Rolando Maran ka publikuar listën e tij të parë si trajner i Kombëtares shqiptare për dy ndeshjet miqësore të muajit qershor ndaj Israel dhe Luxembourg.
Në listën e bërë publike nga Federata Shqiptare e Futbollit bien në sy disa emra të rinj, mes tyre talenti Luis Hasa, i cili pak kohë më parë zgjodhi të përfaqësojë Shqipërinë, si dhe sulmuesi Cristian Shpendi, që merr ftesën për këto dy sfida.
Një tjetër risi është portieri i FK Partizani, Pano Qirko, ndërsa mungon Thomas Strakosha për shkak të një dëmtimi.
Në repartin e mbrojtjes, Maran ka ruajtur thuajse të njëjtën bazë lojtarësh nga epoka e Sylvinho, me risinë e vetme që është Andi Hadroj.
Mesfusha sjell një nga surprizat më të mëdha, pasi Ernest Muçi është lënë jashtë listës, pavarësisht formës së mirë me klubin turk, ndërsa rikthehet në Kombëtare Taulant Seferi.
Në sulm, përveç Shpendit, janë grumbulluar edhe Mirlind Daku, Armando Broja dhe Myrto Uzuni.
Shqipëria do të përballet me Izraelin më 3 qershor dhe më 6 qershor do të presë Luksemburgun. Të dyja ndeshjet do të luhen në Arenën Kombëtare, duke nisur nga ora 20:00.






















