Politika 31 Korrik 2025, 19:00 Nga VNA

Gjykata Kushtetuese rrëzon kërkesën për shfuqizimin e ligjit për zonat e mbrojtura

Ndaje në Whatsapp
Gjykata Kushtetuese rrëzon kërkesën për shfuqizimin e ligjit

Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar kërkesën e një grupi deputetësh për shfuqizimin e ligjit nr. 21/2024, që sjell ndryshime në ligjin për zonat e mbrojtura. Deputetët pretendonin se ligji cenon parime kushtetuese dhe detyrime ndërkombëtare për mbrojtjen e mjedisit.

Por Gjykata, pas shqyrtimit të çështjes, vendosi me shumicë votash se ligji nuk shkel Kushtetutën dhe se nuk sjell pasoja konkrete për mjedisin, duke qenë një ligj kuadër që kërkon akte të tjera zbatuese. Për pasojë, kërkesa u rrëzua.

NJOFTIM VENDIMMARRJEJE

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë (Gjykata) në datat 23.06.2025 dhe 01.07.2025 shqyrtoi në seancë publike çështjen me kërkues jo më pak se një e pesta e deputetëve të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, me objekt: “Shfuqizimi i ligjit nr. 21/2024 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 81/2017 “Për Zonat e Mbrojtura”, si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe marrëveshjet ndërkombëtare. Pezullimi i zbatimit të ligjit nr. 21/2024 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 81/2017 “Për Zonat e Mbrojtura”, derisa Gjykata Kushtetuese të shprehet me vendim përfundimtar për themelin e çështjes”.

Gjykata Kushtetuese u mblodh në datën 31.07.2025 dhe pasi mori në shqyrtim pretendimet e palëve vlerësoi sa më poshtë.

Gjykata, gjatë shqyrtimit të kritereve paraprake, vlerësoi, njëzëri, se pretendimet për lirinë e kërkimit shkencor dhe të sigurisë juridike në lidhje me komunitetin, janë pretendime të reja, të paraqitura pas çeljes së shqyrtimit gjyqësor, për rrjedhojë ato nuk mund të merren në shqyrtim. Kurse për sa u përket pretendimeve për cenimin e parimit të barazisë përpara ligjit, parimeve të shtetit të së drejtës dhe të hierarkisë së akteve normative, Gjykata vlerësoi, njëzëri, se kërkuesi nuk ka sjellë argumente kushtetuese në mbështetje të tyre.

Për sa i përket pretendimit për papajtueshmërinë e ligjit me MSA-në dhe cenimin e acquies communitarire, qëndrimet e gjyqtarëve u ndanë, për rrjedhojë, për sa kohë nuk u arrit numri i kërkuar prej 5 gjyqtarësh për vendimmarrje, bazuar në nenin 73, pika 4, të ligjit nr. 8577/2000, ky pretendim konsiderohet i rrëzuar.

Konkretisht, sipas njërit qëndrim, MSA-ja është një marrëveshje ndërkombëtare që synon një proces për t’u ndërmarrë nga shteti shqiptar, që i përcakton direktivat si bazë dhe referencë për përafrim të legjislacionit, por pa i bërë ato instrumente me forcë detyruese dhe pjesë të së drejtës së brendshme në kuptimin kushtetues dhe për këtë shkak kontrolli kushtetues, sipas nenit 122 të Kushtetutës, shtrihet vetëm për pajtueshmërinë e ligjit objekt shqyrtimi me nenin 108 të MSA-së.

Sipas qëndrimit tjetër, neni 108 i MSA-së nuk mund të shihet i shkëputur nga acquis communautaire pasi ndryshe do të mbetej pa substancë. Ndaj, në rastet kur kërkohet kontrolli i pajtueshmërisë së ligjit me MSA-në, neni 108 përfshin në përmbajtjen e tij edhe acquies communautarire, për rrjedhojë kontrolli duhet bërë duke konsideruar edhe përmbajtjen e direktivave në fjalë. 

Gjykata vendosi të shqyrtojë në themel pretendimet që lidhen me procedurën parlamentare (që kanë të bëjnë me raportin shoqërues të projektligjit dhe konsultimin publik), sipas neneve 82 dhe 56 të Kushtetutës, dhe pretendimet që lidhen me përmbajtjen e ligjit në drejtim të pajtueshmërisë me marrëveshjet ndërkombëtare të detyrueshme për zbatim dhe respektimit të identitetit kombëtar e trashëgimisë natyrore, sipas nenit 122 dhe Preambulës së Kushtetutës.

Për pretendimin për cenimin e nenit 82 të Kushtetutës në lidhje me raportin shoqërues të projektligjit që përligj shpenzimet financiare për zbatimin e tij, qëndrimet e gjyqtarëve u ndanë në dy drejtime, për rrjedhojë nuk u arrit numri i kërkuar prej 5 gjyqtarësh për vendimmarrje, bazuar në nenin 73, pika 4, të ligjit nr. 8577/2000. Në këto kushte ky pretendim u rrëzua.

Konkretisht, sipas njërit qëndrim, u vlerësua se, në mënyrën sesi është formuluar ligji i kundërshtuar në lidhje me krijimin e Zyrave të Administrimit të Parqeve Kombëtare, duket se ai nuk sjell shpenzime financiare dhe për këtë qëllim llogaritja e tyre ishte pamundur të bëhej. Në verifikim të normës kushtetuese, nenit 82, pika 1, të Kushtetutës, duket se qëllimi i kushtetutëbërësit nuk është verifikimi i masës së shpenzimeve, pra llogaritja e tyre, por përligjja e tyre. Në këtë kuptim, për sa kohë që shpenzimet në këtë ligj janë të përligjura, për shkak të angazhimeve që ka marrë shteti shqiptar në kuadrin konventor të pasqyruar edhe në ligjin ekzistues, si edhe në konsideratë që edhe funksionet, në thelb, mbeten të njëjta, nuk duket se ka pasur nevojë për një përligjje të mëtejshme të këtyre shpenzimeve.

Sipas qëndrimit tjetër, u vlerësua se Zyra e Administrimit të Parqeve Kombëtare është një strukturë e re dhe në shtesë të funksioneve shtetërore aktuale i shtohen edhe funksionet e reja që kanë të bëjnë me planet e menaxhimit në përputhje me ndryshimet e reja ligjore që lejojnë veprimtarinë ekonomike, turistike dhe infrastrukturë mbështetëse për to. Efektet financiare rezultojnë jo vetëm nga përmbajtja e ligjit që parashikon krijimin e këtyre zyrave, por konfirmohen edhe nga raporti i Komisionit të Ligjeve që ka pohuar se projektligji sjell efekte financiare. Neni 82, pika 1, i Kushtetutës vendos detyrimin që projektligji të shoqërohet kurdoherë kur është rasti me raportin që përligj shpenzimet financiare për zbatimin e tij, pasi kjo është një çështje që ka të bëjë jo vetëm me financat publike, që merren në mbrojtje shprehimisht nga Kushtetuta, por edhe me faktin se procedura e hartimit, miratimit dhe zbatimit të buxhetit i nënshtrohet procedurave specifike kushtetuese, të cilat karakterizohen edhe nga parimi i transparencës dhe llogaridhënies. Ky detyrim nuk është përmbushur në këtë rast ndaj neni 17 i ligjit nr. 21/2024 dhe dispozitat e tjera që lidhen me të duhen shfuqizuar.

Në lidhje me pretendimin për konsultimin publik, sipas nenit 56 të Kushtetutës, Gjykata, me shumicë votash, vendosi rrëzimin e tij me arsyetimin si më poshtë.

Sipas nenit 56 të Kushtetutës e drejta e konsultimit publik përfshin jo vetëm informimin për gjendjen e mjedisit, por edhe informimin për mbrojtjen e tij. Ky nen, së bashku me nenin 8 të Konventës së Aarhus-it, përcakton detyrimin pozitiv për konsultim publik, i cili shtrihet si për aktet individuale dhe projektet konkrete, ashtu edhe për aktet rregullatore normative me natyrë të përgjithshme në fushën e mjedisit. Gjykata vëren se ligji i kundërshtuar, i cili sjell ndryshime në zonat e mbrojtura, është qartësisht një ligj që ka të bëjë me mjedisin dhe për këtë arsye ai u analizua në këndvështrim të nenit 56 të Kushtetutës dhe nenit 8 të Konventës së Aarhus-it si më sipër.

Edhe pse Konventa e Aarhus-it e ka kufizuar detyrimin për konsultim vetëm për aktet qeveritare dhe procedurat e ndërmarrë nga autoritetet publike ekzekutive dhe jo ndaj atyre legjislative, duke qenë se e drejta për t’u informuar për gjendjen e mjedisit dhe mbrojtjen e tij është një e drejtë kushtetuese, sipas nenit 56 të Kushtetutës, ajo shtrihet ndaj të gjitha organeve, përfshirë Kuvendin. Në këtë kuptim, në rastin në shqyrtim, nisma për ndryshimin e ligjit për zonat e mbrojtura është një nismë e deputetëve dhe pavarësisht faktit se ajo nismë ka pësuar ndryshime, ndër të tjera, bazuar në sugjerimet e Këshillit të Ministrave, ajo mbetet një nismë origjinale e deputetëve. Për këtë shkak, konsultimi publik i bërë nga Kuvendi në lidhje me draftin e paraqitur nga deputetët përmbush detyrimin e përcaktuar nga neni 56 i Kushtetutës dhe nuk cenon nenin 8 të Konventës së Aarhus-it, e cila, për sa më sipër, nuk gjen zbatim për Këshillin e Ministrave në përgatitjen e sugjerimeve të tij për ligjin, për sa kohë kjo nuk ishte një nismë ligjore qeveritare.

Pretendimet për cenimin e identitetit kombëtar dhe trashëgimisë natyrore, të parashikuar në Preambulën e Kushtetutës dhe për respektimin e detyrimeve ndërkombëtare, Gjykata vendosi t`i shqyrtojë ato së bashku në kuptim të nenit 122 të Kushtetutës. Në lidhje me thelbin e këtyre pretendimeve, Gjykata, me shumicë votash, vendosi rrëzimin e tyre, me arsyetimin si më poshtë.

Gjykata vëren se MSA-ja synon bashkëpunimin në luftën kundër degradimit të mjedisit, duke përcaktuar një proces përafrimi legjislativ pa vendosur detyrime konkrete të zbatueshme. Pavarësisht se në dukje ligji objekt kërkese liberalizon politikat shtetërore në administrimin e zonave të mbrojtura, ai, në thelb, përbën një ligj kuadër, i cili nuk është i vetëzbatueshëm dhe në vetvete nuk sjell pasoja dhe, për rrjedhojë, nuk cenon detyrimet ndërkombëtare për mbrojtjen e mjedisit sipas MSA-së.

Gjykata u ndal në mënyrë të posaçme në përputhshmërinë e ligjit objekt shqyrtimi me nenin 108 të MSA-së, i cili parashikon se “Palët do të zhvillojnë dhe forcojnë bashkëpunimin në detyrën shumë të rëndësishme të luftës kundër degradimit mjedisor, me synim promovimin e qëndrueshmërisë mjedisore”. Gjykata vlerësoi se ky nen synon bashkëpunimin në luftën kundër degradimit mjedisor dhe arriti në përfundimin se ligji i kundërshtuar, duke qenë ligj kuadër, edhe pse shton disa elemente të reja të administrimit të zonave të mbrojtura në raport me ligjin ekzistues, nuk duket të sjellë pasoja konkrete të drejtpërdrejta në këtë drejtim. Duke pasur parasysh se për zbatimin e ligjit do të nxirren VKM-të specifike për shpalljen e zonave të mbrojtura, të cilat do të bëjnë përcaktimet e detajuara përkatëse për secilën zonë, vetëm në atë moment mund të verifikohet mospërputhja me detyrimet ndërkombëtare sipas nenit 108 të MSA-së, pra nëse përmbushet detyrimi për mosdegradim mjedisor.

E njëjta analizë vlen edhe për përputhshmërinë e këtij ligji me konventat ndërkombëtare të Rio-së, Bernë-s, Ramsar-it dhe Paris-it, për shkak të mungesës së efekteve dhe pasojave konkrete të ligjit kuadër objekt shqyrtimi.

Në përfundim për arsyet e mësipërme, Gjykata, me shumicë votash, vendosi:

Rrëzimin e kërkesës.

 

 

 

 

Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar dhe nga Rregullorja për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese.

 

 

Video

? Përhapet zjarri në Akërni, nis ndërhyrja nga ajri Një vatër zjarri ka përfshirë pyllin me pisha pranë hidrovorit të fshatit Akërni që prej pasdites së sotme. Situata u përkeqësua dhe po punohet për ta vënë nën kontroll. ? Në operacion janë angazhuar 4 helikopterë nga Baza Ajrore e Kuçovës, së bashku me ekipet në terren. ? Forca Ajrore po monitorojnë zonën, për të identifikuar vatra të reja dhe për të evidentuar raste të mundshme të zjarrëvënies së qëllimshme.

Policia Kufitare Vlorë ndihmon turistët në Sarandë dhe Palasë, mbetën në det te hapur ? Sarandë – Rreth një milje larg Gjirit të Sarandës, kapiteni i një jahti me flamur maltez kërkoi ndihmë pasi mjeti i tij pësoi defekt dhe mori ujë. Pas njoftimit, patrulla e Policisë Kufitare ndërhyri menjëherë duke bërë të mundur shoqërimin e sigurt të kapitenit drejt bregut dhe rimorkimin e jahtit drejt Portit të Limionit. ? Palasë – Në zonën e Shën Andreut, disa turistë që ndodheshin në një mjet lundrues u rrezikuan për shkak të kushteve të vështira të detit. Policia Kufitare reagoi me shpejtësi, duke bërë të mundur shoqërimin e tyre të sigurt në breg si dhe ankorimin e mjetit detar në molin e Palasës.

Një zjarr ka përfshirë pyllin me pisha në zonën e hidrovorit, ne fshatin Akërni , Njësia Administrative Novosele . Nga pamjet e para, tymi i dendur ka mbuluar të gjithë zonën, duke krijuar shqetësim për banorët dhe mjedisin përreth. Në vendngjarje kanë mbërritur forcat zjarrfikëse të Vlorës me 7 punonjës, të cilët po punojnë për izolimin dhe shuarjen e flakëve. Për fat të mirë, pasditja nuk është shoqëruar me erë të fortë, faktor që po ndihmon në frenimin e përhapjes së zjarrit.

Për të denoncuar farsën zgjedhore , Sali Berisha ka paralajmëruar sot se PD do të botojë sërish një libër për vjedhjen e zgjedhjeve. Ky është libri i dytë i zi i zgjedhjeve pas atij të zgjedhjeve lokale të vitit 2023

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme