Kronika 1 February 2026, 17:15 Nga VNA

Thellohet skandali i KURUM, rezultatet e analizave i kanë nxjerrë mbetjet “potencialisht kancerogjene”

Ndaje në Whatsapp

Thellohet skandali i KURUM, rezultatet e analizave i kanë nxjerrë

Skandali i mbetjeve industriale të KURUM po hyn në një fazë edhe më të rëndë, teksa burime për Ekofin pranë hetimeve bëjnë me dije se rezultatet e analizave laboratorike për mostrat e sekuestruara nuk i klasifikojnë ato thjesht si toksike, por si të dëmshme dhe potencialisht kancerogjene për shëndetin e njeriut. Sipas këtyre burimeve, përqendrimet e substancave të rrezikshme kanë rezultuar ndjeshëm mbi normat e lejuara, duke e zhvendosur çështjen nga një problem administrativ mjedisor në një rrezik real për shëndetin publik dhe sigurinë mjedisore.

Mostrat, të cilat janë analizuar në një laborator jashtë vendit, kanë ngritur alarmin se mbetjet përmbajnë elementë që lidhen drejtpërdrejt me rreziqe serioze shëndetësore, përfshirë ekspozimin afatgjatë ndaj substancave kancerogjene. Pikërisht këto rezultate, sipas burimeve, kanë shkaktuar tensione të forta institucionale dhe përpjekje për të shmangur përgjegjësinë, duke e kthyer dosjen në një “çështje të nxehtë” që askush nuk dëshironte ta mbante.

Në këto kushte, pritet që hetimet penale të mos fokusohen vetëm te aktiviteti i kompanisë, por edhe te roli i institucioneve shtetërore që kishin për detyrë monitorimin dhe kontrollin e mbetjeve të rrezikshme. Burime për Ekofin bëjnë me dije se në sitën e prokurorisë pritet të përfshihen punonjës dhe zyrtarë të KURUM, por edhe zyrtarë të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, të cilët dyshohet se kanë bashkëpunuar me kompaninë për të fshehur për muaj me radhë skandalin e mbetjeve dhe për të tjetërsuar dokumentacionin zyrtar, në këmbim të përfitimeve të paligjshme.

Dyshimet lidhen me mënyrën se si mbetjet janë klasifikuar, me lejet e transportit dhe trajtimit, si dhe me dokumentet shoqëruese që kanë mundësuar lëvizjen e tyre jashtë territorit shqiptar. Sipas burimeve, ekzistojnë indicie se një pjesë e dokumentacionit është ndryshuar ose përshtatur për të shmangur etiketimin e mbetjeve si të rrezikshme, duke i hapur rrugë eksportit të tyre.

Skandali mori përmasa publike pas ndalimit të dy anijeve të nisura nga porti i Durrësit drejt Tajlandës, të cilat u kthyen pas nga autoritetet e huaja pas dyshimeve se në bord ndodheshin mbetje të rrezikshme. Ky episod nxori në pah jo vetëm mungesën e kontrollit efektiv, por edhe një zinxhir të tërë përgjegjësish të paqarta mes kompanive private dhe institucioneve shtetërore.

Gjatë javës së ardhshme, sipas burimeve, pritet zhvillime të forta në lidhje me dosjen hetimore të Kurum dhe për rolin e kompanisë private në skandalin e mbetjeve, si edhe implikimin e zyrtarëve të lartë të AKM në këtë aferë. /ekofin.al/

Video

Pas përfundimit të protestës para Kryeministrisë, qytetarët kanë nisur marshimin në rrugët kryesore të Tiranës.

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky zhvilloi takimin e tij të parë me kryeministrin e ri të Britanisë së Madhe në bordin e aeroplanmbajtëses HMS Queen Elizabeth, në bazën detare të Portsmouthit. Gjatë bisedës, kryeministri britanik rikonfirmoi mbështetjen për Ukrainën, ndërsa Zelensky ftoi kryeministrin të vizitojë vendin e tij.

Të paktën dy persona humbën jetën pasi një automjet u godit nga një sulm ajror në Deir al-Balah, në qendër të Rripit të Gazës. Sipas raportimeve, sulmi u krye nga forcat izraelite, ndërsa viktimat ishin dy zyrtarë të sigurisë së Hamasit. Ushtria izraelite konfirmoi se kishte në shënjestër një militant të Hamasit.

Një vizitor i pazakontë shkaktoi panik dhe habi në një aeroport të Nju Jorkut, pasi një rakun ra papritur nga tavani i terminalit mbi udhëtarët. Ende mbetet mister se si kafsha përfundoi mbi tavan dhe çfarë po bënte aty. Pas “uljes së detyruar”, rakuni u largua me shpejtësi, duke lënë pas pasagjerë të trembur dhe një episod sa të pazakontë, aq edhe komik. Pamjet janë regjistruar në nëntor 2024, por së fundmi janë bërë virale në rrjetet sociale.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme