Politika 14 Tetor 2025, 18:51 Nga VNA

Dëgjesa në Kuvend kthehet në vajtim për televizionin publik

Ndaje në Whatsapp
Dëgjesa në Kuvend kthehet në vajtim për televizionin publik

Këshilli Drejtues i Radio Televizionit Shqiptar dhe deputetët e Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik ritheksuan gjendjen e keqe në të cilën ndodhet transmetuesi publik. Drejtuesit e rinj premtuan transformim me ndihmën e EBU-së.

Mbi 380 milionë lekë borxhe e penalitete në gjyqe të humbura, mungesë programesh origjinale, kufizim në përhapjen gjeografike, shikueshmëri të ulët dhe një institucion i vjetruar dhe i keqmenaxhuar. Kjo është çka u prezantua nga Këshilli Drejtues i Radio Televizionit Shqiptar të martën në raportin vjetor të gjendjes së transmetuesit publik para Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik.

Raportimi megjithatë bëri me dije se gjendja e rënduar vinte si pasojë e ish-drejtuesve dhe keqmenaxhimit të trashëguar. Kjo u pranua edhe nga deputetët e shumicës dhe opozitës, të cilët, si rrallëherë, ishin në dakordësi të plotë, ndërsa vunë në dukje situatën kritike ku ndodhet RTSH.

Jorida Tabaku, kryetare e komisionit, e hapi seancën duke shfajësuar drejtuesit aktualë nga ajo që ka ndodhur.

“Ju do raportoni për një periudhë për të cilën nuk jeni përgjegjës,” tha Tabaku, por shtoi se ishte e nevojshme që drejtuesit e rinj të merrnin përgjegjësi që televizioni të dilte nga kriza dhe të bënte “lajme për shqiptarët”.

Kryetari i Këshillit Drejtues, Fatjon Hoxhalli paraqiti një gjendje të zymtë gjatë prezantimit të raportit.

Ai tha se RTSH kishte dështuar të realizonte të ardhurat e parashikuara, qoftë ato nga tarifa fikse që paguajnë qytetarët, qoftë ato që televizioni realizon vetë. Ai po ashtu vuri në dukje borxhet që institucioni ka, përfshi 228 milionë lekë pas humbjes së gjyqeve me punonjës të shkarkuar dhe mbi 160 milionë në procese të tjera administrative. Ai tha se ekzekutimi i vendimeve të gjykatës e vuri në situatë të vështirë institucionin dhe drejtuesit e rinj u gjendën para faktit të kryer.

Drejtoresha e Përgjithshme, Eni Vasili po ashtu pranoi situatën e rënduar financiare. Ajo tha se kur mori detyrën, administrata e re u gjend në mungesë të likuiditeteve, por shtoi se ky problem kryesisht rëndonte programacionin e prodhuar nga bashkëpunëtorët e Televizionit. Vasili tha se fondi i pagave ishte i paprekur dhe se gazetarët paguheshin në kohë. Vasili këmbënguli se televizioni ishte keqmenaxhuar nga paraardhësit.

Deputetë që morën fjalën pas raportimit u mëshuan të njëjtave probleme, ndërsa thanë se nuk fajësonin administratën aktuale për situatën, por kërkuan të dinë masat që po merren për përmirësimin e saj.

Nënkryetarja e komisionit, deputetja socialiste Iris Luarasi, vuri në dukje mungesën e prodhimtarisë së RTSH-së, duke theksuar se disa prej kanaleve të hapura nuk kishin përmbajtje, por thjesht ritransmetonin.

“Një fond i konsiderueshëm 12 milionë lekë për (programacion) fëmijët dhe të rinjtë nuk është përdorur fare,” tha Luarasi, ndërsa shtoi se mungonin programet edukative dhe nuk kishte transparencë për shpenzimet për festivalet.

Luarasi vuri në dukje se mungonte një plan afatmesëm për të ndryshuar situatën dhe kërkoi që televizioni të ndryshonte mënyrën se si përdoren paratë.

“Mendoj se edhe pse koha është e shkurtër do të ishte mirë të hartohej urgjent një plan strategjik afatmesëm i shoqëruar me një ristrukturim të thellë buxhetor, fokusim të fondeve nga pagat drejt investimeve në përmbajtje dhe teknologji,” tha ajo.

Në të njëjtën valë ishte edhe deputetja e opozitës, Greta Bardeli, e cila ironizoi se TVSH ishte sot një “Muze Mediatik, i pasur me borxhe, i stolisur me privilegje për disa dhe pothuajse i padukshëm për qytetarët që e financojnë”. Ajo tha se situata vinte prej keqmenaxhimit, abuzimit me fondet dhe ndërhyrjes politike dhe shtoi se ishte krijuar një gropë e thellë e zezë. Bardeli këmbënguli në hetimin e keqmenaxhimit dhe kërkoi ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për të gjetur fajtorët e situatës në të cilën ndodhet RTSH.

Hoxhalli dhe Vasili premtuan reformim dhe këmbëngulën se ishin marrë masat për të ndryshuar gjendjen.

“Duke qenë të vetëdijshëm për nevojën emergjente të një reforme të thellë, ne kemi marrë hapa konkretë për të projektuar rimodelimin e RTSH-së sipas standardeve më të mira evropiane të transmetuesve publikë,” tha Hoxhalli, duke vënë në dukje se ishte ftuar ekspertiza e EBU-së për të ndihmuar në këtë ndryshim.

Hoxhalli deklaroi se brenda muajit nëntor do të vijë misioni i parë teknik i ekspertëve të EBU-së, të cilët do të ndihmojnë në hartimin e një plani për reforma të mëtejshme. “Reformimi përfshin disa elemente kyçe, si: një model të ri financimi me qëllim sigurimin e pavarësisë dhe qëndrueshmërisë financiare të RTSH-së,” tha ai.

Vasili, nga ana e saj, tha se ishin bërë ndryshime në programacion dhe se po i kushtohej më shumë rëndësi prodhimit të brendshëm, kjo edhe për shkak të situatës financiare. Vasili premtoi më shumë vëmendje për fëmijët dhe theksoi se ishin në negociata me Ministrinë e Arsimit për programacionin e RTSH Shkollë.

Në përgjigje të pyetjeve nga deputetët, Vasili tha se televizioni kishte rrezikuar të humbiste marrëdhëniet me EBU dhe la të kuptohej se paraardhësit kishin mbajtur korrespondencën zyrtare në e-maile personale. Vasili tha se ishte njohur me detyrimet për t’iu paguar EBU-së pasi faturat erdhën në RTSH me postë si urgjente.

Në përgjigje të pyetjeve të deputetëve për përgjegjësitë e situatës, Vasili tha se i takonin t’i nxirrte auditimi. “Përgjegjësia financiare dhe institucionale i takon RTSH-së. Për sa i përket përgjegjësisë individuale, kjo mund të evidentohet në përfundim të auditit të brendshëm ose nga KLSH-ja, nëse konstatohet. Nëse hasim përgjegjësi penale, kemi detyrim ligjor të procedojmë, por deri më tani nuk është ky rasti,” deklaroi Vasili./Reporter 

Video

Donald Trump u përplas me ambasadorin e Australisë në Shtetet e Bashkuara, Kevin Rudd, gjatë një deklarate me gazetarët që mbulonin vizitën e kryeministrit australian Tony Albanese në Uashington. Gjatë konferencës, një gazetar australian e pyeti presidentin amerikan nëse kishte ndonjë shqetësim në lidhje me qeverinë australiane — veçanërisht për shkak të komenteve kritike që Rudd kishte bërë në të kaluarën për të, kohë kur ai shërbente si kryeministër. Trump reagoi menjëherë duke thënë: “As mua nuk më pëlqen, dhe ndoshta nuk do të më pëlqesh kurrë.” Komentet kritike të Rudd ndaj Trump datojnë në vitin 2020, kur ai e kishte cilësuar atë në rrjetet sociale si “presidentin më shkatërrues në histori”. Postimi u fshi më vonë, por duket se nuk është harruar nga presidenti amerikan.

Një tornado e fuqishme ka goditur rajonin Val d’Oise, në veri të Parisit, ku një person ka humbur jetën dhe disa të tjerë janë plagosur. Pamje të publikuara në rrjetet sociale tregojnë momentin kur dy vinça gjigantë rrëzohen nga forca e erës, ndërsa dëmet materiale në zonat e prekura janë të konsiderueshme. Tornado e rrallë për këtë rajon ka shkaktuar panik në disa zona të periferisë së Parisit, ndërsa ekipet e emergjencës janë në terren për të ndihmuar të prekurit dhe për të vlerësuar shkallën e dëmeve. Autoritetet u kanë bërë thirrje banorëve të qëndrojnë të sigurt dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme derisa situata të stabilizohet.

Një granatë dore e periudhë së Luftës ka shpërthyer sot në fshatin Gështenjas të Pogradecit, duke plagosur një 49-vjeçar. Gentian Yzellari po punonte në oborrin e banesës së tij kur gjatë punës me një mjet bujqësor ka aktivizuar aksidentalisht një granatë dore që ndodhej nën tokë. Si pasojë e shpërthimit, ai ka pësuar dëmtime në trup dhe në fytyrë. Yzellari po merr trajtim mjekësor në Spitalin e Pogradecit dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërkohë që po shqyrtohet mundësia e transportimit të tij drejt Tiranës për mjekim më të specializuar.

Një avion i kompanisë Air China u detyrua të bënte një ulje emergjente pasi një bateri brenda në një çantë dore shpërtheu në flakë gjatë fluturimit. Incidenti ndodhi në një linjë ajrore që udhëtonte nga aeroporti i Hangzhou drejt Koresë së Jugut, duke shkaktuar panik mes pasagjerëve. Një pasagjer tha se dëgjoi një shpërthim të fortë disa sekonda para se të shpërthente zjarri në ndarjen e sipërme të bagazheve. Pavarësisht situatës së rrezikshme dhe tymit që mbushi kabinën, asnjë pasagjer nuk u lëndua, ndërsa piloti realizoi një ulje të sigurt emergjente. Kompania tha se po heton shkakun e incidentit dhe do të forcojë kontrollet për pajisjet elektronike në bord.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme