Manchester United ka përmirësuar ndjeshëm gjendjen financiare përpara merkatos së verës, pasi ka shlyer një borxh prej 110 milionë paund gjatë javëve të fundit.
Sipas raportimeve të Manchester Evening News, ky veprim i jep klubit më shumë fleksibilitet financiar dhe i krijon trajnerit Michael Carrick kushte më të mira për të ndërtuar skuadrën për sezonin e ri.
Pas shlyerjes së kredisë, “Djajtë e Kuq” pritet të kenë në dispozicion rreth 250 milionë funte, ose afro 290 milionë euro, për investime në merkato. Ndërkohë, falë rritjes së të ardhurave dhe masave të fundit për uljen e kostove, buxheti total për transferime mund të arrijë deri në 300 milionë funte.
Ky zhvillim konsiderohet një tjetër hap i rëndësishëm në procesin e ristrukturimit të klubit nën drejtimin e Sir Jim Ratcliffe, i cili ka vendosur prioritet stabilizimin financiar dhe organizativ të Manchester United.
Merkatoja verore do të hapet më 15 qershor dhe drejtuesit e klubit kanë identifikuar tashmë disa nga objektivat kryesore për përforcimin e skuadrës.






















