Politika 3 Shkurt 2026, 19:16 Nga VNA

Deputetë të rastësishëm në tryezat e komisioneve!

Ndaje në Whatsapp

Deputetë të rastësishëm në tryezat e komisioneve!

Në seancën e sotme plenare, Kuvendi pritet të miratojë ngritjen e Nënkomisionit për Zhvillim të Qëndrueshëm me shtatë anëtarë, edukimi dhe formimi arsimor i të cilëve zbulon mospërputhje të thellë me fushën e përgjegjësisë së nënkomisionit. Nisma e propozuar nga deputetja Anila Denaj (PS), synon realizimin e objektivave për zhvillim të qëndrueshëm dhe agjendën 2030 të OKB-së, të tilla si ndryshimet klimatike, mbrojtja e ekosistemeve tokësore dhe mbrojtja e oqeaneve. Asnjë prej deputetëve të propozuar [Ilva Gjuzi (PS), Blendi Himçi (PD), Besa Spaho (PS), Klevis Jahaj (PS), Bora Muzhaqi (PS), Klodiana Çapja (PD), Kliti Hoti (PD)] nuk rezulton të jetë diplomuar, apo arsimuar në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, ose në Universitetin Bujqësor të Tiranës, si të vetmet institucione që mund të ofrojnë ekspertizën e duhur për vendime të qëndrueshme dhe racionale në favor të realizimit të objektivave 2030.

Nënkomisioni i ri varet nga Komisioni i Përhershëm Parlamentar për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm, që për fat të keq manifeston të njëjtën mospërputhje të kontekstit arsimor të dymbëdhjetë deputetëve-anëtarë të tij.

Komisionet e përhershme parlamentare, krahas  shqyrtimit paraprak të projektakteve, monitorojnë dhe funksionimin e ministrive. Kësisoj, komisioni dhe nënkomisioni i përhershëm për Zhvillimin e Qëndrueshëm mbulojnë çështje të energjisë, biodiversitetit dhe mbrojtjes së mjedisit. Rrjedhimisht, funksionimi i tyre ndikohet, jo vetëm nga qëndrimet politike, por edhe nga sfondi arsimor i deputetëve-anëtarë. Nëse arsimimi i tyre nuk përputhet me fushën e ekspertizës së komisionit, ekziston rreziku i vendimmarrjeve të komanduara politikisht dhe ideologjikisht mbi çështje thellësisht dhe qartësisht shkencore dhe racionale.

Shqipëria ka një ndarje gjinore parlamentare të kënaqshme, krahasuar me disa prej vendeve te BE. Por duket se nuk ka rregulla për ndarjen e deputetëve nëpër komisione në varësi edhe të sfondit arsimor të tyre. Prej kohësh, në ligjin zgjedhor janë vendosur kuota të detyrueshme për të garantuar një përfaqësim të ekuilibruar gjinor në jetën dhe vendimmarrjen politike. Vetë Kuvendi, nëpërmjet shërbimeve të tij, ofron të dhëna për deputetët. Por këto janë të varfëra, pasi kufizohen në raportimin e statistikave sipas gjinisë dhe grup-moshave, por asnjëherë mbi formimin dhe sfondin arsimor të deputetëve.

Konkretisht, anëtarët e propozuar të nënkomisionit për Zhvillim të Qëndrueshëm (gjithsej shtatë) që pritet të miratohet në seancën e sotme plenare (edhe si pjesëmarrës për herë të parë në një legjislaturë) janë inxhinierë ndërtimi, juristë, arkitektë, financierë (mes tyre edhe një mjek). Kështu, ekspertiza e tyre nuk përputhet me ekspertizën e nënkomisionit. Si mundet një deputet – inxhinier ndërtimi – të marrë vendime të qëndrueshme për pyjet pa i njohur ato?! Si mundet të mbrojë oqeanet dhe burimet detare një financier?!

Historikisht, partitë politike, por edhe organizatat jofitimprurëse mbështetëse të tyre, nuk kanë zhvilluar programe për diversifikimin e formimit arsimor dhe ngritjen e përfaqësimit shkencor të listës së kandidatëve për deputetë. Listat shumë emërore me renditje të fiksuar, të ashtuquajtura “të mbyllura” mund të shërbenin për të kontrolluar personalitetin profesional të kandidatëve për deputetë, por në të vërtetë, ato kanë shërbyer si streha për të grumbulluar kandidatë të besuar politikë. Ndaj dhe shpërndarja nëpër komisione i shërben së njëjtës logjikë.

Monitorimi dhe vlerësimi i vazhdueshëm i formimit arsimor të deputetëve ndikon drejtpërdrejt në zbehjen e diktatit politik dhe ideologjik në vendimmarrje, duke i bërë deputetët më të pavarur dhe demokracinë më funksionale. Dhe këtu nuk është fjala që të imponosh kuota të pabazuara në meritokraci, por për të kundërtën e saj: për të mbështetur një meritokraci të papërfaqësuar. Kjo do të rrisë besimin e publikut ndaj përfaqësuesve të tyre në Kuvend./Citizens.al/

Video

Kosova do të shkojë sërish në zgjedhje të parakohshme brenda 45 ditësh, pasi Kuvendi dështoi të zgjedhë presidentin e ri të Republikës. Seancat e njëpasnjëshme kanë dështuar për shkak të mungesës së kuorumit, pasi opozita nuk ka marrë pjesë në votim. Në sallë kanë qenë vetëm deputetët e shumicës parlamentare, ndërsa LDK, PDK, AAK dhe Lista Serbe kanë bojkotuar procesin.

Një breshkë e llojit Caretta caretta është gjetur e ngordhur në bregdet, me dëmtime të rënda në pjesën e kokës. Dyshohet se ajo është goditur nga helikat e një anijeje, duke pësuar plagë serioze që i kanë shkaktuar ngordhjen. Breshka është konstatuar nga qytetarë që ndodheshin pranë bregut të detit.

Në Libanin jugor, dronët-bombë të Hezbollah po krijojnë probleme serioze për ushtrinë izraelite. Pamjet tregojnë një sulm ndaj një helikopteri Blackhawk që kishte shkuar për të marrë të plagosurit nga një pritë me dronë, ku një ushtar u vra dhe gjashtë të tjerë u plagosën. Teksa helikopteri po ulej, dy dronë u afruan dhe shpërthyen pranë tij, ndërsa ushtarët izraelitë hapën zjarr për t’i rrëzuar. Hezbollah thuhet se po shton përdorimin e këtyre dronëve, ndaj të cilëve Izraeli ende nuk ka kundërmasa efektive.

Një problem i vogël për Laura Pausini gjatë koncertit live në Quito, në Ecuador. Popstarja ndërpreu koncertin dhe kërkoi t’i sillnin oksigjen. Një pengesë e vogël, me shumë gjasa e lidhur me lartësinë e qytetit (rreth 2800 metra mbi nivelin e detit), e cila mund të shkaktojë probleme të tilla, sidomos kur je i ekspozuar ndaj një stresi fizik si ai i një koncerti live. Këngëtarja e mori situatën me humor dhe, me maskën e oksigjenit në gojë, iu drejtua publikut duke pyetur: “A mund të flitet kur e mban këtë, apo është më mirë jo?”

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme