
Kanë dalë sërish para Gjykatës së Prishtinës, të akuzuarit në lidhje me rastin e vrasjes së Liridona Ademajt, ish – bashkëshorti i saj Naim Murseli, Kushtrim Kokalla dhe Granit Plava, që sipas Prokurorisë konsiderohet si dorasi.
Liridona Ademaj ishte vrarë më 29.11.2023, në ora 20:25, në rrugën “Dalip Alshiqi” në fshatin Bërnicë të Prishtinës. Sipas Prokurorisë dorasi ishte pajisur me armë dhe ishte inskenuar një grabitje.
Seanca gjyqësore ka filluar para pak minutash. Gjykimi për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt do të vazhdojë sot, më 22.09.2025, me dëgjimin e ekspertit të psikiatrisë, Shpend Haxhibeqiri.
Shpend Haxhibeqiri është eksperti i cili e ka bërë ekzaminimin psikiatrik për të akuzuarin Naim Murseli. Eksperti po përballet me pyetjet e prokurores Javorka Perlinçeviq.
“Te Naimi nuk është ekzaminuar asnje çrregullim mental apo sëmundje mentale të përkoheshme apo përhershme, mund të na sqaroni çka do thotë kjo?” – e pyeti prokurorja Javorka Perlinçeviq.
Kurse eksperti Haxhibeqiri tha se tek i akuzuarit Murseli nuk është shfaq ndonjë element çrregullimi.
Këtu jemi referuar se çrregullimi afatgjatë prej fëmijërisë e deri tani nuk është shfaq asnjë element i ndonjë çrregullimi, shqetësimi, edhe nuk është ofruar bazë shkresave lëndës ndonjë dokument i cili do të vërtetojë këtë problem, nga ana e fushës së shëndetit mendor. Edhe afat shkurtër është pjesa që ka të bëjë prej momentit të arrestimit e deri të momenti i ekzaminimit” – tha eksperti Haxhibeqiri.
Natyrisht ekzaminimi psikitatrik nuk kryhet vetëm me shkresat e lëndës, por me bashkëbisedim, përcjellje, vrojtim të sjelljeve të të folurit, të shprehurit edhe të gjitha këto mirren për bazë me rastin e përpilimit të ekspertizës. Ne në pikën 3 rreshtin e fundit e kemi shpjeguar se kjo është edhe bazuar në sjelljen e tij edhe dinamikën para gjatë edhe pas veprës për të cilën nga ana e prokurorisë akuzohet.” – tha eksperti.
Prokuroja Javorka Perlinçeviq pati pyetjen e radhës.
“Në pikën 4 e keni cekë se i njëjti është përgjegjës edhe i llogaritshën. Gjatë procedurës eksepritzës, gjegjësisht bisedës me të akuzuarin Naim Murseli, a keni biseduar me të për veprën penale të cilën akuzohet edhe me atë rast nëse po, amund të na sqaroni se si është sjellur?” – tha ajo.
Eksperti tregoi se çka i kishte thënë Murseli.
“Në pikën 4 bazuar në ekzaminimin psikiatrik, analizën e shkresave të lëndës ,deklaratave të dhëna në polici, dhe përshkrimit të dinamikës të rastit në faqe 6 të raportit duke qenë se Z.Murseli ka qenë i detajuar në çdo pikë, sekuencë, e ka shpjeguar me pika shumë të qarta gjithë procesin edhe natyrisht që kohë pas kohë gjatë ekzaminimit të kësaj pike edhe aspektin figurative është çu ta demonstrojë (ka dalë prej kerri) se cilat veprime edhe çka ka ndërmarrë” – tha eksperti Haxhibeqiri.
Eksperti tha se gjatë bisedës qëndrimi i tij ka qenë koherent gjendjes, situatës në të cilën ndodhej.
Gjendja koherente do të thotë marrja për bazë e të gjitha çështjeve” – tha eksperti.
“Z.Murseli ka qëndruar pa ndonjë problem apo vështriësi gjatë ekzaminimit psikiatrik edhe pse në momente për arsye të përshkrimit të ngjarjes për të kuptuar ne situatën në të cilën ka ndodh rasti ka pas ndëprepreje edhe ka pas ndonjë shqetësim, por jo i formës që do të pengonte në punën tonë apo vlerësimin tonë” -tha tutje eksperti.
Naim Murseli pati pyetje për eksprtin. I njëjti e pyeti se a thotë raporti që ai e ka vrarë gruan e tij.
“Në asnjë moment në asnjë rresht ekspertizës tonë nuk është deklaruar kjo që e ceku z.Murseli” – tha eksperti.
Gjatë bisedave tona me juve me dy ekspertët e tjerë, a kom pranu ndonjëherë fajësinë për veprën të cilën akuzohem që e kam bërë apo e kom mohu versionin tim.” – pyeti i akuzuari, Naim Murseli.
“Gjatë vlerësimit tonë ne nuk kemi parashtu pyetje apo shtytje që i njëjti e ka kryer veprën apo jo pasi që nuk është detyrë e jona por është detyrë e Prokurorisë që ta zbulojë, por është e vërtetë që i njëjti ka mohuar gjatë deklarimit se ky e ka bërë veprën apo planifikimin” – tha eksperti psikiatrik.
Trupi gjykues nuk kishte ndonjë pyetje për ekspertin. Më pas Haxhibeqiri e përfundoi dëshminë e tij në gjykatore.
Trupi gjykues, më 04.06.2025, në rastin e vrasjes së Liridona Ademajt kishte aprovuar propozimin e avokatit të të akuzuarit Naim Murselit që atij t’i bëhet ekzaminim mjekësor psikiatrik në Institutin e Psikiatrisë Forenzike.
Shqyrtimi fillestar për këtë çështje penale është mbajtur më 31.01.2025, në Gjykatën e Prishtinës. Më 31.01.2025, Naim Murseli nuk e kishte pranuar fajësinë lidhur me akuzën për vrasjen e Liridona Ademajt. Kurse, Kushtrim Kokalla nuk kishte pranuar të deklarohet pa u këshilluar me avokatin e tij, Ndrecë Dodajn. Granit Plava, i cili sipas Prokurorisë konsiderohet që është personi i cili ka shtënë me armë për ta vrarë Ademajn, kishte deklaruar se dëshiron të mbrohet në heshtje.
I akuzuar në këtë rast është edhe Tom Dodaj i cili akuzohet se shiti armën me të cilën u krye vrasja e Liridona Ademajt.
Ky i fundit në Shqyrtim fillestar, më 31.01.2025, kishte pranuar fajësinë për veprën penale që i vihet në barrë nga Prokuroria.Dodaj nga Gjykata e Prishtinës për këtë vepër penale është dënuar me 5 vjet “dënim me burgim” dhe me 5,000 euro “dënim me gjobë”.
Trupi Gjykues në këtë çështje penale, i përbërë nga Fatime Dermaku (Kryetare e Trupit Gjykues), Gent Beka dhe Alban Ajvazi (anëtarë).
Granit Plava i cili sipas prokurorisë konsiderohet që është personi që ka shtënë me armë për ta vrarë Ademajn, ka deklaruar se dëshiron të mbrohet në heshtje.
Naim Murseli, Granit Plava, Kushtrim Kokalla, janë katër persona, të cilët tashmë po akuzohen nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, nën dyshimin për organizimin dhe vrasjen e Liridona Ademajt – ngjarje që u regjistrua më 29.11.2023, në fshatin Bërnicë të Prishtinës.
KALLXO.com ka arritur që të sigurojë Aktakuzën e plotë të ngritur nga prokurorja, Javorka Prlinçeviq. Kjo e fundit madje në një Konferencë që u thirr nga kryeprokurori Zejnullah Gashi tha se vonesa e Aktakuzës është si shkak i disa dokumenteve dhe kërkesave që ka kërkuar nga Suedia, për të zbardhur motivin që qëndroi mbrapa vrasjes.
Prokurorja e rastit ka përshkruar se Naim Murseli planifikoi vrasjen e bashkëshortes së tij për shkak të raporteve të çrregulluara familjare dhe martesore. Prej këtyre problemeve – siç përshkruhet edhe në Aktakuzë – kishte lindur edhe dëshira për hakmarrje nga ana e Naim Murselit ndaj bashkëshortes së tij.
Gjithmonë sipas Aktakuzës, pas datës 25.06.2022, kur ishte paguar një polisë e sigurimit jetësor në emër të Liridona Ademajt në vlerë prej 3 milionë kruna suedeze, me qëllim që pas vrasjes Murseli të përfitojë dobi financiare.
Këtë plan Dosja e përshkruan se Naim Murseli e ndau me djalin e tezës së tij Kushtrim Kokallën dhe se ky i fundit kishte refuzuar që të kryejë vrasjen, por tutje ka gjetur personin e tretë, Granit Plavën me të cilin e ka njoftuar Naim Murselin.
Gjithmonë sipas Dosjes, më 29.11.2023, në orët e mesditës, Naim Murseli bashkë me Granit Plavën blejnë një armë të tipit ‘Zastava” me ngjyrë të zezë, nga Tom Dodaj, në vlerë 280 euro.
E në të njëjtën ditë, Dosja shpjegon se në intervalin kohor: 20:11-20:18 minuta, në vendin me të cilin paraprakisht ishte dakorduar Naim Murseli me Granit Plavën – plan të dakorduar të cilin e kanë inskenuar që të duket si grabitje e armatosur – është kryer edhe vrasja.
Në Dosje shkruhet se Naim Murseli e kishte lajmëruar fillimisht Granit Plavën me drita të veturës, më pas e kishte kapur për dore Liridona Ademajn, që të mos i shpëtojë plumbit, pasi u shkrep nga Plava. E, që tutje Naimi ka dalë nga vetura me fëmijët dhe është larguar nga vendi i ngjarjes. Me të gjitha këto veprime që ka kryer Naim Murseli, Prokuroria e ka ngarkuar atë me veprën penale të “vrasjes së rëndë”.
I pandehuri i dytë është Granit Plava, i cili sipas Prokurorisë në ditën kritike në intervalin kohor: 20:11-20:18 minuta, në fshatin Bërnicë, pas marrëveshjes paraprake që kishte bërë me Naim Muselin, Dosja përshkruan se kreu vrasjen në formë të maskuar, kishte shtënë në drejtim të viktimës, e cila për pasojë edhe ka vdekur. E për të gjithë këtë rast, Plava do të kompensohej me një shumë prej 30 mijë eurosh.
Sipas Dosjes së Prokurorisë, Plava ishte afruar drejtpërdrejt me viktimën dhe të njëjtën e ka qëlluar me armë, derisa krahun viktimës po ia mbante ish-bashkëshorti i saj, që të mos i shmangej plumbit.
Arma që ishte përdorur në rast ishte gjetur në shtëpinë e të akuzuarit tashmë Granit Plava, në fshatin Cermjan në Gjakovë. Sekuestrimi i armës u bë pas bastisjes, që u krye në shtëpinë e të dyshuarit./Kallxo.com