Politika 17 Tetor 2025, 16:11 Nga VNA

Gjykata e Lartë reagon për audion e publikuar nga mbledhja ku u bë votimi për anëtarin e Kushtetueses

Ndaje në Whatsapp
Gjykata e Lartë reagon për audion e publikuar nga mbledhja ku u

Gjykata e Lartë ka reaguar pas publikimit të audios nga mbledhja ku u bë votimi për zgjedhjen e një anëtari të gjykatës Kushtetuese. Në një njoftim të kësaj gjykate pretendohet se komentet publike kanë deformuar faktet.

Në deklaratën për median, Gjykata e Lartë e cila e cilëson debatin publik “të njëanshëm dhe të pasaktë” thotë se procesi i votimit më 30 shtator është zhvilluar në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe ligjin, duke respektuar fshehtësinë e votës dhe standardet procedurale të pandryshuara.

Në deklaratë, Institucioni sqaron se një fletë u shpall e pavlefshme për shkak të dy shenjave të ndryshme, të cilat, sipas gjykatës, cënonin fshehtësinë e votimit, dhe se në mungesë të shumicës së 3/5, fitues u shpall ipso lege (në kuptim të ligjit) kandidati i parë në listën e KED, Asim Vokshi.

Në të njëjtën deklaratë, Gjykata e Lartë dënon “gjuhën fyese dhe presionin publik”, duke thënë se nuk do të ndikohet nga sulmet apo insinuatat mediatike. 

NJOFTIM PËR MEDIAN:

REAGIM I GJYKATËS SË LARTË

Prej disa ditësh në opinionin publik janë shpërndarë komente, interpretime dhe pretendime të  pavërteta në përmbajtje, të njëanshme në shpjegim dhe të pasakta në interpretimin ligjor e faktik, lidhur me zhvillimin e Mbledhjes së Posaçme të Gjykatës së Lartë më datë 30 shtator 2025 për zgjedhjen e gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese.

Këto deklarime, të shoqëruara me një gjuhë fyese dhe përçmuese, pasqyrojnë një tendencë të rrezikshme në hapësirën publike, ku gjuha e urrejtjes po përpiqet të zëvendësojë argumentin dhe analizën e drejtë të ligjit, duke sjellë pasoja të rënda në punën e gjyqësorit. Ky sulm verbal i pajustifikueshëm dhe i pabazë nuk ka të bëjë me debatin publik apo me kritikën ndaj veprimtarisë institucionale, ai nxitet me synim diskreditimin dhe intimidimin e gjyqësorit, me pasojë uljen e vazhdueshme të besimit të qytetarëve tek institucionet e drejtësisë. Këto janë sulme që nuk i drejtohen vetëm një institucioni, ato synojnë të prekin themelet e shtetit të së drejtës.

Gjykata e Lartë thekson se nuk do të përfshihet në gjuhën e përbaltjes. Ajo nuk ka asgjë për të fshehur apo për t’u justifikuar, pasi çdo veprim i saj ka qenë transparent, i përgjegjshëm dhe në respekt të ligjit. Gjykata e Lartë i përgjigjet zërit të lartë dhe përpjekjeve për presion me peshën e provës, qartësinë e ligjit dhe forcën e së vërtetës. Gjykata e Lartë e refuzon me vendosmëri këtë gjuhë të papërshtatshme dhe thekson se as fyerjet, as insinuatat nuk do të ndikojnë në ushtrimin e pavarur dhe të ndershëm të detyrës prej saj.

Ky reagim i Gjykatës së Lartë vjen jo për replikë ndaj cilitdo që përpiqet të intimidojë apo ushtrojë presion ndaj saj, por për të sqaruar atë pjesë të publikut që, në kakofoninë e pseudo-analizave të pavërteta dhe zhurmëndjellëse, kërkon të kuptojë procesin e votimit për zgjedhjen e gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese.

Përballë gjuhës fyese dhe dezinformimit publik, përgjigjja vjen me ligj, me fakte dhe me dinjitet, e mbështetur në dokumente zyrtare dhe lehtësisht të verifikueshme.

1. Baza ligjore dhe standardi i pandryshuar procedural

Procedura e zhvilluar më datë 30 shtator 2025 është bazuar në nenin 125 të Kushtetutës, nenin 7/ç të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000, si dhe në Rregulloren e Mbledhjes së Posaçme të Gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë për zgjedhjen e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese, miratuar më 24 shkurt 2022.
Kjo rregullore është zbatuar identikisht në të gjitha procedurat e mëparshme të zhvilluara për zgjedhjen e gjyqtarëve kushtetues, pa asnjë kontestim institucional.

Rregullorja ka përfshirë në mënyrë të drejtpërdrejtë normat ligjore që zbatohen për zgjedhjen e të gjithë funksionarëve të organeve të qeverisjes së sistemit të drejtësisë (ligji nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, nenet 17, 45, 115 dhe 143) dhe që përcaktojnë rregullat e vlefshmërisë së votës, fshehtësisë së saj dhe detyrimin për dokumentim të plotë të çdo procesi kolegjial.

Në të njëjtën linjë me këtë rregullore është miratuar vendimi nr. 485, datë 21.09.2023, i Këshillit të Lartë Gjyqësor, “Për miratimin e rregullave për zgjedhjen e Kryetarit të Gjykatës së Lartë”. Ky vendim përmban të njëjtat rregulla procedurale si ato të zbatuara nga Gjykata e Lartë për përbërjen e komisionit të votimit, mënyrën e numërimit dhe konstatimit të pavlefshmërisë së votave, si dhe rastet kur një fletë votimi është e pavlefshme. Pra, rregullat që zbatoi Gjykata e Lartë janë identike me ato të miratuara nga vetë Këshilli i Lartë Gjyqësor, në drejtimin e znj. Llagami, kur ishte kryetare e atij institucioni.

2. Kompetencat e Komisionit të Votimit dhe të Mbledhjes së Gjyqtarëve

Sipas nenit 9 të Rregullores, Komisioni i Votimit përbëhet nga kancelari, kryesekretari dhe një sekretar gjyqësor. Ky komision administron të gjithë procesin e votimit, shpërndan fletët, kryen numërimin, konstaton pavlefshmëritë dhe përgatit procesverbalin, ku pasqyrohen votat e vlefshme, ato të pavlefshme dhe rezultatin përfundimtar. Procesverbali miratohet nga Mbledhja e Posaçme e gjyqtarëve me vendimin përfundimtar për zgjedhjen e gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese.

Të gjithë fazat, nga thirrja e mbledhjes dhe verifikimi i kuorumit, te ngritja e Komisionit të Votimit, zhvillimi i votimit të fshehtë, numërimi dhe vlerësimi i vlefshmërisë së fletëve, deri te shpallja e rezultatit të votimit, janë kryer në përputhje të plotë me rregulloren dhe janë dokumentuar në procesverbalin zyrtar të miratuar njëzëri, nëpërmjet vendimit nr. 2, datë 30.09.2025, nga 15 gjyqtarët e Gjykatës së Lartë. Ky akt përbën certifikimin institucional përfundimtar të ligjshmërisë dhe integritetit të procedurës së votimit.

Në zbatim të rregullores, procesi i numërimit dhe i konstatimit të (pa)vlefshmërisë së fletëve të votimit është kryer nga Komisioni i Votimit, si organ teknik dhe i pavarur. Gjatë gjithë procedurës është respektuar parimi i fshehtësisë dhe i paanshmërisë së votës, duke garantuar një vlerësim profesional dhe të pavarur, pa lejuar ndërhyrje apo ndikim nga askush. Në këtë proces, roli i gjyqtarëve kufizohet në ushtrimin e votës, ndërsa verifikimi fizik i fletëve dhe nxjerrja e rezultatit i përket vetëm Komisionit të Votimit, proces i cili kryhet në praninë e të gjithë anëtarëve të Gjykatës së Lartë që marrin pjesë në votim.

Në përfundim të kësaj faze, Mbledhja e Posaçme e Gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë miratoi rezultatin përfundimtar përmes vendimit nr. 2, datë 30.09.2025, të nënshkruar nga të gjithë gjyqtarët dhe të bërë publik me rezultatin:

Asim Vokshi - 6 vota,

Naureda Llagami - 8 vota,

Florian Ballhysa - 0 vota,

dhe 1 fletë votimi e pavlefshme.

Në mungesë të shumicës së 3/5 të votave, në zbatim të nenit 7/ç të ligjit nr. 8577/2000, kandidati i renditur i pari nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, z. Asim Vokshi, u shpall ipso lege anëtar i Gjykatës Kushtetuese, me vendimin unanim të Gjykatës së Lartë, i botuar në Fletoren Zyrtare nr. 177, datë 2.10.2025. Pas këtij vendimi vijohet me procedurën e betimit para Presidentit të Republikës.

3. Pavlefshmëria e votës për shkak të mungesës së fshehtësisë

Çdo proces votimi në organet e drejtësisë ka në themel parimin e fshehtësisë së votës, si një garanci e pavarësisë së vullnetit të gjyqtarëve dhe e integritetit të vendimmarrjes kolegjiale.
Ky parim nuk është një formalitet teknik, por një garanci substanciale që siguron që asnjë gjyqtar të mos ndjehet i ekspozuar, i identifikueshëm apo i ndikuar nga mënyra si voton.
Pra, fshehtësia është kusht për vlefshmërinë e votës, dhe jo thjesht rregull për formën e saj, përndryshe votimi do të ishte i hapur.

Në rastin konkret, në fletën e shpallur të pavlefshme janë bërë dy shenja të ndryshme: një kryq votimi dhe një rrethim i numrit në krah të kandidatit gjë që, pavarësisht se mund të japë përshtypjen e një “qartësie të vullnetit”, cenon hapur fshehtësinë e votës dhe hap mundësinë që ajo të identifikohet. Nëse lejohet që çdo votë “e qartë” të pranohet edhe kur nuk është “e fshehtë”, atëherë parimi i fshehtësisë humbet kuptimin dhe procesi bëhet i identifikueshëm.

Referenca ndaj Kodit Zgjedhor për procesin zgjedhor të këtij lloji është e pasaktë, pasi zgjedhja e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese nga Gjykata e Lartë nuk është proces zgjedhor politik, por procedurë institucionale e brendshme, e rregulluar nga dispozita të posaçme ligjore. Këto norma kanë natyrë të veçantë dhe synojnë mbrojtjen e fshehtësisë së votës dhe jo ekspozimin e saj, si garanci themelore e një vendimmarrjeje të paanshme dhe profesionale. Në votimin politik, ku votues është populli, qëllimi është shprehja e lirë, e qartë dhe e drejtpërdrejtë e vullnetit qytetar, sipas rregullave të Kodit Zgjedhor. Ndërsa në votimin institucional, si në rastin e zgjedhjeve të brendshme të gjyqtarëve për organet e qeverisjes së drejtësisë, votues janë vetë gjyqtarët, dhe thelbi i procesit është garantimi i pavarësisë, fshehtësisë dhe integritetit profesional të votës.

Prandaj, rregullorja e Mbledhjes së Posaçme, ashtu si edhe dispozitat të veçanta ligjore (nenet 17, 45, 115 dhe 143 të ligjit nr. 115/2016), ndalon çdo shënim shtesë mbi fletën e votimit, duke e konsideruar atë pavlefshme. I njëjti standard është parashikuar edhe në vendimin e KLGJ nr. 485, datë 21.09.2023. Ky fakt dëshmon koherencën dhe vazhdimësinë e parimeve ligjore, të cilat janë zbatuar dhe zbatohen në mënyrë të njëjtë në të gjitha proceset e votimit institucional.

