Kronika 19 August 2025, 14:02 Nga VNA

U godit me elektroshok/ Elton Bani, muratori 41-vjeçar shqiptar vdes në duart e karabinierëve

Ndaje në Whatsapp
U godit me elektroshok/ Elton Bani, muratori 41-vjeçar shqiptar vdes

Elton Bani, 41 vjeç, me origjinë shqiptare dhe me profesion murator, humbi jetën në zonën kodrinore të Genovas, në Itali, pasi u godit tri herë me elektroshok nga karabinierët që ndërhynë për ta ndaluar, pas një gjendjeje të rënduar nervore që ai shfaqi në oborrin e banesës së tij. Prokuroria e Genovas ka hapur një hetim për vrasje nga pakujdesia ndaj efektivëve të përfshirë.

Ngjarja ndodhi të dielën pasdite, më 17 gusht, në Sant’Olcese. Dita nisi me një krizë të fortë nervore të Bani-t, që çoi fqinjët të kërkonin ndihmë. Me origjinë nga Shqipëria, ai jetonte prej kohësh në Liguria dhe punonte si murator me vëllain. Njihej si një njeri i heshtur, ndonjëherë i mbyllur në vetvete, me shpërthime nervore, por i lidhur fort me familjen dhe komunitetin lokal.

Ai kishte pasur një episod të kaluar me drejtësinë, një dënim njëmujor për falsifikim, por që nuk ndikoi në jetën e tij të përditshme si punëtor ndërtimi.

Pasditen e së dielës, Bani nisi të shfaqte sjellje agresive: hidhte karrige dhe sende të tjera në oborr, pastaj hipi në makinë dhe lëvizte në mënyrë të çrregullt para pallatit. Vullnetarët e Kryqit të Artë mbërritën të parët, por nuk mundën ta qetësonin. Më pas mbërritën karabinierët, të cilët u përpoqën ta bindnin të kthehej në banesë për të marrë dokumentet. Por, gjatë këtij momenti, ai reagoi me goditje me grushte dhe shkelma. Edhe pasi u prangos, vazhdoi të rezistonte.

Në atë moment, një nga karabinierët përdori elektroshokun. Shkarkimi i parë e preku vetëm pjesërisht, i dyti nuk e ndali, ndërsa i treti e rrëzoi në tokë. Ai ra në konvulsione dhe humbi ndjenjat. Pavarësisht përpjekjeve për ta reanimuar, Elton Bani ndërroi jetë pak më vonë.

Mjekja ligjore Isabella Caristo konstatoi shenja të shkarkimeve të shumta elektrike në trupin e viktimës, por shkaku i saktë i vdekjes do të përcaktohet nga autopsia.

Prokuroria ka nisur një hetim për vrasje nga pakujdesia, dhe dy karabinierët janë përfshirë në regjistrin e të dyshuarve – një procedurë e zakonshme për t’u dhënë mundësi të marrin pjesë në hetime. Familjarët e Bani-t, të përfaqësuar nga avokati Cristiano Mancuso, kërkojnë drejtësi dhe shprehen të shqetësuar për përdorimin e një arme elektrike në prani të katër efektivëve kundër një personi të vetëm, edhe pse në gjendje të rënduar psikologjike.

Emri i Elton Bani-t po lidhet tashmë me një rast që pritet të ndikojë ndjeshëm në debatin publik mbi përdorimin e taserit në Itali. Vdekja e tij, ndodhur vetëm pak orë pas një rasti të ngjashëm në Olbia, ka rikthyer përplasjet politike dhe ka hapur sërish pyetje mbi sigurinë, trajnimin dhe përgjegjësitë në përdorimin e kësaj arme.

 

 

Video

Pas përfundimit të protestës para Kryeministrisë, qytetarët kanë nisur marshimin në rrugët kryesore të Tiranës.

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky zhvilloi takimin e tij të parë me kryeministrin e ri të Britanisë së Madhe në bordin e aeroplanmbajtëses HMS Queen Elizabeth, në bazën detare të Portsmouthit. Gjatë bisedës, kryeministri britanik rikonfirmoi mbështetjen për Ukrainën, ndërsa Zelensky ftoi kryeministrin të vizitojë vendin e tij.

Të paktën dy persona humbën jetën pasi një automjet u godit nga një sulm ajror në Deir al-Balah, në qendër të Rripit të Gazës. Sipas raportimeve, sulmi u krye nga forcat izraelite, ndërsa viktimat ishin dy zyrtarë të sigurisë së Hamasit. Ushtria izraelite konfirmoi se kishte në shënjestër një militant të Hamasit.

Një vizitor i pazakontë shkaktoi panik dhe habi në një aeroport të Nju Jorkut, pasi një rakun ra papritur nga tavani i terminalit mbi udhëtarët. Ende mbetet mister se si kafsha përfundoi mbi tavan dhe çfarë po bënte aty. Pas “uljes së detyruar”, rakuni u largua me shpejtësi, duke lënë pas pasagjerë të trembur dhe një episod sa të pazakontë, aq edhe komik. Pamjet janë regjistruar në nëntor 2024, por së fundmi janë bërë virale në rrjetet sociale.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme