Zbardhet dosja e plotë që hedh dritë mbi dinamikën e arratisjes së Altin Ndocit, krahut të armatosur të organizatës kriminale të drejtuar nga Franc dhe Hajdar Copja.
DOSJA E PLOTË
Nga hetimet paraprake ka rezultuar ndër të tjera se i paraburgosuri Altin Ndoci ka qenë i akomoduar në IEVP Durrës që prej datës 20 maj 2020 me masë sigurie “arrest me burg” nga Gjykata e Posaçme për akuzat e “vrasjes në rrethana të tjera cilësuese” kundër dy ose më shumë personave, “armëmbajtje pa leje”, “organizatë kriminale”, “kryerja e veprave penale nga organizata kriminale” dhe “grupi i strukturuar kriminal”.
Më datë 13 janar 2026, rreth orës 08:30, kryeinfermieri Aulon Çuku i ka kërkuar përgjegjëses së sektorit shëndetësor në IEVP Durrës, mjekes Irfete Sema, që të hartonte rekomandime për 4 të burgosur që sipas tij kishin shqetësime shëndetësore, me qëllim kryerjen e ekzaminimeve të specializuara në Spitalin Rajonal të Durrësit. Kjo shtetase nuk e ka vizituar shtetasin Altin Ndoci, por në lidhje me shqetësimet e tij shëndetësore është vënë në dijeni nga infermieri Aulon Çuku, i cili i ka bërë me dije se i burgosuri Altin Ndoci kishte shqetësime shëndetësore, që sipas tij kishte dhimbje veshkash dhe ishte planifikuar për vizitë me kirurgun.
I burgosuri Eduart Haxhia, që është pjesë e listës për të marrë vizitë mjekësore dhe është i sëmurë kronik, ishte planifikuar për vizitë me kardiologun, pasi kishte shqetësime të shpeshta, ndërsa i burgosuri Artur Hoxhosmani kishte dhimbje të mëdha dhëmbi të premten dhe ishte planifikuar edhe ai për mjekun, si dhe i burgosuri Gerald Kuqi për në Spitalin Rajonal të Durrësit.
Ajo ka plotësuar kërkesën për vizitë mjekësore me nr. ekstra prot., datë 13.01.2026, me të dhënat e të burgosurve dhe ia ka dhënë kryeinfermierit Aulon Çuku, ku i paraburgosuri Altin Ndoci është rekomanduar për konsultë me mjekun kirurg. Urdhri i është dërguar shefit të komanduar të policisë Desdemon Pazaj, por edhe para dorëzimit të urdhrit te shefi i policisë, kryeinfermieri Aulon Çuku ia ka dërguar drejtorit të IEVP Durrës, i cili e ka miratuar me urdhër nr. 142, datë 13 janar 2026, ku janë ngarkuar si grup shoqërimi punonjësit e policisë Desdemon Pazaj, Dorian Saraçi, Sali Ferrollari, Preng Marvataj dhe Fatjon Baçi, me shofer Idajet Calama.
Më pas nga Policia e Burgut është hartuar plani i masave nr. 142/1, duke caktuar si grup shoqërimi prej katër personash, të bëhet instruktazhi, evidentimi në libër, kontrolli i automjetit, rruga e lëvizjes, automjeti që do të lëvizë, si dhe duke përcaktuar bashkëveprimin me Komisariatin e Policisë Durrës, me telefon dhe radio.
Në dosje gjendet edhe lista e kontrollit të treguesve të riskut për arratisje të të dënuarve/paraburgosurve nr. ekstra prot., datë 11.12.2025, për të paraburgosurin Altin Ndoci, vlerësim ky me datë rishikimi 04.12.2025, ku në përfundim është vlerësuar me risk standard nga komisioni i vlerësimit në IEVP Durrës, Shefi i Policisë, Punonjësi Social, Juristi, Mjeku dhe Drejtori i IEVP, shtetasi Indrit Cerloj.
Në vijim, nga strukturat përkatëse të IEVP Durrës (shërbimi shëndetësor, Policia e Burgjeve, sektori social dhe ai ligjor) është planifikuar shoqërimi për vizitë mjekësore në Spitalin Rajonal Durrës, sipas itinerarit: IEVP Durrës – Spital Rajonal Durrës – kthim në IEVP, brenda së njëjtës ditë.
Kryeinfermieri Aulon Çuku ka komunikuar me Spitalin Rajonal për realizimin e vizitave ose konsultave. Për shoqërimin e të paraburgosurve Altin Ndoci dhe Gerald Kuqi, sipas urdhrit të shoqërimit, kanë qenë të planizuar për t’i shoqëruar për në Spitalin Rajonal Durrës punonjësit e policisë Desdemon Pazaj, i cili nuk ka qenë prezent gjatë shoqërimit, por është zëvendësuar nga punonjësi Aranit Çela, Dorian Saraçi, Sali Ferrollari, Preng Marvataj dhe Fatjon Baçi, si dhe shoferi Idajet Calama.
Lëvizja është kryer me furgonin autoambulancë të IEVP Durrës, model FIAT, me targa AB 141 OU, dhe fillimisht është transportuar i paraburgosuri Altin Ndoci për në ambientet e pavijonit të Infektivit në Spitalin e Durrësit.
Ky i paraburgosur ka shfaqur shqetësime dhe ka ankuar për dhimbje gjatë transportimit dhe, në momentin e mbërritjes në spital, pas daljes nga furgoni, atij i janë hequr prangat dhe është bërë shoqërimi i tij në këmbë për në dhomën e izolimit në katin e tretë, dhoma nr. 7 e Spitalit Rajonal, e cila është e përshtatur me zgarë hekuri për të burgosurit, nga punonjësit e policisë në grupin e sigurisë Dorian Saraçi, Sali Ferrollari dhe Fatjon Baçi.
Më pas Dorian Saraçi është larguar në drejtim të urgjencës tek grupi tjetër dhe ka vijuar me kthimin në IEVP, duke e lënë të paraburgosurin Altin Ndoci me punonjësit e policisë Sali Ferrollari dhe Fatjon Baçi.
Pasi i paraburgosuri është paraqitur në pavijonin infektiv për marrjen e trajtimit mjekësor, ku kryeinfermieri i IEVP-së Aulon Çuku ka komunikuar me doktorin dhe nga mjeku kardiolog në Spitalin Rajonal Durrës është rekomanduar mjekim dhe rikontroll pas 2 (dy) orësh. Gjatë kohës që ka qenë duke pritur për të marrë trajtim mjekësor, i paraburgosuri Altin Ndoci ka ankuar shpeshherë për dhimbje veshkash dhe u ka kërkuar punonjësve të policisë ta shoqëronin në tualet, ku ata e kanë shoqëruar rreth 4 herë.
Në një moment, sapo i kanë hapur zgarën e hekurt për të shkuar në tualet, i paraburgosuri Altin Ndoci e ka goditur me grusht në mes të kraharorit punonjësin e policisë Fatjon Baçi dhe ai ka rënë mbi kolegun e tij Sali Ferrollari dhe të dy janë rrëzuar përtokë. Më pas i paraburgosuri Altin Ndoci ka ikur me vrap nëpër korridor. Dy punonjësit e policisë janë ngritur dhe kanë filluar ta ndjekin, por në një moment Fatjon Baçi ka rrëshqitur nëpër shkallë dhe, pasi është ngritur përsëri, kanë vazhduar ndjekjen deri te dalja.
Sapo ka dalë te dera kryesore, Fatjon Baçi ka nxjerrë armën e shërbimit dhe ka qëlluar një herë në tokë për ta trembur të arratisurin dhe për ta bërë të dorëzohet, por ai ka vazhduar të largohej me vrap. Punonjësit e policisë kanë dalë deri te rruga kryesore dhe disa banorë aty përreth u kanë thënë se i arratisuri kishte ikur në drejtim të kodrës, me një makinë të zezë me targë AA 700 RS.
Më pas Fatjon Baçi ka tentuar të telefonojë 129, por nuk i janë përgjigjur, ndërsa Sali Ferrollari ka kontaktuar me Specialistin e Informacionit në IEVP Durrës, shtetasen Violeta Uka.
Nga hetimet paraprake rezulton se e gjithë procedura e përgatitjes së materialit nga infermieri Aulon Çuku dhe përgjegjësja e Sektorit Shëndetësor në IEVP Durrës, mjekja Ylfete Sema, për të hartuar rekomandimin për vizitë mjekësore në Spitalin Rajonal Durrës për të paraburgosurin Altin Ndoci, ka qenë në kundërshtim me kërkesat ligjore të Ligjit nr. 81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, si dhe të VKM nr. 209, datë 06.04.2022 “Për miratimin e Rregullores së Përgjithshme të Burgjeve”, si dhe akteve nënligjore, pasi kjo procedurë është kryer pa u bërë më parë vizita mjekësore e të paraburgosurit.
Po kështu, punonjësit e Policisë së Burgjeve: Komisar Desdemon Pazaj – Shef i Grupit të Sigurisë dhe Shoqërimeve dhe Shef i komanduar i Policisë së Burgjeve në IEVP Durrës; Komisar Violeta Uka – Specialiste Informacioni në IEVP Durrës; Kryeinspektor Dorian Saraçi – Përgjegjës i Grupit të Sigurisë dhe Shoqërimit në Policinë e Burgjeve, IEVP Durrës; Kryeinspektor Aranit Çela – Përgjegjës i Grupit të Sigurisë dhe Shoqërimit në Policinë e Burgjeve, IEVP Durrës; Inspektor Sali Ferrollari; Inspektor Fatjon Baçi; Inspektor Preng Marvataj – Punonjës të Policisë së Burgjeve, kanë vepruar në kundërshtim me Ligjin nr. 81/2020, VKM nr. 209, datë 06.04.2022, Ligjin nr. 80/2020 “Për Policinë e Burgjeve”, si dhe udhëzimin nr. 651, datë 21.01.2019 dhe udhëzimin nr. 1547 prot., datë 01.08.2025, për këtë shoqërim, duke e lënë të paraburgosurin të lëvizë pa pranga, duke lënë për shoqërim dhe mbikëqyrje më pak se tre punonjës policie, duke lejuar që i paraburgosuri të dalë nga kafazi pa pranga, etj.
Po kështu janë shkelur procedurat në lidhje me njoftimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe Komisariatit të Policisë Durrës për shoqërimin e të paraburgosurit Altin Ndoci në ambientet e Spitalit Rajonal Durrës.
Nga ana tjetër, ka dyshime se edhe drejtori i IEVP Durrës, shtetasi Indrit Cerloj, ka miratuar në kundërshtim me ligjin urdhrin nr. 142, datë 13.01.2026, për shoqërimin e të paraburgosurit Altin Ndoci në Spitalin Rajonal Durrës, në një kohë që nuk kishte verifikuar vizitën e mëparshme mjekësore të tij nga mjekja Ylfete Sema, si dhe më tej nuk ka kontrolluar dhe mbikëqyrur zbatimin e rregullave të shoqërimit nga Policia e Burgjeve për shoqërimin e të paraburgosurit në Spitalin Rajonal Durrës.






