Në të dyja rastet, rregulli është i qartë: “çdo shenjë tjetër përveç asaj të votimit e bën fletën të pavlefshme”, dhe se vota është e pavlefshme kur “në fletën e votimit janë bërë shënime në favor ose në disfavor të kandidatëve”. Ky nuk është një rregull formal, por një garanci kundër çdo mundësie identifikimi të votës. Pranimi i një flete me dy shenja do të cenonte fshehtësinë e votimit dhe barazinë ndërmjet kandidatëve, prandaj pavlefshmëria e saj është detyrim ligjor dhe institucional, jo një çështje interpretimi. Pikërisht për këtë arsye, ky rregull gjendet i shkruar edhe në fund të çdo flete votimi. 

4. Transparenca e procesit të votimit

Gjykata e Lartë ka vepruar me transparencë të plotë dhe pa asnjë rezervë gjatë gjithë procesit, duke i vënë në dispozicion menjëherë znj. Naureda Llagami, si i vetmi subjekt që ka kërkuar dokumentacionin përkatës, çdo dokument të kërkuar, përfshirë procesverbalin e mbledhjes, regjistrimin audio dhe dokumentet shoqëruese. Këto dokumente janë tashmë të njohura publikisht, çka dëshmon se Gjykata e Lartë nuk ka pasur asnjë synim për t’i mbajtur ato të fshehta apo për të kufizuar informimin, por përkundrazi ka respektuar në mënyrë të plotë parimin e transparencës dhe të së drejtës për informim.

Nëse sot opinioni publik dëgjon regjistrimin audio të mbledhjes, kjo është falë vetë vendimit të Gjykatës së Lartë për t’i dhënë akses të plotë palës së interesuar, jo ndonjë “zbulim” apo “sekret” i nxjerrë jashtë institucionit, siç deklarohet nga disa media. Ky fakt dëshmon se Gjykata e Lartë është e hapur ndaj çdo verifikimi, e sigurt në ligjshmërinë e veprimeve të saj dhe nuk ndjehet e kërcënuar nga transparenca, përkundrazi, e konsideron atë pjesë të misionit të saj për të rritur besimin e publikut në drejtësi.

5. Qëndrimi institucional

Gjykata e Lartë e konsideron thelbësore që debati publik të zhvillohet mbi bazën e fakteve dhe dokumenteve zyrtare, jo të spekulimeve apo të narrativave të ndërtuara mbi keqinformim.
Ajo nuk intimidohet nga gjuha e sulmeve dhe fyerjeve, as nga shtrembërimi i qëllimshëm i fakteve, por do të vazhdojë të ushtrojë me përgjegjësi dhe dinjitet funksionin e saj kushtetues.
Në një shtet të së drejtës, gjykatat nuk reagojnë me emocion, por me akte dhe prova ligjore. Ky rast tregon qartë se çdo fakt është i dokumentuar dhe dëshmon ligjshmërinë e plotë të procesit të zhvilluar.

Gjykata e Lartë rithekson se procesi i zhvilluar më 30 shtator 2025 është i ligjshëm, transparent dhe i dokumentuar në çdo hap të tij. Çdo veprim është kryer në përputhje me Kushtetutën, ligjin dhe rregulloret në fuqi, pa asnjë prapavijë apo qëllim të fshehtë. Në këtë kuptim, Gjykata e Lartë nuk ka asgjë për të shpjeguar jashtë fakteve, dhe asgjë për t’u justifikuar ndaj fyerjeve apo insinuatave që qarkullojnë në publik.

Institucioni i Gjykatës së Lartë nuk trembet nga sulmet, as ndikohet prej tyre. Gjuha e denigrimit dhe e përbaltjes nuk mund të zëvendësojë ligjin, logjikën dhe përgjegjësinë që mbart çdo gjyqtar.
Ne nuk reagojmë me zemërim, por me dinjitet; nuk kundërpërgjigjemi me fjalë, por me fakte dhe ligj; nuk kërkojmë miratim, por kuptim dhe respekt për misionin që kryejmë.

Gjykata e Lartë do të vazhdojë të qëndrojë në lartësinë e detyrës së saj kushtetuese, duke mbrojtur pavarësinë e gjyqësorit, integritetin e gjyqtarëve dhe besimin e publikut në drejtësi.
Kjo është mënyra jonë për t’u përgjigjur ndaj fyerjeve: me qetësi, kurajo dhe dinjitet, ashtu siç i ka hije institucioneve që mbrojnë shtetin e së drejtës.

 

 

Video

Donald Trump u përplas me ambasadorin e Australisë në Shtetet e Bashkuara, Kevin Rudd, gjatë një deklarate me gazetarët që mbulonin vizitën e kryeministrit australian Tony Albanese në Uashington. Gjatë konferencës, një gazetar australian e pyeti presidentin amerikan nëse kishte ndonjë shqetësim në lidhje me qeverinë australiane — veçanërisht për shkak të komenteve kritike që Rudd kishte bërë në të kaluarën për të, kohë kur ai shërbente si kryeministër. Trump reagoi menjëherë duke thënë: “As mua nuk më pëlqen, dhe ndoshta nuk do të më pëlqesh kurrë.” Komentet kritike të Rudd ndaj Trump datojnë në vitin 2020, kur ai e kishte cilësuar atë në rrjetet sociale si “presidentin më shkatërrues në histori”. Postimi u fshi më vonë, por duket se nuk është harruar nga presidenti amerikan.

Një tornado e fuqishme ka goditur rajonin Val d’Oise, në veri të Parisit, ku një person ka humbur jetën dhe disa të tjerë janë plagosur. Pamje të publikuara në rrjetet sociale tregojnë momentin kur dy vinça gjigantë rrëzohen nga forca e erës, ndërsa dëmet materiale në zonat e prekura janë të konsiderueshme. Tornado e rrallë për këtë rajon ka shkaktuar panik në disa zona të periferisë së Parisit, ndërsa ekipet e emergjencës janë në terren për të ndihmuar të prekurit dhe për të vlerësuar shkallën e dëmeve. Autoritetet u kanë bërë thirrje banorëve të qëndrojnë të sigurt dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme derisa situata të stabilizohet.

Një granatë dore e periudhë së Luftës ka shpërthyer sot në fshatin Gështenjas të Pogradecit, duke plagosur një 49-vjeçar. Gentian Yzellari po punonte në oborrin e banesës së tij kur gjatë punës me një mjet bujqësor ka aktivizuar aksidentalisht një granatë dore që ndodhej nën tokë. Si pasojë e shpërthimit, ai ka pësuar dëmtime në trup dhe në fytyrë. Yzellari po merr trajtim mjekësor në Spitalin e Pogradecit dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërkohë që po shqyrtohet mundësia e transportimit të tij drejt Tiranës për mjekim më të specializuar.

Një avion i kompanisë Air China u detyrua të bënte një ulje emergjente pasi një bateri brenda në një çantë dore shpërtheu në flakë gjatë fluturimit. Incidenti ndodhi në një linjë ajrore që udhëtonte nga aeroporti i Hangzhou drejt Koresë së Jugut, duke shkaktuar panik mes pasagjerëve. Një pasagjer tha se dëgjoi një shpërthim të fortë disa sekonda para se të shpërthente zjarri në ndarjen e sipërme të bagazheve. Pavarësisht situatës së rrezikshme dhe tymit që mbushi kabinën, asnjë pasagjer nuk u lëndua, ndërsa piloti realizoi një ulje të sigurt emergjente. Kompania tha se po heton shkakun e incidentit dhe do të forcojë kontrollet për pajisjet elektronike në bord.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme