Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, i ka drejtuar Kuvendit të Shqipërisë një listë me 15 rekomandime për transformimin e procesit të ardhshëm zgjedhor.
Në dokumentin e tij, siguruar nga VNA dhe i dorëzuar në Parlament, Celibashi vë theksin te depolitizimi i komisioneve, duke thënë se komisionerë e numërues vetëm të partive nuk mund të funksionojë më, por nuk mundet as që partitë të jenë tërësisht pa asnjë përfaqësues të tyre në këto tavolina.
Ai kërkon rregulla më të qarta për financimin e partive, sidomos për fushatat në median online, si dhe të qartësohen se cilat janë aktivitetet e ndaluara që qeveria nuk duhet të bëjë para zgjedhjeve, kur ODIHR e nxiu raportin për Shqipërinë duke thënë se PS e kishte përdorur shtetin për fushatë.
Celibashi sugjeron që të paktën gjysma e vendit të kalojë në votim elektronik, si një hap gradual, si dhe të njihet me ligj numërimi elektronik i votave.
KQZ hedh idenë e rikthimit të numërimit aty ku votohet, pa u grumbulluar kutitë në qendra qarqesh, që vonon daljen e rezultatit, si dhe kërkon zgjidhje për t’u mundësuar të drejtën e votës të sëmurëve, policëve apo gazetarëve që nuk paraqiten dot në qendrën e votimit.
Sa i takon votës së emigrantëve, Celibashi ngre pyetje nëse vota do të vijojë të shpërndahet në 12 qarqe, apo do të ketë një zonë zgjedhore të posaçme për ta. KQZ kërkon qartësi për këtë aspekt, si dhe për mënyrën e votimit: a do të vazhdojë të jetë ajo me postë, apo do të kemi një mënyrë tjetër, sikurse ajo nëpërmjet internetit, në përfaqësi diplomatike, në qendra votimi që ngrihen jashtë, apo një mënyrë tjetër?
Këto rekomandime bëhen në kuadër të raportimit vjetor, si dhe të punës aktive parlamentare për reformën zgjedhore.
REKOMANDIMET E PLOTA
Bazuar në analizën dhe vlerësimin e gjetjeve të përfituara nga praktikat e deritanishme zgjedhore, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve rekomandon:
• Ndryshimin e mënyrës së përbërjes, organizimit dhe funksionimit të komisioneve zgjedhore të nivelit të dytë dhe të tretë.
o Përbërja vetëm partiake e këtyre komisioneve tashmë qartësisht ka treguar se kjo mënyrë jo vetëm nuk siguron administrim profesional dhe efiçent të procesit zgjedhor në këto nivele, por jo pak herë ka cenuar integritetin e këtij procesi.
o Duhet një formulë tjetër, e cila do të sanksionojë më shumë kompetenca dhe të drejta të KQZ-së në organizimin e këtyre komisioneve.
o Duhet një formulë tjetër që, gjithsesi, nuk i përjashton tërësisht partitë politike nga pjesëmarrja në administrim dhe/ose vëzhgim të drejtpërdrejtë në këtë proces.
Rregullat për financimin e partive politike dhe të subjekteve zgjedhore
Ka nevojë për qartësi dhe plotshmëri në rregullat në lidhje me: kush financon kë, kur dhe si. Nevojiten përmirësime dhe plotësime në lidhje me rregullat për raportimin financiar, fuqizim të kompetencave të KQZ-së për shqyrtimin e raporteve financiare, si dhe urdhërimi apo komisionimi nga KQZ i strukturave të tilla si zyra e taksave, tatimeve, apo agjencive të ndryshme për kryerjen e këtyre verifikimeve.
Rregullat për financimin e palëve të treta në zgjedhje
Detyrimin e tyre për të raportuar për financimin kur angazhohen në fushatë zgjedhore.
Rregullat për fushatën elektorale
Rregullat në të gjitha llojet e mediave, përfshirë internetin, median online si dhe rrjetet sociale.
Rregullat për raportimin e veprimtarive të institucioneve publike
Raportimi në një periudhë të caktuar përpara ditës së zgjedhjeve. Bazuar në gjetjet dhe rekomandimet e ODIHR, duhet të përcaktohet qartë kufiri midis qeverisë/shtetit dhe partisë që qeveris vendin.
Mënyra e votimit
Çfarë do të bëhet me votimin elektronik? A do të vazhdojmë ta shtrijmë atë në të gjithë vendin, apo në disa njësi zgjedhore, apo do të heqim dorë nga kjo mënyrë votimi? Në vlerësimin tonë do të ishte më racionale që në këtë fazë, votimi elektronik të mos shtrihej në të gjithë vendin, por të zbatohej në 4-6 njësitë zgjedhore me numër më të madh zgjedhësish.
Teknologjia e informacionit në proceset zgjedhore
Lidhur me votimin dhe numërimin elektronik, rekomandojmë që kuadri rregullator ligjor të përcaktojë të drejtën dhe kompetencën e KQZ-së për të aplikuar gjerësisht teknologjinë e informacionit në proceset zgjedhore. Duhet të standardizohet përdorimi i teknologjive të reja, përfshirë Inteligjencën Artificiale, si dhe të parashikohen rregullime ligjore për njohjen zyrtare të rezultateve të prodhuara prej tyre, duke garantuar transparencë, siguri dhe besueshmëri në procesin zgjedhor.
Numërimi
Do të vazhdojmë numërimin e votave kështu sikurse e kemi, për sa i përket vendit dhe procedurës, apo do t’i kthehemi numërimit në qendrën e votimit? Në secilin prej opsioneve, KQZ do të duhet të angazhojë burime njerëzore, trajnime, logjistikë, infrastrukturë dhe masa organizative të tjera që garantojnë integritet të procesit, transparencë dhe eficencë. Këto janë procese ku do të duhet kohë për t’i adresuar.
Rregullat për shqyrtimin e ankimeve zgjedhore
Për një proces efiçent, por që garanton gjithashtu integritetin e tij, do të duhet të përcaktohet qartë se cilat janë përgjegjësitë dhe procedura që ndjek çdo organ administrativ apo gjyqësor që do të jetë i përfshirë në shqyrtimin e ankimimeve zgjedhore. Me rëndësi të dorës së parë mbetet çështja e pasjes apo jo të Kolegjit Zgjedhor.
Organizimi dhe funksionimi i KQZ-së
Nëse do të mbetet formula aktuale, do të duhet të ketë një përcaktim më të qartë të kufijve të përgjegjësisë së secilit prej tre organeve përbërëse të KQZ-së: Komisionerit, Rregullatorit dhe KAS-it.
Rregullat për regjistrimin e subjekteve zgjedhore në zgjedhje
Këto rregulla kanë nevojë për përmirësim dhe/ose qartësim, veçanërisht ato që kanë të bëjnë me kushtet dhe kriteret që duhet të plotësojë një parti politike për t’u regjistruar si subjekt zgjedhor, regjistrimin e koalicioneve, kandidatët e mbështetur nga zgjedhësit, etj.
Krijimi i mundësive alternative për të votuar
Krijimi i mundësive për të votuar për zgjedhësit të cilët për arsye shëndetësore nuk mund të dalin nga shtëpia (por që gëzojnë zotësi juridike të plotë për të vepruar, pra gëzojnë të drejtën e votës), si dhe për ata që në ditën e votimit, për shkak të funksionit/detyrave që ushtrojnë (gazetarë, punonjës policie, etj.), nuk mund të paraqiten në qendrën e votimit ku kanë emrin në listën e zgjedhësve.
Rregullat për votimin nga jashtë
Në aspektin rregullator, ka disa çështje të cilat do të duhet të rikonsiderohen:
• A do ta ndryshojmë rregullin aktual për zonën zgjedhore për të cilën llogaritet rezultati i votave të votuesve nga jashtë?
• A do të llogaritet kjo votë në zonën zgjedhore (qarkun) ku votuesi nga jashtë ka gjendjen civile, apo do të ketë një zonë zgjedhore të posaçme për ta?
• Duhet të ketë një përcaktim më të qartë për kushtet dhe kriteret e votuesve nga jashtë për të votuar.
• Në lidhje me mënyrën e votimit: a do të vazhdojë të jetë ajo me postë, apo do të kemi një mënyrë tjetër, sikurse ajo nëpërmjet internetit, në përfaqësi diplomatike, në qendra votimi që ngrihen jashtë, apo një mënyrë tjetër?
Rregullat për organizimin e Referendumeve
Kuadri ligjor aktual për organizimin dhe funksionimin e referendumeve është i paqartë dhe i paplotë. Me këtë kuadër nuk është bërë asnjë referendum, edhe pse ka pasur shumë iniciativa. Ky duhet të jetë prioritet.
Rishikimi i rregullave për shpalljen e rezultatit
Rishikimi i rregullave për shpalljen e rezultatit të zgjedhjeve dhe kohën e konstituimit, si të Kuvendit ashtu edhe të organeve të qeverisjes vendore.
Ligji për partitë politike
Është nevojë e domosdoshme të ketë rregulla të qarta dhe të plota për organizimin, funksionimin, financimin, pjesëmarrjen në zgjedhje, si dhe penalitetet e sanksionet kundrejt partive, kur është rasti.






















