Seanca plenare në Kuvend u hap me debate lidhur me çështjen e zëvendëskryeministres Belinda Balluku, pas kërkesës së opozitës për shqyrtimin e autorizimit për masë sigurie ndaj saj.
Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, kërkoi nga kryetari i Kuvendit mbledhjen e Këshillit të Mandateve për të shqyrtuar kërkesën e SPAK për arrestimin e Ballukut. Bardhi akuzoi mazhorancën se është kthyer në “mburojë të zyrtarëve të korruptuar” dhe se po pengon drejtësinë. Sipas tij, ndryshimet e propozuara nga PS në nenin 242 të Kodit të Procedurës Penale janë antikushtetuese dhe synojnë mbrojtjen e zyrtarëve nga ligji.
"Për 2 muaj i mbushët kokën shqiptarëve që një zv.kryeministre nuk mund të pezullohet se gëzon imunitetin e deputetes. Morëm përgjigje nga Gjykata Kushtetuese se pezullimi nga detyra nuk hyn në çështjen e imunitetit. Pas Gjykatës Kushtetuese nxorët një tjetër justifikim: do të presim të zbardhet vendimi." tha Bardhi
Nga ana tjetër, kreu i grupit të PS, Taulant Balla, u përgjigj se në Kuvend nuk ka kërkesë për heqje imuniteti, pasi deputetët dhe ministrat nuk gëzojnë imunitet penal, por ka kërkesë për dhënie autorizimi për masë sigurie. Ai njoftoi se Këshilli i Mandateve do të mblidhet të hënën, më 23 shkurt, ora 10:00.
Balla akuzoi Bardhin për keqinterpretim të një vendimi të Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë, duke theksuar se nuk ka një vendim unanim “8 me 0” siç pretendon opozita.
Sa i përket kërkesës për dhënie autorizmi, si anëtar i atij këshilli, jeni njoftuar në datën 23 ora 10:00 për të vijuar me mbledhjen. Të gënjesh është edhe profesion dhe ju e ushtroni në mënyrë shembullore. Thatë që ka vendim të Kushtetueses 8 me 0, se unë di dhe publiku di, ja ku i kemi dhe gazetarët aty lart që nuk ka një vendim. Sa i përket 8 me 0, po ka një vendim në leximin pa jurisprudencë vendim 8 me 0, ka 4 anëtarë që thonë që GJKKO ka ndërhyrë në kompetencat e kryeministrit, parlamentit dhe presidentit, por nuk kanë rënë dakord për mënyrën se si zgjidhet. 4 thonë të zgjidhë Kuvendi, 4 thonë ta zgjidhë Gjykata”, tha Balla.
Debatet u shoqëruan me replika të ashpra politike. Balla ironizoi opozitën, duke përmendur edhe deklaratat e David McAllister gjatë vizitës në Tiranë, ndërsa Bardhi e akuzoi Ballën për ndërhyrje te SPAK dhe në Policinë e Shtetit lidhur me një çështje pronash të sekuestruara.
Në debat ndërhyri edhe kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, i cili kërkoi që dosja e SPAK t’u vihet në dispozicion të gjithë deputetëve përpara votimit, duke akuzuar mazhorancën se nuk respekton procedurat.
Ndërkohë Ulsi Manja, deklaroi se sipas njoftimit të Gjykatës Kushtetuese, GJKKO ka ndërhyrë në kompetencat e Këshillit të Ministrave në rastin e pezullimit nga detyra të Ballukut. Ai theksoi se çështja e imunitetit rregullohet nga neni 73 i Kushtetutës dhe se ndryshimet e propozuara nga PS janë rregullime proceduriale, jo zgjerim i imunitetit.
Kur të vijë këtu nisma, ta bëjmë debatin kushtetues dhe juridik për ndryshimin tonë, jemi gati që t’u përgjigjemi juve se ndryshimi jonë është imuniteti iluziv. Është rregullim procedurial jo zgjerim i imunitetit. A ka të drejtë prokuroria të hetojë apo Gjykata të vendosë masa, po. E keni mbaruar juridikun në kohëra të tjera!”, tha ai.






















