të gjejnë një zgjidhje që kënaq të gjitha palët. Por kjo për fatin e tyre të keq është e praktikisht e pamundur: sido ta orientojnë busullën politike, vendimi do të lërë një palë të pakënaqur. Kjo për pjesën politike të çështjes. 

Sa për gjeografinë, mirë është që 5 anëtarët pa busull ta kuptojnë se sido ta rrotullosh busullën, godina e Kryeministrisë ndodhet në lindje të Tiranës. Ndërsa drejt perëndimit janë vendosur godina të tjera që presin me vëmendje këtë vendin. E ndoshta u vinë ndërmend fjalët e Edi Ramës kur e konsideron perëndimin si busullën orientuese për Shqipërinë dhe të ardhmen e saj.

Video

Kosova do të shkojë sërish në zgjedhje të parakohshme brenda 45 ditësh, pasi Kuvendi dështoi të zgjedhë presidentin e ri të Republikës. Seancat e njëpasnjëshme kanë dështuar për shkak të mungesës së kuorumit, pasi opozita nuk ka marrë pjesë në votim. Në sallë kanë qenë vetëm deputetët e shumicës parlamentare, ndërsa LDK, PDK, AAK dhe Lista Serbe kanë bojkotuar procesin.

Një breshkë e llojit Caretta caretta është gjetur e ngordhur në bregdet, me dëmtime të rënda në pjesën e kokës. Dyshohet se ajo është goditur nga helikat e një anijeje, duke pësuar plagë serioze që i kanë shkaktuar ngordhjen. Breshka është konstatuar nga qytetarë që ndodheshin pranë bregut të detit.

Në Libanin jugor, dronët-bombë të Hezbollah po krijojnë probleme serioze për ushtrinë izraelite. Pamjet tregojnë një sulm ndaj një helikopteri Blackhawk që kishte shkuar për të marrë të plagosurit nga një pritë me dronë, ku një ushtar u vra dhe gjashtë të tjerë u plagosën. Teksa helikopteri po ulej, dy dronë u afruan dhe shpërthyen pranë tij, ndërsa ushtarët izraelitë hapën zjarr për t’i rrëzuar. Hezbollah thuhet se po shton përdorimin e këtyre dronëve, ndaj të cilëve Izraeli ende nuk ka kundërmasa efektive.

Një problem i vogël për Laura Pausini gjatë koncertit live në Quito, në Ecuador. Popstarja ndërpreu koncertin dhe kërkoi t’i sillnin oksigjen. Një pengesë e vogël, me shumë gjasa e lidhur me lartësinë e qytetit (rreth 2800 metra mbi nivelin e detit), e cila mund të shkaktojë probleme të tilla, sidomos kur je i ekspozuar ndaj një stresi fizik si ai i një koncerti live. Këngëtarja e mori situatën me humor dhe, me maskën e oksigjenit në gojë, iu drejtua publikut duke pyetur: “A mund të flitet kur e mban këtë, apo është më mirë jo?”

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme