Kronika 30 March 2026, 17:27 Nga VNA

Vdekja e të paraburgosurit, KShH ngre alarmin për mungesën e kujdesit shëndetësor në qeli

Ndaje në Whatsapp

Vdekja e të paraburgosurit, KShH ngre alarmin për mungesën e

Një monitorim i Komitetit Shqiptar të Helsinkit pas vdekjes në qeli e të paraburgosurit Bledi Panajoti ka nxjerrë në pah mungesën e kujdesit mjekësor për personat e ndaluar. KShH thekson se ky është një dështim i përsëritur i sistemit të paraburgimit që cenon të drejtën për jetën, ndaj kërkon një hetim të plotë e transparent.

Vdekja në qelitë e paraburgimit e Bledi Panajotit, i arrestuar nga Komisariati Nr. 3 pas denoncimit të një gruaje për tentativë vjedhjeje të çantës, ka nxjerrë në pah mungesën e kujdesit shëndetësor dhe mungesën e masave për garantimin e jetës së të paraburgosurve.

Një mision monitorimi i Komitetit Shqiptar të Helsinkit (KShH), i realizuar më 25 mars, ka zbardhur një zinxhir fatal neglizhence mjekësore dhe institucionale. Sipas KShH, i ndaluari nuk ishte thjesht një person nën hetim, por një pacient me nevoja urgjente që nuk mori kujdes.

Monitorimi gjeti se që në momentet e para të hyrjes në dhomat e sigurisë, Panajoti njoftoi situatën e tij shëndetësore. Sipas gjetjeve të KShH-së, në proces-verbalin e datës 19 mars, ora 00:55, i ndaluari ka deklaruar: “Nuk kam probleme me policinë. Kam probleme shëndetësore. Jam me diabet, ku përdor insulinë. Jam me Hepatit tip C. Jam përdorues i lëndëve narkotike dhe tuberkuloz.”

Vetëm një orë më pas, gjendja e tij u rëndua duke e detyruar policinë ta dërgonte në QSUT. Mjekët e spitalit, sipas dokumentacionit të cituar nga KShH, rekomanduan specifikisht: “Rekomandohet të ndiqet nga toksikologu, endokrinologu dhe psikiatri,” si dhe rishikimin e skemës së mjekimit të diabetit.

Megjithatë, Komiteti Shqiptar i Helsinkit gjeti pas monitorimit se rekomandimet nuk u morën parasysh dhe masa e vetme qe vendosja e një polici pranë të paraburgosurit për të monitoruar situatën nga jashtë. “KShH vëren se pavarësisht rekomandimeve të dhëna nga mjekët e shërbimit të urgjencës për ndjekje nga specialistët (toksikolog, endokrinolog dhe psikiatër), këto rekomandime nuk rezultojnë të jenë zbatuar, pas rikthimit të tij në ambientet e dhomave të sigurisë”, thuhet në raportin e bërë publik.

Në vend të kësaj, mjeku i bllokut siç gjeti monitorimi konstatoi thjesht se pacienti ishte “i axhituar”. Në orën 05:48 të datës 20 mars, Bledi Panajoti u gjet i pajetë, pa puls dhe pa frymëmarrje. Punonjësi i policisë që e ruante nuk kuptoi asgjë. Më herët ai kishte mbajtur shënim se i paraburgosuri po flinte dhe po gërhiste.

Duke analizuar ngjarjen, KShH vë në dukje dështimet e sistemit të paraburgimit në Tiranë. Në deklaratën e saj, organizata thotë se “konstaton me shqetësim se shërbimi shëndetësor në këtë strukturë nuk është i garantuar në mënyrë të pandërprerë 24 orë, ndërkohë që mungesa e burimeve njerëzore cenon drejtpërdrejt sigurinë dhe jetën e personave të privuar nga liria.”

Për më tepër, KShH denoncon faktin se problematikat e personave me varësi mbeten të pazgjidhura. “Gjithashtu, rezulton se problematika të lidhura me trajtimin e personave me varësi nga substancat narkotike, përfshirë mungesën e metadonit dhe mosfunksionimin e mekanizmave të bashkëpunimit institucional për sigurimin e tij, vijojnë të mbeten të pazgjidhura për shtetasit e akomoduar në këto dhoma sigurie”, thuhet në deklaratë. Kjo situatë sipas KShH, është e përsëritur, duke kujtuar humbjet e jetëve të shtetasve D.G. një vit më parë dhe J.R., të cilët kishin profile të ngjashme shëndetësore.

Në deklaratë pas monitorimit KShH i kujton Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe Ministrisë së Shëndetësisë se, bazuar në Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, “shteti ka detyrime pozitive për të garantuar jetën e personave që mbahen në kushtet e kufizimit të lirisë, duke përfshirë detyrimin për të siguruar kujdes shëndetësor adekuat.”

KShH ka kërkuar një hetim të plotë e transparent për ngjarjen dhe sigurimin e mjekëve 24 orë në dhomat e sigurisë./BIRN./

Video

Pas përfundimit të protestës para Kryeministrisë, qytetarët kanë nisur marshimin në rrugët kryesore të Tiranës.

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky zhvilloi takimin e tij të parë me kryeministrin e ri të Britanisë së Madhe në bordin e aeroplanmbajtëses HMS Queen Elizabeth, në bazën detare të Portsmouthit. Gjatë bisedës, kryeministri britanik rikonfirmoi mbështetjen për Ukrainën, ndërsa Zelensky ftoi kryeministrin të vizitojë vendin e tij.

Të paktën dy persona humbën jetën pasi një automjet u godit nga një sulm ajror në Deir al-Balah, në qendër të Rripit të Gazës. Sipas raportimeve, sulmi u krye nga forcat izraelite, ndërsa viktimat ishin dy zyrtarë të sigurisë së Hamasit. Ushtria izraelite konfirmoi se kishte në shënjestër një militant të Hamasit.

Një vizitor i pazakontë shkaktoi panik dhe habi në një aeroport të Nju Jorkut, pasi një rakun ra papritur nga tavani i terminalit mbi udhëtarët. Ende mbetet mister se si kafsha përfundoi mbi tavan dhe çfarë po bënte aty. Pas “uljes së detyruar”, rakuni u largua me shpejtësi, duke lënë pas pasagjerë të trembur dhe një episod sa të pazakontë, aq edhe komik. Pamjet janë regjistruar në nëntor 2024, por së fundmi janë bërë virale në rrjetet sociale.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme