
Zbardhen bisedat në Sky ECC mes oficerit të Antiterrorit në Policinë e Shtetit, Igli Haxhiaj dhe Dario alias Denis Myftiu. Haxhiaj, i cili në kohën që dyshohet se ka kryer veprën ishte oficer i forcës së Posaçme Operacionale, akuzohet nga SPAK se kundrejt rryshfetit i shiste Myftyt sekrete të hetimit. Sipas SPAK, i kërkoi Myftiut nga 5 mijë euro, për veten dhe dy oficerë të tjerë, ndërsa e informonte për hetimet.
“Po vazhdove me idenë që është gjobë po të them prapë që më fal mua, jo jo nuk është gjobë, o vlla miq jemi me të gjithë, kur mendon gjobën je gabim se gjoba nuk vihet mes shokësh. Po varjanse fjalët e shumta fukarallik, ma boj hallall mua që të bezdisa. Me po na thua për miq dhe burrnia ime është kjo, Ti, Nusja, Nona jote, Asti, i keni telefonat në përgjim dhe bëj kujdes kur flet. Nëse do info të tjera bojnë lek, kalofsh sa më mirë vlla, të rujt Zoti, kjo është vetëm për shokët, dhuratë, notën, nuk është gjobë, e ke gabim. Një informacion kundrejt një pagese, po varja, kaq sa të thashë e ke dhuratë nga shokët, kalofsh mirë vlla”, i shkruan Haxhaj, trafikantit Myftiu.
Më poshtë disa nga bisedat e 5 dhjetorit 2020 mes Dario Myftiut dhe oficerit të Antiterrorit, i cili në atë kohë ishte oficer i Operacionales:
I. Haxhiaj: Ça bone?
D. Myftiu: Ça bone ti, mirë kalojmë. Ça bëre ti?
I. Haxhiaj: Fola pak me ata shokët… më thanë që kishe merak për gjoba e gjëra. S’ka gjë të tillë. Unë prandaj erdha me ata, që mos të ketë keqkuptime. Po më sigurove që s’më nxjerr nëpër biseda, takohemi. Kam ardhur se të njofin çunat. Janë garanci që s’jam kot tek ty.
D. Myftiu: Asnjë merak s’kam, po bënim muhabet. Takohemi nga e hëna se nesër jam me kalamajt, pimë ndonjë kafe e diskutojmë.
I. Haxhiaj: Po deshe të diskutojmë, hajde me mendje të qartë që po të ndihmoj, jo që po ta fus. Mos na njofshin të tjerët. Kam hall të mos flasësh për mua e të merret vesh.
D. Myftiu: Ça kam me fol s’po të kuptoj. Ec, vlla, takohemi e flasim.
I. Haxhiaj: Ajo që të thashë për Branilin, s’ta thashë kot… Kjo punë ka një kosto, se s’jam vetëm unë në mes.
D. Myftiu: Jo, di tamam se s’është që rri me mua.
I. Haxhiaj: Po, ok vlla, më fal nëse të bezdisa. Që s’të takoj është vetëm se s’dua të digjem. Kam frikë se ti alarmohesh e gabon.
D. Myftiu: S’ka lidhje kjo, pse do digjesh?
I. Haxhiaj: Po ka lidhje… Unë po vij për arsye të qarta, jo kot. Nëse flas, ngelem borxh te të tjerët se i dola për zot kësaj pune.
D. Myftiu: Po të them, po deshe takohemi.
I. Haxhiaj: Vlla, kjo punë ka një kosto dhe po deshe ok, po s’deshe, ti e di. Jemi 3 veta nga 5 mijë. Do të tregoj çdo gjë, por duhet të bashkëpunosh dhe mos ler të dyshojnë nga e more vesh.
I. Haxhiaj: Po vazhdove me idenë që është gjobë, më fal. S’është gjobë. Ti, nusja, nona jote, Asti, i keni telefonat në përgjim. Nëse do info të tjera, bëjnë lek. Dhuratë, notën, kjo që të thashë. Informacioni ka një pagesë, por këtë e ke dhuratë nga shokët.
Sipas SPAK, më 05.12.2020, rreth dy orë pasi kishte komunikuar me kodin pin 8AIVIH, Igli Haxhiaj ka komunikuar direkt me Dario Myftiun. Në këtë komunikim, Haxhiaj i bën të qartë se disponon informacione për të dhe kërkon përfitime të parregullta në këmbim të tyre.
Nga bisedat rezulton se:
Informacioni që Haxhiaj ofron lidhet me veprime hetimore që po kryheshin ndaj Myftiut.
Ai e kërkon pagesën prej 5 mijë eurosh për secilin prej tre personave, shumë që llogaritet rreth 15,000 euro.
Gjithashtu, Haxhiaj e paralajmëron Myftiun se:
“Ti, nusja, nona jote, Asti, i keni telefonat në përgjim… Nëse do info të tjera, bëjnë lek… Një informacion kundrejt një pagese.”






















