Deputeti socialist Erion Braçe ka lëshuar një nga sinjalet më të forta publike të pakënaqësisë brenda Partisë Socialiste, duke lënë të kuptohet se gara për Bashkinë e Tiranës ka ndezur konfliktet dhe “brrylat” mes socialistëve.
Në një intervistë për Euronews Albania, Braçe foli hapur për përjashtimin e tij nga një mbledhje partie në njësinë numër 5 në Tiranë, ndonëse, sipas tij, ai është deputeti që ka punuar në terren, ka takuar qytetarët dhe ka marrë votat e tyre.
“Tani po mbahet një mbledhje në njësinë numër 5. Është udhëheqësja për Tiranën bashkë me një deputet të deleguar si drejtues politik, ndërsa deputeti nuk është njoftuar fare”, deklaroi Braçe, duke e bërë të qartë se tensionet nuk lidhen vetëm me organizimin e partisë, por me përplasjet për influencë dhe kontroll politik në kryeqytet.
Më pas, ai u përpoq të theksonte diferencën mes një deputeti që është prezent në territor dhe figurave që, sipas tij, janë më shumë propagandistike sesa reale në terren.
“Deputeti që është 30 metër në vijë ajrore, deputeti që bën deputetin në territor, ka katër ditë që ka lajmëruar se tubacionet e ujit janë çarë dhe uji rrjedh”, tha Braçe, duke goditur indirekt mënyrën sesi drejtohet organizimi politik dhe administrativ në Tiranë.
Ai ironizoi edhe raportin e PS-së me figurat e vjetra të partisë, teksa kujtoi 35-vjetorin e socialistëve.
“Pas ca ditësh do marrim një medalje ne që kemi shumë kohë që jemi në PS”, u shpreh Braçe me tone të dukshme ironike.
Deklaratat e tij vijnë në një moment kur në Partinë Socialiste po shtohen zërat dhe lëvizjet e brendshme lidhur me të ardhmen e Bashkisë së Tiranës, ndërsa emri i Braçes përflitet prej kohësh si një nga figurat që kanë ambicie për të hyrë në garë për drejtimin e kryeqytetit.






















