Kur modelja indiane Bhavitha Mandava mbërriti në këtë edicion të Met Gala, reagimet ndaj veshjes së saj u ndanë menjëherë në dy kampe.
Nga larg, krijimi i Chanel dukej thuajse i zakonshëm: një xhaketë transparente me zinxhir dhe një palë xhinse të ulëta në bel. Mes spektaklit të zakonshëm të Met Gala-s, me fustane teatrale dhe silueta ekstravagante, pamja e Mandava dukej sikur refuzonte të konkurronte për vëmendje.
Por ajo që dukej si denim, në fakt nuk ishte denim. “Xhinset” rezultuan të ishin prej mëndafshi muslin, të printuara dhe të ndërtuara për të imituar teksturën e xhinseve — një detaj që më vonë u vu në dukje nga faqet e modës.
Ky kontrast ndezi debatin. Disa e panë si një sfidë elegante ndaj teprisë së Met Gala-s, ndërsa të tjerë menduan se veshja nuk përputhej me madhështinë e eventit. Edhe mediat indiane u ndanë: një pjesë lavdëruan minimalizmin, ndërsa të tjerë thanë se momenti ishte “nënshitur”.
Debati në rrjetet sociale u bë edhe më i ashpër, duke prekur mënyrën se si përfaqësimi indian perceptohet dhe trajtohet në skenën globale të modës.
Vetë Mandava, vetëm 26 vjeç, është kthyer në më pak se dy vite nga një studente pothuajse anonime në një nga fytyrat më të ndjekura të modës botërore.
E rritur në Hyderabad të Indisë jugore, ajo u zbulua rastësisht në vitin 2024 në një stacion metroje në Nju Jork. Në atë kohë studionte arkitekturë në New York University dhe, sipas rrëfimeve të saj, po shkonte të hante biryani me një mikeshë kur u afrua nga një scout mode.
Brenda pak muajsh, ajo u shfaq në pasarelat e markave si Bottega Veneta, Dior dhe Courrèges, përpara se të lidhej ngushtë me Chanel.
Megjithatë, stili i saj mbeti i pandryshuar: i thjeshtë, i përmbajtur dhe larg spektaklit.
“Agjenti im ende tallet me faktin që shkoja në casting me xhinse dhe bluza të NYU-së që i kisha marrë falas,” tha ajo për British Vogue në shkurt. “Thjesht vishja çfarë ishte e pastër.”
Në dhjetor, Mandava hapi shfaqjen Métiers d’Art të Chanel në Nju Jork, duke u bërë modelja e parë indiane që e bën këtë. Ironikisht, skena imitonte pikërisht një platformë metroje — një referencë direkte ndaj historisë së saj të zbulimit.
Edhe aty, ajo u shfaq me një bluzë të bardhë, një triko gjysmë të hapur dhe xhinse të gjera. Një stil që tashmë duket se është kthyer në identitetin e saj estetik.
Pjesë e magnetizmit të Mandava është edhe fakti që historia e saj tingëllon e njohur: një studente larg shtëpisë, që përpiqet të ndërtojë jetën në Nju Jork mes klasave, afateve dhe rutinës së përditshme.
Edhe sot, ndërsa karriera e saj po shpërthen, ajo vazhdon të flasë më shumë për studimet, familjen dhe ritmin e jetës sesa për mitologjinë e modës.
Në një intervistë për revistën People, Mandava e përshkroi modelingun si “diçka magjike dhe ushqyese”, ndërsa pranoi se ende ndihet e habitur nga shpejtësia me të cilën i ka ndryshuar jeta.
Një nga momentet më të komentuara online ishte videoja që ajo publikoi kur hapi sfilatën e Chanel: prindërit e saj në Indi duke e parë në televizor, me të ëmën që përsëriste emrin e saj mes mosbesimit dhe krenarisë.
Në rrjetet sociale, ajo vazhdon të ruajë të njëjtin ton minimalist. Në bio-n e saj në Instagram e përshkruan veten si “një mi laboratorik në Brooklyn”, një frazë që bie në kontrast me faktin se sot përfaqëson disa nga shtëpitë më të mëdha të modës në botë.
Pas debatit për Met Gala-n, Mandava nuk reagoi publikisht ndaj kritikave. Ajo thjesht publikoi fotografi nga mbrëmja në Instagram, pa komentuar polemikat.
Më vonë, për British Vogue, tha se veshja ishte një mënyrë për të “mbajtur gjallë atë kujtim” — duke transformuar rrobat që lidhen me momentin kur u zbulua, në diçka më elegante, por ende thellësisht të sajën.






















