
Kryeministri Edi Rama, gjatë fjalës së tij të parë në parlament ditën e sotme, pati dhe një paralajmërim për opozitën të cilën e quajti këshillë. Sipas tij, nëse opozita do vazhdojë me zhurma dhe tensione, mazhorancës nuk i mbetet gjë tjetër vetëm të vij në seancë për të votuar ligjet dhe të iki.
“Pakicës do ti them që nuk është puna jonë se çfarë bëni jashtë kësaj salle, por në këtë sallë do keni vëmendjen tonë dhe gjithë kohën që do të dëshironi nëse do të harroni përdorimin e trupit, duarve e këmbëve si argument dhe të zhurmës e rënies me dorë të tavolinave si alternativë. Në të kundër prania jonë këtu, do të zgjasë sa një proces votimi. Mbajeni parasysh këtë”, u shpreh Rama.
Dhe në fakt kështu ndodhi pak minuta pas këtij paralajmërimi. Pas fjalës së ministres virtuale Diella, opozita ka shkaktuar zhurmë në sallë dhe kaq ka mjaftuar që Peleshi të zbatonte atë që tha kryeministri duke mbyllur diskutimet për programin dhe duke kaluar direkt në votim.
Mazhoranca mesa duket e ka seriozisht me këtë praktikë, duke qenë se paralajmërimin e kryeministrit e ka përsëritur për mediat jashtë sallës së Kuvendit edhe ministri i Shtetit, Toni Gogu. Në fjalën e tij, Gogu u përpoq të theksonte se Parlamenti është hapësira e opozitës dhe se mazhoranca është e vendosur të garantojë debatin parlamentar, por paralajmëroi se nëse situata degjeneron, atëherë Partia Socialiste nuk do të marrë pjesë në seanca që kthehen në arenë përplasjesh.
“Kuvendi i takon opozitës, ne kemi ardhur për shkak se kemi detyrimin ndaj shqiptarëve që na kanë votuar. Debati parlamentar është në qendër të Kuvendit dhe ne do ta sigurojmë. Do të sigurojmë që opozita të ketë të gjitha hapësirat e saj. Nëse thoni që opozita fluturon Kushtetutën dhe shfaq shenja dhune verbale madje dhe fizike… Ne ishim aty, ishim gati të qëndronim deri ditën e nesërme, nëse kolegët tanë vijmë me forcën e muskujve dhe i kanosen kryeministrit dhe kabinetit, ne nuk do të jemi as të pranishëm. Shihemi në vijimësi,” – tha Gogu.
Mesazh i qartë për opozitën
Deklarata e kryeministrit dhe ministrit mund të konsiderohen si një mesazh i koduar për opozitën, duke e lënë të kuptohet se mazhoranca nuk do të tolerojë më skenarë me tymuese, bllokime podiumesh apo tentativa për konfrontim fizik me anëtarët e qeverisë. Në të njëjtën kohë, Gogu përpiqet ta paraqesë mazhorancën si palën që garanton normalitetin dhe dialogun, duke i kaluar opozitës barrën e përgjegjësisë për çdo incident.
Deklarata e Gogut vjen si një sinjal se mazhoranca kërkon t’i vërë një kufi këtij fenomeni, duke sugjeruar madje bojkot të seancave nëse shfaqen përsëri skena dhune.
Fundi i përplasjeve apo një lëvizje taktike?
Rreth kësaj deklarate mbetet pyetja: a është ky një paralajmërim serioz se mazhoranca do të tërhiqet nga çdo përplasje fizike në Kuvend, apo një manovër politike për të ekspozuar opozitën si shkaktare të krizës parlamentare?
Në një moment kur vendi po hyn në një tjetër cikël zgjedhor dhe tensionet janë të pashmangshme, mbetet për t’u parë nëse ky mesazh shënon një kthesë drejt qetësimit të jetës parlamentare apo është vetëm një element i retorikës së zakonshme politike.