Kronika 23 December 2025, 18:14 Nga VNA

“Zgjohet” Autoriteti i Konkurrencës, nis hetim për rritjen e biletës së urbanit Kamëz–Tiranë

Ndaje në Whatsapp

“Zgjohet” Autoriteti i Konkurrencës, nis hetim për rritjen

Dy muaj pas vendimit të Bashkisë Kamëz për rritjen e çmimit të biletës së transportit urban, i shoqëruar me akuza për konflikt të hapur interesi, Autoriteti i Konkurrencës ka vendosur të nisë një hetim paraprak për këtë rast.

Institucioni bën me dije se hetimi është hapur pas ankesave të depozituara dhe shqetësimeve të bëra publike në media lidhur me rritjen e çmimeve të biletave dhe aboneve të transportit urban në Bashkinë Kamëz. Sipas Autoritetit të Konkurrencës, hetimi synon analizimin e kushteve të konkurrencës së lirë dhe efektive në tregun përkatës.

Fokusi i hetimit do të jetë kryesisht te linjat Kamëz–Tiranë–Kamëz dhe Paskuqan–Babrru–Tiranë, të cilat shërbejnë për një numër të madh qytetarësh çdo ditë. Nga dokumentacioni zyrtar i administruar rezulton se shoqëria SHPRESA – AL SHPK është i vetmi operator i licencuar për ofrimin e këtij shërbimi në këto linja, duke zotëruar një pozitë dominuese në treg, në kuptim të Ligjit “Për mbrojtjen e konkurrencës”.

Autoriteti i Konkurrencës thekson se nga vlerësimi paraprak nuk janë administruar analiza të plota ekonomike apo financiare që të provojnë se rritja e tarifave të biletave dhe aboneve mbështetet në rritje reale të kostove, është ekonomikisht e nevojshme dhe e justifikuar mbi baza objektive të tregut.

Hetimi paraprak do të shtrihet në periudhën nga 1 janari 2025 deri më 12 dhjetor 2025 dhe ka për qëllim vlerësimin nëse sjellja e ndërmarrjes SHPRESA – AL SHPK mund të përbëjë kufizim, shtrembërim ose pengim të konkurrencës, sipas parashikimeve të Ligjit nr. 9121/2003.

Kujtojmë se rritja e çmimit të biletës në linjën Kamëz–Tiranë nga 40 në 50 lekë, si dhe rritja e çmimit të abonesë mujore nga 1200 në 1400 lekë, është shoqëruar me dyshime serioze për konflikt interesi. Më herët, VNA ka publikuar dokumente që tregojnë se personat që kanë propozuar, mbështetur dhe votuar shtrenjtimin e tarifave janë njëkohësisht drejtues të kompanisë “Shpresa.al”, e cila përfiton drejtpërdrejt nga ky vendim.

Propozimi për rritjen e tarifave është bërë nga Dashnor Memaj, kryetar i Shoqatës së Transportit Urban dhe Ndërqytetës, i cili e ka justifikuar publikisht shtrenjtimin me rritjen e kostove të mirëmbajtjes dhe karburantit, si dhe mungesën e subvencioneve shtetërore. Megjithatë, të dhënat publike dhe informacionet e disponueshme tregojnë se Memaj mban edhe postin e drejtorit në kompaninë “Shpresa.al”, subjektin privat që operon linjat ku u aplikua rritja e çmimeve, duke e vendosur atë në një pozicion të drejtpërdrejtë përfitimi financiar.

Konflikti i interesit thellohet edhe më tej në Këshillin Bashkiak Kamëz, ku rezulton se disa këshilltarë që votuan pro rritjes së çmimit kanë lidhje direkte me kompaninë përfituese, përfshirë edhe administratorin e saj zyrtar. Situata është rënduar edhe nga fakti se mbledhja e Këshillit Bashkiak, e cila fillimisht ishte publikuar në rrjetet sociale, u fshi më pas, duke shtuar dyshimet për mungesë transparence në procesin vendimmarrës.

Ndërkohë, qytetarët e Kamzës kanë reaguar me protesta dhe pakënaqësi, duke e cilësuar vendimin si një barrë të padrejtë ekonomike dhe duke kërkuar hetim institucional për një vendimmarrje që, sipas tyre, ka cenuar hapur interesin publik.

Video

Dokumentari “NAZA”, i cili trajton përdorimin e inteligjencës artificiale nga ushtria izraelite gjatë sulmeve në Gaza, u prit me 25 minuta duartrokitje në këmbë në Festivalin e Filmit në Venecia, më 10 shtator. Publiku brohoriti dhe valëviti flamuj palestinezë gjatë shfaqjes së filmit. I realizuar nga gazetarët izraelitë Yuval Abraham dhe Rachel Szor, dokumentari e merr titullin nga një term ushtarak izraelit që, sipas autorëve, lidhet me numrin e viktimave civile të parashikuara dhe të konsideruara të pranueshme përpara një sulmi. I xhiruar gjatë natës në tarracat e ndërtesave të Tel Avivit, filmi pretendon se zbulon sistemet teknologjike që qëndrojnë pas përzgjedhjes së objektivave palestineze në Gaza. Në të përfshihen intervista me oficerë të inteligjencës izraelite, të cilët tregojnë se si sistemet e asistuara nga inteligjenca artificiale përpunonin të dhëna të siguruara nga mijëra telefona celularë të hakuar për të identifikuar objektivat. “NAZA” është në garë për çmimin “Luani i Artë”, fituesi i të cilit pritet të shpallet më 12 shtator.

Vila e fshehur e Belinda Ballukut në Palasë/ SPAK: Arbër Abazi financoi punimet, bashkëjetuesja e tij i mbikëqyrte.

SPAK zbardh emailet për vilën e fshehur të Ballukut/ Punonjësit e Samir Manes ngritën alarmin: Pse prona e Igli Tares po i dorëzohej Lorela Reçit?

Ilir Beqaj shfaqet në GJKKO për herë të parë që prej zbutjes së masës së sigurisë.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme