Opinion 27 January 2026, 10:41 Nga VNA

Rama, Haveli dhe shqiptarët

Ndaje në Whatsapp
Rama, Haveli dhe shqiptarët

Nga Neli Demi

Kur përmendet Václav Havel, zakonisht mendohet për disidencën, burgun, heroizmin. Por Haveli nuk është interesant për shkak të vuajtjes së tij. Ai është i rrezikshëm për shkak të qartësisë së tij.

Në esenë “The Power of the Powerless” (Pushteti i të pafuqishmëve), Havel nuk analizon diktatorin. Analizon njeriun normal. Shitësin e perimeve që vendos parullën “Proletarë të të gjitha vendeve bashkohuni” në vitrinën e dyqanit të tij jo sepse beson në të, por sepse ka frikë nga pasojat e mosvendosjes së saj.

Ky akt i vogël, thotë Haveli, është themeli i pushtetit.
Jo dhuna. As policia.
Por pjesëmarrja vullnetare në gënjeshtër, e justifikuar si “mençuri”.

Sot nuk jetojmë në totalitarizëm klasik.
Por mekanizmi është i njëjtë.

Ajo që pamë dje në Izrael nga Edi Rama nuk ishte lapsus diplomatik. Ishte sjellje e strukturuar. Një akt i menduar i përuljes simbolike, i ndërtuar mbi një frikë të brendësuar: frikën e mbetjes pa mbështetje, pa mbrojtje, pa “të mëdhenj” mbi kokë.

Problemi nuk është se Rama nuk e di çfarë po ndodh. Problemi është se e di. Dhe zgjedh, në mënyrë racionale, të mos jetojë në të vërtetën, por në atë që Haveli do ta quante jetë brenda gënjeshtrës.

Në Shqipëri kjo gënjeshtër ka një emër të bukur: interes kombëtar.

Me këtë emër justifikohet edhe heshtja përballë padrejtësisë, përkulja përballë forcës, relativizimi i çdo norme morale.

Ashtu si shitësi i perimeve i Havelit, pushteti aktual në Shqipëri nuk thotë: “Kjo është e drejtë.” Thotë: “Kjo është e nevojshme.” Dhe shoqëria e pranon.

Këtu qëndron problemi i vërtetë. Jo tek Rama si individ, por tek marrëdhënia e shqiptarëve me frikën.
Ne nuk frikësohemi më nga burgu. Frikësohemi nga izolimi dhe ndëshkimi indirekt. Frikësohemi nga ideja se “pa mbështetje të jashtme, nuk ekzistojmë”. Kjo frikë prodhon servilizëm. Dhe servilizmi, kur përsëritet, shndërrohet në kulturë politike.
Haveli paralajmëronte se pushteti më i fortë është ai që nuk ka më nevojë të detyrojë. Ai që pret, sepse e di që njeriu do të përshtatet vetë, për të mbijetuar. Sot, Shqipëria nuk shtypet. Ajo përshtatet.

Dhe pyetja që duhet bërë nuk është nëse akti i Ramës ishte i tepruar apo i gabuar taktikisht. Pyetja e vërtetë është shumë më e pakëndshme: Sa gjatë do ta quajmë servilizmin realizëm dhe frikën maturi?

Sepse, siç do të thoshte Haveli, në momentin që heqim dorë nga e vërteta për të ruajtur sigurinë, pushteti nuk ka më nevojë të na mashtrojë.

Ne e bëjmë vetë.

Video

Pas përfundimit të protestës para Kryeministrisë, qytetarët kanë nisur marshimin në rrugët kryesore të Tiranës.

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky zhvilloi takimin e tij të parë me kryeministrin e ri të Britanisë së Madhe në bordin e aeroplanmbajtëses HMS Queen Elizabeth, në bazën detare të Portsmouthit. Gjatë bisedës, kryeministri britanik rikonfirmoi mbështetjen për Ukrainën, ndërsa Zelensky ftoi kryeministrin të vizitojë vendin e tij.

Të paktën dy persona humbën jetën pasi një automjet u godit nga një sulm ajror në Deir al-Balah, në qendër të Rripit të Gazës. Sipas raportimeve, sulmi u krye nga forcat izraelite, ndërsa viktimat ishin dy zyrtarë të sigurisë së Hamasit. Ushtria izraelite konfirmoi se kishte në shënjestër një militant të Hamasit.

Një vizitor i pazakontë shkaktoi panik dhe habi në një aeroport të Nju Jorkut, pasi një rakun ra papritur nga tavani i terminalit mbi udhëtarët. Ende mbetet mister se si kafsha përfundoi mbi tavan dhe çfarë po bënte aty. Pas “uljes së detyruar”, rakuni u largua me shpejtësi, duke lënë pas pasagjerë të trembur dhe një episod sa të pazakontë, aq edhe komik. Pamjet janë regjistruar në nëntor 2024, por së fundmi janë bërë virale në rrjetet sociale.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme