Politika 17 October 2025, 21:50 Nga VNA

Berisha e quajti mitingun të përdorur politikisht, PD e mohoi urdhrin për bojkot — vetëm dy deputetë shkuan në protestë

Ndaje në Whatsapp
Berisha e quajti mitingun të përdorur politikisht, PD e mohoi urdhrin

Në orët e para të ditës, Sali Berisha foli me tone të forta në mbështetje të liderëve të UÇK-së, por njëkohësisht akuzoi Edi Ramën se po “përdor kauzën për qëllime politike”. Deklarata e tij, e dhënë gjatë konferencës për shtyp, u interpretua menjëherë si një sinjal për distancim të Partisë Demokratike nga mitingu i organizuar në Tiranë. Dhe faktet në terren e përforcuan këtë përshtypje: përveç Bujar Leskajt dhe Besart Xhaferajt, asnjë deputet tjetër demokrat nuk u pa në protestë.

Në fjalën e tij, Berisha deklaroi se nuk ka parë “në mënyrë absolute asnjë fakt që të provojë ndonjë nga akuzat ndaj ish-udhëheqësve të luftës dhe udhëheqësve politikë të Kosovës”, duke e cilësuar procesin në Hagë si të padrejtë. “Uroj me zemër që ajo gjykatë të shpallë pafajësinë e tyre dhe kthimin e tyre në vendin e tyre,” tha ai.

Por, ish-kryeministri akuzoi kryeministrin Edi Rama se po përpiqet të përfitojë politikisht nga protesta:

“Përdorimi për qëllime politike i procesit është një makabritet. Edi Rama u tërhoq, por unë kam këtu dëshmitë që ai ishte parashikuar të fliste mbi një orë. E kuptoni ju? Do bëhej patriot njeriu që me aktet e tij është ndaj Kosovës po aq armik sa Aleksandër Vuçiçi,” tha Berisha.

Pasditen e sotme, Partia Demokratike publikoi një reagim zyrtar duke mohuar kategorikisht ekzistencën e ndonjë urdhri për bojkotim të mitingut. Në deklaratën e shpërndarë për media, zyra e shtypit theksonte:

“Partia Demokratike nuk ka dhënë asnjë urdhër, verbal apo me shkrim, që përfaqësues apo mbështetës të saj të mos jenë në mitingun mbështetës për ish-krerët e UÇK-së. Spekulimi banal i ndonjë medieje se ky urdhër ekziston është pjesë e skenarit anti-opozitar të Ramaduros.”

Në thelb, rrjedha e ditës la pas një konfuzion të dukshëm në selinë blu. Nga njëra anë, Berisha e cilësoi mitingun si të manipuluar nga Rama, duke i dhënë sinjal deputetëve të mos ekspozoheshin politikisht; nga ana tjetër, zëdhënësi Alfred Lela u detyrua të “zbusë” mesazhin duke sqaruar se PD nuk ka dhënë asnjë urdhër për bojkot.

Rezultati praktik? Një prani minimale e përfaqësuesve të opozitës në një protestë që në çdo tjetër rrethanë do të kishte qenë një kauzë e natyrshme për Partinë Demokratike.

Video

Vila e fshehur e Belinda Ballukut në Palasë/ SPAK: Arbër Abazi financoi punimet, bashkëjetuesja e tij i mbikëqyrte.

SPAK zbardh emailet për vilën e fshehur të Ballukut/ Punonjësit e Samir Manes ngritën alarmin: Pse prona e Igli Tares po i dorëzohej Lorela Reçit?

Ilir Beqaj shfaqet në GJKKO për herë të parë që prej zbutjes së masës së sigurisë.

Deputeti i PD-së, Luan Baçi, paraqitet në SPAK, i shoqëruar nga avokati i tij.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme