Politika 22 Shtator 2025, 18:08 Nga VNA

Akuzat e Ramës ndaj magjistratëve, BE thotë se i ndjek nga afër përpjekjet për ndërhyrjet politike

Ndaje në Whatsapp
Akuzat e Ramës ndaj magjistratëve, BE thotë se i ndjek nga

Zyra e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri shprehet se i ndjek nga afër zhvillimet në sistemin e drejtësisë, përfshirë dhe përpjekjet për ndërhyrje të papërshtatshme politike. Në një përgjigje që delegacioni i BE-së i ktheu BIRN të hënën lidhur me sulmin e fundit të kryeministrit Edi Rama ndaj gjyqtarit të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, Marko Boshko dhe një vendimmarrje të tijën, vëren se mbështetja për një sistem drejtësie të pavarur, të përgjegjshëm dhe efektiv, mbetet në qendër të misionit të këtij delegacioni dhe një kusht kyç për përparimin në negociatat e anëtarësimit në BE.

“BE-ja ndjek nga afër zhvillimet në këtë fushë, përfshirë përpjekjet për ndërhyrje të papërshtatshme politike që cenojnë pavarësinë e gjyqësorit dhe që gjithashtu mund të gërryejnë besimin e publikut tek sistemi i drejtësisë. Në këtë kontekst, Raporti mbi Sundimin e Ligjit dhe Raporti Vjetor për Shqipërinë ofrojnë vlerësime mbi situatën në vend”, citohet në përgjigjen e delegacionit të BE-së.

Në Raportin mbi Sundimin e Ligjit të BE-së të vitit 2025 për Shqipërinë, konstatohet ndër të tjera se, ndërsa qëndrueshmëria e gjyqësorit është përmirësuar, përpjekjet për ndikim të tepruar në sistemin gjyqësor nga zyrtarët publikë ose politikanët janë përkeqësuar.

“…Përpjekjet e zyrtarëve publikë ose politikanëve për të ushtruar ndërhyrje dhe presion të padrejtë mbi sistemin gjyqësor ngrenë shqetësime serioze”, citohet në raport dhe sillet si shembull reagimi pas arrestimit në shkurt të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj. Në raport thuhet se arrestimi i një të zgjedhuri në shkurt, shkaktoi reagime të papara publike nga degët ekzekutive dhe legjislative, përfshirë përpjekjet për të ushtruar presion mbi SPAK-un dhe institucionet gjyqësore.

Kryeministri Edi Rama ka filluar prej dy muaj e gjysmë një seri sulmesh ndaj magjistratëve. Deklaratat e kryeministrit janë dënuar nga Unioni i Gjyqtarëve dhe Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve – dy grupime vullnetarëve të trupës së gjyqtarëve. Ndërsa dy institucionet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë, Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë kanë qëndruar të heshtura ose kanë kryer reagime pa adresë konkrete.

Rama ka targetuar personalisht gjyqtarët e Gjykatës Administrative, Ligoraq Toshi, Klarent Demiri, Hazbi Balliu dhe Marko Boshku, duke kundërshtuar vendimet e tyre përmes etiketimeve fyese.

Pas sulmit të radhës të kryeministrit ndaj gjyqtarit Marko Boshku, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve e cilësoi veprimin e numrit një të qeverisë në kufijtë e veprës penale dhe si një tentativë për uzurpimin e pushtetit gjyqësor. Shoqata kërkoi reagimin e KLGJ-së dhe partnerëve ndërkombëtarë, për një pozicionim të qartë në mbrojtje të sistemit gjyqësor.

Më parë, më 7 korrik, kryeministri sulmoi prokuroren e Shkodrës, Elsa Gjeli për mosfillimin e një çështjeje të referuar nga policia dhe Bashkia Shkodër për ndërtim pa leje në Theth. Rama i referohej një serie kabinash pushimi të ndërtuara pranë kishës së fshatit, për të cilat ai tha se ishin vepër e një individi të paarritshëm nga krahu i ligjit.

Kryeministri deklaroi atëherë se Inspektoriati dhe Policia e Shtetit kishin konstatuar ndërhyrje brutale, por prokuroria nuk kishte shpallur në kërkim të menjëhershëm personin përgjegjës.

Qëndrimi i Ramës u kundërshtua menjëherë nga Prokuroria e Shkodrës, që përmes një reagimi të rrallë për këto raste i doli në mbrojtje prokurores dhe vuri në dukje se ishin institucionet në varësi të qeverisë, Policia dhe Bashkia Shkodër, që e kishin referuar çështjen si kundërvajtje dhe jo si vepër penale.

Gjeli depozitoi në KLP kërkesë kundër deklaratave të kryeministrit që i cilësoi si fyerje dhe diskreditim të figurës së magjistratit, ndërsa qeveria u kundërpërgjigj përmes një ankese të dorëzuar pranë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, ILD, nga ana e ish-ministrit të Drejtësisë Ulsi Manja.

Me vendim të datës 17 shtator, ILD konstatoi se nuk kishte elementë juridikë dhe faktikë nga ku mund të krijohej një dyshim i arsyeshëm për fillimin e procedimit disiplinor ndaj prokurores Elsa Gjeli. Për këtë arsye, ka vendosur arkivimin e kësaj çështjeje. Gjatë një takimi të zhvilluar dy ditë pas kësaj vendimmarrje, Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani, evidentoi ndër të tjera se prej kohësh sistemi gjyqësor është nën një trysni, për të ushtruar detyrën ose jo në një formë të caktuar, situatë që e cilësoi si antikushtetuese./BIRN/

 

 

Video

“El Clasico”-ja e parë e sezonit përfundoi me tensione të forta pas fitores 2-1 të Real Madridit ndaj Barcelonës në “Santiago Bernabeu”. Pas kartonit të kuq për Pedrin në minutën e 100’, situata në fushë doli jashtë kontrollit. Gjithçka nisi me një përplasje mes Lamine Yamal dhe Dani Carvajal në fund të duelit. Në debat u përfshi edhe portieri Courtois, duke e acaruar më tej situatën. Lojtarë nga të dyja skuadrat ndërhynë për t’i ndarë, por tensioni u rrit edhe më shumë kur Yamal u përplas verbalisht me Vinicius Junior. Pas disa sekondash përplasjeje dhe shtyrjesh, Yamal u tërhoq drejt daljes për në tunel, por Vinicius u pa duke e ndjekur me vrap, ndërsa stafet teknike ndërhynë për të shmangur përshkallëzimin e situatës. Pavarësisht incidenteve, Reali i Madridit ruajti fitoren 2-1 me golat e Mbappes dhe Bellingham, ndërsa pas ndeshjes pritet që komisioni i disiplinës të analizojë ngjarjet e ndodhura në fundin e sfidës.

Një video e përleshjes midis një burri me uniformë naziste dhe një gruaje në Georgia, SHBA, po bën xhiron e rrjeteve sociale. ? Burri, i identifikuar si Kenneth Leland Morgan, shihet në video duke mbajtur një uniformë që ngjan me atë naziste, e kompletuar me një shirit të kuq në krah që mban simbolin e kryqit të thyer. Pamjet tregojnë momentin kur ai shtyhet jashtë një bari nga një grua dhe më pas përballet me disa persona të tjerë. Në video shihet momenti kur ai godet gruan pasi ajo përpiqet t’i heqë shiritin nga krahu.

Më shumë se 50,000 njerëz dolën në rrugët e qytetit lindor të Valencias të shtunën, për të shënuar përvjetorin e parë të përmbytjeve shkatërruese të vitit të kaluar dhe për të protestuar kundër mënyrës se si autoritetet menaxhuan katastrofën. Demonstruesit, shumë prej të cilëve mbanin fotografi të viktimave, i bënë thirrje udhëheqësit rajonal Carlos Mazón që të japë dorëheqjen, duke e akuzuar për reagim të ngadaltë dhe neglizhencë ndaj një prej fatkeqësive më vdekjeprurëse që ka goditur Evropën në dekadat e fundit.

Që prej mbrëmjes së kaluar, verilindja e vendit është përfshirë nga reshje të dendura dhe të pandërprera shiu, të cilat kanë shkaktuar vështirësi të shumta në qarkullimin rrugor dhe në disa raste edhe dëmtime infrastrukturore. Situata më problematike është regjistruar në qarkun e Kukësit, ku prania e ujit dhe rrëshqitjet e dherave kanë krijuar pengesa serioze në disa akse kryesore. Në rrugën hyrëse të qytetit të Kukësit, skarpata e rrugës është shembur duke rrëzuar një masiv të madh dherash dhe inertesh, me vëllim dhjetëra metërkubësh, çka solli bllokimin e përkohshëm të qarkullimit të mjeteve. Fenomeni i rrëshqitjes së dherave dhe rënies së gurëve është vërejtur edhe në disa akse të tjera rrugore të qarkut. Probleme janë raportuar në rrugët që lidhin Kukësin me Shishtavecin, Kukësin me Peshkopinë, Kukësin me Fushë-Arrëzin, si dhe në aksin që lidh Bajram Currin me Luginën e Valbonës dhe Lekbibajn. Në këto segmente, reshjet e shumta kanë bërë që uji dhe inertet të mbulonin pjesërisht rrugët, duke krijuar rrezik për drejtuesit e mjeteve dhe vonesa në qarkullim. Ndërkohë, në zonën e Shtiqenit, pranë aeroportit të Kukësit, është raportuar përmbytja e një sipërfaqeje të konsiderueshme toke bujqësore. Në disa fshatra të qarkut janë shënuar gjithashtu ndërprerje të energjisë elektrike si pasojë e motit të keq dhe e dëmtimeve të përkohshme në rrjetin e shpërndarjes. Reshjet vijojnë me intensitet të lartë edhe gjatë ditës së sotme, duke krijuar vështirësi shtesë në qarkullim, veçanërisht në “Rrugën e Kombit”, ku prania e ujit në disa segmente e bën lëvizjen më të rrezikshme.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme