Politika 30 Korrik 2025, 19:28 Nga VNA

‘Arbitrar’: Projekti i Kodit Penal kritikohet edhe për cënimin e lirisë së shprehjes

Ndaje në Whatsapp
‘Arbitrar’: Projekti i Kodit Penal kritikohet edhe për

Një projekt i qeverisë për të miratuar një Kod të ri Penal, i bërë publik më 25 korrik nga ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, është pritur me kritika të forta nga aktorë të ndryshëm të shoqërisë dhe institucionet e pavarura të drejtësisë, si një projekt që cënon liritë e individit.

Disa nene që lidhen me ndalimin e komenteve për gjyqtarët apo publikimet e dosjeve hetimore kanë shqetësuar veçanërisht organizatat për lirinë e medias, të cilat i shohin ato si një përpjekje për të kufizuar lirinë e shprehjes.

Neni 534 i draftit me titull ‘ndikimi në pavarësinë e gjykatës’ ndalon bërjen apo publikimin e komenteve me të cilat synohet të ushtrohet ndikim në aftësinë e gjykatës për të marrë vendimet, nen që sipas Flutura Kusarit, këshilltare e lartë ligjore në Qendrën Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe të Medias (ECPMF), është një ndërhyrje në punën e medias dhe aktorëve të shoqërisë civile.

“Neni është draftuar qëllimisht në mënyrë të përgjithësuar dhe të paqartë për t’ia mundësuar prokurorisë, policisë dhe gjykatave që t’a interpretojnë si të duan dhe ta përdorin kundër gazetarëve dhe të tjerëve,” i tha Kusari BIRN-it, ndërsa shton se “rrjedhimisht, draft neni ia mundëson organeve të ndjekjes që të ndjekin penalisht secilin individ që komenton një rast gjyqësor para se të vendoset nga ana e gjykatës, duke e bërë kështu të pamundur komentimin e rasteve penale”.

Kusari sugjeron se ky nen është propozuar pikërisht në një moment ku figura të larta politike nga Partia Socialiste dhe nga partitë tjera janë duke u ndjekur penalisht për abuzim me pushtetin dhe korrupsion dhe kështu u pamundëson gazetarëve dhe të tjerëve që të monitorojnë këto raste penale dhe të informojnë publikun për zhvillimet rreth tyre.

Sipas saj, propozimi ligjor “është arbitrar, cënon rëndë të drejtën e lirisë së shprehjes, ndikon në uljen e transparencës së sistemit gjyqësor dhe do të ketë efekt frenimi (chilling effect) në shoqëri”.

Edhe Blerjana Bino, drejtuese e Qendrës “Shkencë dhe Inovacion për Zhvillim”, SciDev, e sheh me shqetësim draftin e qeverisë për Kodin Penal, që sipas saj, “cenon drejtpërdrejt lirinë e shprehjes dhe krijon rreziqe serioze për lirinë e medias në Shqipëri”.

“Ndryshimet e propozuara në nenet 119 dhe 120 për fyerjen dhe shpifjen jo vetëm që nuk përmbushin rekomandimet tona të përsëritura, por edhe të institucioneve evropiane për dekriminalizimin e këtyre veprave, por përkundrazi, shtojnë sanksione penale dhe e zgjerojnë fushën e zbatimit në mënyrë që mund të ketë efekt frikësues ndaj gazetarëve, aktivistëve dhe qytetarëve të angazhuar dhe rojtarëve publikë,” tha Bino.

Sipas Binos, “zgjerimi i përgjegjësisë penale për komentet e bëra në media, rrjete sociale apo përmes akteve publike, rritja e gjobave, si dhe paqartësitë në formulimet ligjore, përbëjnë një rrezik të shtuar për abuzim dhe selektivitet në zbatim”.

Ajo po ashtu vë theksion tek dispozitat si ato që justifikojnë deklarata të dëmshme të bëra “në gjendje zemërimi”, të cila, sipas saj, “mund të përdoren për të shmangur përgjegjësinë e aktorëve të pushtetshëm, duke krijuar standarde të dyfishta”

Kusari dhe Bino bëjnë thirrje që këto propozime ligjore të përshtaten me standardet e Këshillit të Evropës dhe praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Edhe eksponentë të opozitës kanë ngritur shqetësimin për nenet që prekin lirinë e shprehjes. Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, në një reagim publik të mërkurën tha se draftpropozimet në këtë kod vendosin censurën, godasin lirinë e shprehjes dhe cënojnë gazetarët në ushtrimin e profesionit.

“Nene autokratike, të ngjashme me vendet diktatoriale,” i quajti Zhupa propozimet që lidhen me komentet mbi gjyqtarët dhe publikimin e ‘sekretit hetimor’.

Kritika nga institucionet e drejtësisë

Gjatë prezantimit të draftit qeveritar, kritika e parë erdhi nga kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, i cili foli për një mungesë konsultimi dhe informimi të organeve të drejtësisë në përgatitjen e Kodit të ri Penal.

Në mungesë të njohjes së draftit, ai bëri thirrje për reflektim të thelluar, profesional dhe institucional dhe një Kod Penal që të garantojë drejtësi më efektive dhe më humane dhe shmangjen e përkufizimeve të paqarta të veprave penale.

Drafti u kundërshtua dhe nga Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, i cili në një deklaratë për mediat të martën kritikoi qeverinë për mungesën e një procesi konsultimi paraprak dhe vënien në rrezik të sistemit të drejtësisë.

“Mungesa e këtij procesi përbën një gabim fatal strukturor në ngritjen e kësaj ngrehine, që në vend se të ishte produkt i një rrjedhe të natyrshme institucionale dhe shoqërore si domosdoshmëri historike, në fakt nuk përfaqëson më shumë se një veprim të nxituar që rrezikon të minojë në mënyrë të pariparueshme mirëfunksionimin e sistemit të drejtësisë penale në vend,” deklaroi Çela.

Sipas tij, një kod i ri penal në një moment të vështirë për sistemin e drejtësisë “do të thellonte shumëfish kaosin në hetim dhe proceset gjyqësore, për shkak të konfuzionit të paevitueshëm që do të sillte zbatimi i normave të reja penale”.

Të mërkurën reagoi dhe Dhoma e Avokatisë, duke e cilësuar draftin si “inkuizitor” me dënime represive si në kohën e regjimit komunist dhe me nene diskriminuese dhe në kundërshtim me parimet e avokatisë.

Duke kundërshtuar draftin e qeverisë, Maks Haxhia, kryetari i Dhomës së Avokatisë, tha për mediat se kishte pasur mungesë transparence në hartimin e tij, nuk përligjte nevojën dhe se binte në kundërshtim me legjislacionin penal europian.

“Nuk kemi prezencën e nevojës pse duhet kod i ri. Nuk është si rrjedhojë e nevojës së organeve të drejtësisë,” tha ai, duke paralajmëruar kundërshtimin e tij edhe në rrugë ligjore në Gjykatën Kushtetuese nëse miratohet në Kuvend./BIRN/

 

Video

Donald Trump u përplas me ambasadorin e Australisë në Shtetet e Bashkuara, Kevin Rudd, gjatë një deklarate me gazetarët që mbulonin vizitën e kryeministrit australian Tony Albanese në Uashington. Gjatë konferencës, një gazetar australian e pyeti presidentin amerikan nëse kishte ndonjë shqetësim në lidhje me qeverinë australiane — veçanërisht për shkak të komenteve kritike që Rudd kishte bërë në të kaluarën për të, kohë kur ai shërbente si kryeministër. Trump reagoi menjëherë duke thënë: “As mua nuk më pëlqen, dhe ndoshta nuk do të më pëlqesh kurrë.” Komentet kritike të Rudd ndaj Trump datojnë në vitin 2020, kur ai e kishte cilësuar atë në rrjetet sociale si “presidentin më shkatërrues në histori”. Postimi u fshi më vonë, por duket se nuk është harruar nga presidenti amerikan.

Një tornado e fuqishme ka goditur rajonin Val d’Oise, në veri të Parisit, ku një person ka humbur jetën dhe disa të tjerë janë plagosur. Pamje të publikuara në rrjetet sociale tregojnë momentin kur dy vinça gjigantë rrëzohen nga forca e erës, ndërsa dëmet materiale në zonat e prekura janë të konsiderueshme. Tornado e rrallë për këtë rajon ka shkaktuar panik në disa zona të periferisë së Parisit, ndërsa ekipet e emergjencës janë në terren për të ndihmuar të prekurit dhe për të vlerësuar shkallën e dëmeve. Autoritetet u kanë bërë thirrje banorëve të qëndrojnë të sigurt dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme derisa situata të stabilizohet.

Një granatë dore e periudhë së Luftës ka shpërthyer sot në fshatin Gështenjas të Pogradecit, duke plagosur një 49-vjeçar. Gentian Yzellari po punonte në oborrin e banesës së tij kur gjatë punës me një mjet bujqësor ka aktivizuar aksidentalisht një granatë dore që ndodhej nën tokë. Si pasojë e shpërthimit, ai ka pësuar dëmtime në trup dhe në fytyrë. Yzellari po merr trajtim mjekësor në Spitalin e Pogradecit dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërkohë që po shqyrtohet mundësia e transportimit të tij drejt Tiranës për mjekim më të specializuar.

Një avion i kompanisë Air China u detyrua të bënte një ulje emergjente pasi një bateri brenda në një çantë dore shpërtheu në flakë gjatë fluturimit. Incidenti ndodhi në një linjë ajrore që udhëtonte nga aeroporti i Hangzhou drejt Koresë së Jugut, duke shkaktuar panik mes pasagjerëve. Një pasagjer tha se dëgjoi një shpërthim të fortë disa sekonda para se të shpërthente zjarri në ndarjen e sipërme të bagazheve. Pavarësisht situatës së rrezikshme dhe tymit që mbushi kabinën, asnjë pasagjer nuk u lëndua, ndërsa piloti realizoi një ulje të sigurt emergjente. Kompania tha se po heton shkakun e incidentit dhe do të forcojë kontrollet për pajisjet elektronike në bord.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme