Politika 29 Shtator 2025, 16:31 Nga VNA

Erion Veliaj ngrin planet e qeverisë për zgjedhje të reja në Tiranë

Ndaje në Whatsapp
Erion Veliaj ngrin planet e qeverisë për zgjedhje të reja në

Siç e kishte paralajmëruar nga qelia ku po pret gjykimin për akuzat e korrupsionit dhe pastrimit të parave, Erion Veliaj paditi të hënën në Gjykatën Kushtetuese vendimin e shkarkimit të tij, duke futur në ngërç planet e Partisë Socialiste për zgjedhjet në Bashkinë e Tiranës.

Në kërkesën dërguar Gjykatës Kushtetuese, Veliaj kërkon shfuqizimin e vendimit të qeverisë me argumentin se bie në kundërshtim me parimet kushtetuese për një proces të drejtë dhe të bazuar në ligj. Veliaj gjithashtu pretendon se “shkarkimi i një kryetari bashkie bëhet vetëm për shkelje të rënda të Kushtetutës ose të ligjeve”.

Veliaj u shkarkua nga Këshilli i Ministrave, pas një votimi në Këshillin Bashkiak të Tiranës më 23 shtator, ku përfaqësuesit e majtë dhe të djathtë bashkuan votat për shkarkimin e tij si kryetar i Bashkisë së Tiranës. Por sipas nenit 115 të Kushtetutës, vendimi i Këshillit të Ministrave pezullohet deri në një vendim të Gjykatës Kushtetuese mbi ankimin e Veliajt.

Juristi Jordan Daci sugjeron se ankimimi në Gjykantën Kushtetuese e pezullon vendimin e qeverisë dhe Veliaj ligjërisht vijon të jetë kryetar i Bashkisë së Tiranës deri në hyrjen në fuqi të vendimit të kësaj gjykate për çështjen në fjalë.

“Automatikisht pezullohet akti i shkarkimit,” tha Daci, duke e quajtur vendimin e qeverisë në kundërshtim me dispozitat kushtetuese.

“Këshilli i Ministrave nuk është një noter i propozimit të Këshillit Bashkiak, por ka detyrim të analizojë kriteret për shkarkim dhe duhet të respektohet procedura ligjore për çdo shkarkim të kryebashkiakëve, si e drejta për t’u dëgjuar, verifikimi i shkeljeve të rënda ligjore,” shtoi ai.

Kryeministri Edi Rama udhëzoi këshilltarët socialistë që të ndërmerrnin procedurën e shkarkimit të Veliajt me justifikimin e një emergjence për drejtimin e bashkisë dhe shpalli si kandidaturë pasuese, Olgerta Manastirliun.

Kryeministria nuk iu përgjigj kërkesës së BIRN deri në publikimin e këtij shkrimi nëse lëvizja e Veliajt pezullonte planet e tyre për zgjedhje të reja.

E pyetur nga BIRN, Presidenca tha se nuk është njoftuar zyrtarisht për vakancën në bashkinë e Tiranës. Ndërsa Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bëri të ditur se në çdo rast ai vihet në lëvizje nga një dekret i Presidentit për shpalljen e datës së zgjedhjeve të reja të pjesshme.

Veliaj hyri në politikë pas disa vitesh aktivizmi, duke themeluar G-99, një parti që nuk arriti të fitojë mbështetje në zgjedhjet e vitit 2009. Më pas iu bashkua Partisë Socialiste kur kjo e fundit ishte në opozitë. Ai u bë ministër në vitin 2013 dhe kryetar i Bashkisë së Tiranës në vitin 2015 — çmimi më i madh në politikën shqiptare që mund të ëndërrojë një politikan i ri — një pozicion i fuqishëm, i lakmuar dhe me pak mekanizma kontrolli.

Gjatë një dekade në pushtet në Tiranë, ai përjetoi momente të vështira, përfshirë disa hetime ku prokurorët nuk arritën të gjenin prova për korrupsion apo abuzim me pushtetin.

