Në procesin ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj dhe 29 të pandehurve të tjerë vijojnë “përplasjet” mes avokatëve dhe prokurorëve të SPAK.
Maksim Haxhiaj, i cili mbron interesat e Ajola Xoxës, bashkëshortes së Erion Veliaj, gjithashtu e pandehur për akuza të rënda, në cilësinë e kryetarit të Dhomës së Avokatisë kërkoi të dinte nga gjykata nëse avokatja e caktuar kryesisht për të mbrojtur interesat e kryebashkiakut ishte njohur ose jo me dosjen?.
“Kolegjia duhet të shprehet nëse është njohur me dosjen, sepse ka edhe një komitet disiplinor”, tha Haxhiaj. Prokurori i posaçëm Ols Dado i kujtoi se në seancë ishte si avokat dhe jo si kryetar i Dhomës së Avokatisë. Gjykata iu kërkoi palëve të mos bënin debat.
Në këtë moment ndërhyri Plarent Ndreca, që mban interesat e Veliaj, e njëherazi është dhe vetë i pandehur e gjykohet po në GJKKO.
“Mbështes kolegun. Maks Haxhia i ka të dyja cilësitë dhe nuk mund të dalë nga njëra apo nga tjetra. Procesi i rregullt ligjor lidhet dhe me mënyrën si ushtron profesionin avokati”, tha Ndreca.
Por gjykata e ndërpreu duke theksuar se “secili nga ju mund të ketë edhe tagra të tjera, por nuk lidhen me këtë proces, Maks Haxhia është legjitimuar si mbrojtës i një prej të pandehurve në këtë proces”.
Ndreca e vijoi sërish debatin.
“Unë nuk ndaj të njëjtin mendim me atë që ju thoni. Procesi ka 30 të pandehur dhe interesat janë të lidhura. Cilësitë e një individi nuk mund të ndahen, kur shikon si ushtrohet profesioni i një avokati, sepse është pjesë e procesit të rregullt ligjor”, tha ai.
Në vijim Ndreca bëri dhe një kërkesë para GJKKO, e cila në fakt vjen e përsëritur.
“Kam një kërkesë me shkrim, është dy faqe. Kam kërkuar që të njihem me aktet e dosjes. Kam kërkuar oraret kur mund të vij në gjykatë për t’u njohur me dosjen, më pas kam marrë angazhimin për studimin e dosjes. Në fillim më thanë që do e marrësh në mënyrë elektronike, por kjo nuk u bë e mundur për shkak të kundërshtimit të prokurorisë. Kam ardhur me një grup avokatësh. Kërkoj një afat 2 javor që unë të realizoj një shqyrtim paraprak të dosjes, që të kuptoj si duhet ta realizoj mbrojtjen dhe të paraqes një plan të detajuar sesi unë do ta bëj mbrojtjen. Gjykata duhet të sigurojë kohën e nevojshme që të bëjmë një mbrojtje efektive. Çdo nxitim i pajustifikuar nuk i shërben drejtësisë. Ky proces ka dhe impakt në publik për shkak të funksionit të të pandehurit Erion Veliaj, si kryebashkiak i zgjedhur disa herë me votë. Pasi të njohemi me aktet mund të bëhet një debat real. Kërkojmë të njihemi me dosjen dhe të merrni parasysh kërkesën tonë”, tha Ndreca.
Në vijim të seancës avokatja Romina Zaho kërkoi ndarjen e çështjes për biznesmenin Elman Abule dhe më pas shpalljen e moskompetencës lëndore nga GJKKO dhe dërgimin e saj për gjykim në një tjetër gjykatë.
“Kërkoj gjykim të shkurtuar, i qëndroj kërkesës së bërë nga ana e avokates”, deklaroi vetë Abule që ishte i pranishëm në gjykatë.
Veçim të çështjes dhe gjykim të shkurtuar kërkoi edhe biznesmeni Mirton Lika.
Edhe avokati Sokol Hazizaj që mbron biznesmenin Fatmir Bektashi dhe shoqërinë Kontakt përsëriti të njëjtën kërkesë për ndarje të çështjes dhe gjykim të shkurtuar.
“Nuk jemi fare tek ky moment, ju lutem të konsumojmë kërkesat paraprake, pastaj të kalojmë tek ai moment procedurial për gjykimin e shkurtuar”, tha prokurori Ols Dado.
Trupa gjykuese deklaroi se vlerëson t’i dëgjojë kërkesat paraprake të mbrojtjes në mënyrë që të shprehet.
Edhe avokatët e të pandehurve Ina Goxha dhe Flutura Xhani kërkuan gjykim të shkurtuar.
Avokati Henrik Ligori që mbron ish-deputeten e PS-së, Klotilda Bushka deklaroi se: “E mbrojtura prej nesh, që në fazën e hetimit paraprak, nuk e ka pranuar akuzën dhe e ka cilësuar si të pambështetur në prova dhe fakte. Së pari konfirmojmë kërkesën për gjykim të shkurtuar, kërkojmë ndarjen e çështjes dhe moskompetencën lëndore të kësaj gjykate dhe dërgimin e çështjes në një tjetër gjykatë”. Ligori paraqiti dokument në GJKKO që Bushka nuk është më deputete.
“Të mbrojturit prej meje i mungojnë 24 fashikuj, ne jemi pa akte dhe nuk mund të bëjmë një mbrojtje efektive”, theksoi më tej Plarent Ndreca.
(seanca vijon)






















