Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve miratoi të dielën emrat e kandidatëve për zgjedhjet e pjesshme vendore në 5 bashki të vendit të mbetura vakante pas dorëheqjeve të kryetarëve, ndërsa Tirana vijon të jetë pezull deri në një vendim të Gjykatës Kushtetuese për ligjmërinë e shkarkimit të kryetarit Erion Veliaj, i cili ndodhet në paraburgim nën akuzë për korrupsion.
Në bashkitë Vlorë, Berat, Tepelenë, Cërrik dhe Mat zgjedhjet do të mbahen më 9 nëntor dhe kryetarët e rinj do të qëndrojnë në detyrë për gati 1 vit e gjysmë deri në zgjedhjet e ardhshme vendore të vitit 2026.
Pesë bashkitë drejtoheshin më parë nga Partia Socialiste dhe tre prej tyre mbetën vakante pasi kryebashkiakët Agron Malaj në Mat, Ervin Demo në Berat dhe Tërmet Peçi në Tepelenë dhanë dorëheqjen për t’u bërë deputetë të Kuvendit të Shqipërisë. Kryebashkiaku i Vlorës, Ermal Dredha dha dorëheqjen, ndërsa ai i Cërrikut, Andi Salla u emërua ministër i Bujqësisë në kabinetin e “Ramës”.
Për shkak të afateve të ngutshme kohore për regjistrimet në KQZ, fushata zyrtare është vetëm një javë dhe nis më 1 nëntor, pavarësisht se kandidatët e kanë nisur fushatën e tyre.
Në garë janë kandidatë të Partisë Socialiste, që vijnë kryesisht nga një karrierë politike lokale dhe në administratën lokale të qyteteve ku kandidojnë, ndërsa opozita dhe Partia Demokratike kanë preferuar të mos kandidojnë emra politikë në këto zgjedhje, duke mbështetur kandidatë të pavarur.
Në Bashkinë e Vlorës, Partia Socialiste kandidon me Brunilda Mersinin, mjeke në profesion dhe ish-drejtuese e Spitalit Rajonal të Vlorës. Për të kandiduar, Mersini dha dorëheqjen nga mandati i deputetes që fitoi në zgjedhjet e 11 majit.
Përballë saj është kandidati i pavarur Dionis Sota, një sipërmarrës dhe drejtues i shoqatës turistike rajonale “Arta”. Sota mbështetet nga Partia Demokratike dhe Lëvizja Shqipëria Bëhet.
KQZ nuk e regjistroi kandidatin e tretë, Gjergji Nika si të pavarur, pasi nuk kishte ndjekur procedurën e propozimit nëpërmjet një Komiteti Nismëtar.
Në Berat, socialistët i besojnë kryetarit aktual të komanduar të bashkisë, Ervin Ceca, i cili ka shërbyer dhe si kryetar i këshillit bashkiak. Përballë tij garon biznesmeni Pavlo Shkarpa i regjistruar si kandidat i pavarur dhe që mbështetet nga opozita.
Në Mat, PS i ka besuar kandidatutën Altin Bonjit, drejtues në administratë vendore dhe kryetar i Këshillit Bashkiak. Por socialistët futen të ndarë në fushatën e shkurtër për bashkinë, pasi në garë kandidon si e pavarur edhe Suzana Pasha, me karrierë politike në degën e PS-së si kryetare e forumit të gruas.
Demokratët nga ana tjetër mbështesin si kandidat të pavarur avokatin Eduart Brahilika.
Në Cërrik, socialistët propozojnë Florenc Dokën po ashtu me eksperiencë të gjatë administrative në nivel vendor dhe bashki, ndërsa përballë ka dy kandidatë nga opozita, kandidatin e pavarur që mbështetet nga demokratët, Amarildo Hoxha me profesion mjek dhe Eligert Himën si kandidat i “Shqipëria Bëhet”.
Në Tepelenë, socialistët garojnë me ish-kreun e Gardës së Republikës, Gramoz Sako, ndërsa demokratët mbështesin kandidatin e pavarur, Gabriel Guma, një 26 vjeçar arkitekt me profesion.
Për monitoruesit e zgjedhjeve, votimet e 9 nëntorit nuk pritet të sjellin ndonjë suprizë në drejtimin e këtyre bashkive.
Rigels Xhemollari, drejtues i organizatës “Qëndresa Qytetare” i tha BIRN-it se “nuk i shoh dot si zgjedhje, por si riemërime, përsa kohë që në këto bashki të vogla ka mbetur shumë pak mandat”. Sipas tij, kryebashkiakët që do të dalin nga këto zgjedhje do të kenë gjithashtu pak gjë në dorë, pasi këshillat i kontrollon mazhoranca dhe mbetet “vetëm një buxhet për t’u miratuar”.
Xhemollari sheh me shqetësim ajo që ndodh me kryetarët e bashkive që japin dorëheqjen nga mandati, duke shkaktuar kosto shtesë për qytetarët.
“Për mua janë shqetësuese transferimet tek ekzekutivi ose nga bashkitë drejt parlamentit, të cilat prodhojne kosto për administratën zgjedhore e për rrjedhojë për buxhetin e shtetit,” tha Xhemollari.






