Pozicioni i Veliajt në Partinë Socialiste si pasardhës i mundshëm i Ramës u forcua pas rënies në vitin 2017 të Saimir Tahirit, një prej rivalëve të tij kryesorë.

Ndërkohë, në korrik 2023, një email komprometues mbërriti në postën elektronike të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), që përmbante informacion implikues.

Veliaj u arrestua më 10 shkurt, pasi Prokuroria e Posaçme deklaroi se kishte zbuluar një skemë korrupsioni ku bashkia e drejtuar prej tij dhe biznesmenë që fitonin tendera në bashki ushqenin me para një rrjet kompanish dhe organizatash jo-fitimprurëse të drejtuara nga bashkëshortja e Veliajt, Ajola Xoxa. Pas arrestimit, Veliaj u mbrojt fillimisht nga Rama dhe Partia Socialiste, por 7 muaj më pas, me iniciativë të Ramës, u inicua procedura e shkarkimit të tij në Këshillin Bashkiak.

Neni 115

1.  Organi  i  zgjedhur  drejtpërdrejt  i  njësisë  qeverisëse  vendore  mund  të  shpërndahet  ose  të  shkarkohet nga Këshilli i Ministrave për shkelje të rënda të Kushtetutës ose të ligjeve ;

2.Organi i  shpërndarë  ose  i  shkarkuar  mund  të  ankohet  në  Gjykatën  Kushtetuese  brenda 15 ditëve, dhe në këtë rast vendimi i Këshillit të Ministrave pezullohet;

3.Në rastin e mosushtrimit të së drejtës së ankimit brenda 15 ditëve, ose në rastin e lënies në fuqi të vendimit  të  Këshillit  të  Ministrave  nga  Gjykata  Kushtetuese,  Presidenti  i  Republikës cakton datën e zgjedhjeve në njësinë vendore përkatëse”./BIRN/

 

 

Video

Rreth orës 04:00 të mëngjesit, një lokal në zonën e Qafë Shtamës është përfshirë nga flakët, duke u djegur plotësisht së bashku me bujtinën përreth. Si pasojë e zjarrit janë shkaktuar dëme të mëdha materiale, ndërsa fatmirësisht nuk raportohet për persona të lënduar. Sipas pronarit të objektit, Bukurosh Balliu, dyshohet se shkak i ngjarjes kanë qenë luhatjet e tensionit elektrik, të ardhura si pasojë e erërave të forta. Këto luhatje mendohet se kanë krijuar shkëndija, të cilat më pas kanë çuar në përhapjen e flakëve.

Të paktën gjashtë persona u plagosën nga tërmeti i fuqishëm me magnitudë 7.7 ballë që goditi Japoninë veriore të hënën Sipas Japan Meteorological Agency, lëkundja ndodhi në Oqeanin Paqësor pranë prefekturës Iwate në ishullin Honshu. Agjencia raportoi një magnitudë prej 7.7 ballësh, ndërsa United States Geological Survey e vlerësoi atë në 7.4. Menjëherë pas tërmetit u lëshua një paralajmërim për cunami, me valë të mundshme deri në tre metra. Një valë deri në 80 centimetra u regjistrua në portin e Kujit, ndërsa valë më të vogla goditën zona të tjera të Japonisë veriore. Më vonë, alarmi për cunami u hoq.

U.S. Central Command ka publikuar pamje nga një operacion ushtarak në Detin Karaibe, ku forcat e Shtetet e Bashkuara goditën një anije të dyshuar për trafik droge. Sipas njoftimit, tre persona të dyshuar si pjesë e trafikut të drogës u vranë gjatë operacionit.

Një grua në Filipine përjetoi një moment të rrallë teksa po bënte fotografi nën ujë, kur një peshkaqen balenë iu afrua papritur dhe e preku lehtë në krah. Momenti, i filmuar dhe i shpërndarë gjerësisht në rrjetet sociale, ka tërhequr vëmendje. Ekspertët thonë se kjo specie është e padëmshme për njerëzit, por rekomandojnë ruajtjen e distancës dhe respektimin e jetës së egër.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme