Emisioni “Në shënjestër” ka zbardhur detaje të tjera mbi atentatin e ndodhur pak ditë më parë në Rinas, ku humbën jetën Gilmando Dani, krahu i djathtë i Emiljano Shullazit, dhe shoqëruesi i tij, Muçi Shaljani.
Në investigimin e emisionit, janë bërë të qarta lidhjet mes grupeve rivale të botës së krimit, ndërsa zbulohen se pistat kryesore në lidhje me masakrën janë hakmarrje nga Troplinët e Durrësit mbi faktin që Dani mund t’u ketë vendosur gjobë, ose një hakmarrje nga Durim Bami për ngjarje të së shkuarës.
Pjesë nga dokumentari:
Por cilat janë pistat ku grupi hetues është ndalur në hetimin e vrasjes së Gilmando Danit dhe mikut të tij, të ndjerë, Muçi Shaljani?
Cilat ishin përplasjet e Gilmando Danit me grupet e tjera rivale?
Dhe a u mor miratimi nga Nikla për ekzekutimin e tij? A është baza e arsenalit të armëve të gjetura në banesën e shtetasit Ylli Zalla, në fshatin Zall në Fushë-Krujë, baza nga ku u furnizuan dhe dolën për qitje trupa e pushkatarëve që eliminuan Gilmando Danin?
Ylli Zalla, që kishte vuajtur më herët një dënim të ngjashëm për armëmbajtje pa leje pasi në banesën e tij iu gjetën armë të shumta zjarri, nuk u gjet aty pas kontrollit të fundit në banesë.
“Në kuadër të operacionit ‘Tracking’, Policia e Tiranës ka gjetur në banesën e shtetasit Ylli Zalla, një personazh problematik me të shkuar kriminale, një arsenal të tërë armësh. 48-vjeçari dyshohet se në atentatin e ndodhur në Rinas, ku humbën jetën Gilmando Dani dhe Muçi Shaljani, ka pasur rol ndihmës për sigurimin e armëve që u përdorën në krimin e rëndë. Gjatë kontrollit u gjetën mina me celularë, armë, tritol, armë automatike dhe pushkë”, deklaron Policia e Tiranës.
Por cilat ishin banesat e para që u kontrolluan nga policia dhe përse grupi hetues u përqendrua te “të fortët” e Niklës dhe të Vlorës, konkretisht vëllezërit Valter dhe Durim Bami?
Gilmando Dani, i cili, siç thamë, kishte shumë hesape të hapura, ishte dënuar nga drejtësia shqiptare me 12 vite burgim për akuzën e gjobëvënies ndaj biznesmenit të kompanisë “Ylvi Beqja” në Tiranë si pjesë e bandës së Emiljano Shullazit. Ai ishte shoqëruar për ngjarje të tjera të rënda penale, teksa u mbijetoi dy atentateve mafioze në vitet 2011 dhe 2015. Dani ishte liruar nga burgu vetëm një vit më parë, në tetor 2024.
Ndërkohë, kreu i grupit të tij kriminal, Emiljano Shullazi, ndodhet në burg. Krahas dënimit me 14 vite burgim për gjobëvënie, ai po gjykohet edhe për vrasjen e shtetasve Vajdin Lamaj dhe Artan Arsi në shkurt të vitit 2005.
Teksa ndaj tij ka një masë sigurie për akuzën e sigurimit të kushteve për të vrarë Marklen Hakën.
Grupi i Emiljano Shullazit ka disa konflikte të hapura me grupin e Marklen Hakës dhe Durim Bamit, të njohur si “të fortët” e Niklës, si dhe me klanin Troplini në Durrës.
"Lidhur me ngjarjen ku humbën jetën Gilmando Dani dhe shtetasi Muçi Shaljani, janë ushtruar kontrolle në banesat e vëllezërve Xhuljan dhe Lefter Kullaj, Ervin Kodra, Valter Bami, Gentian Koçi, vëllezërve Edison dhe Fatmir Bami, si dhe Zyber Bami. Në kontrollet e kryera në banesat e këtyre shtetasve nuk janë gjetur sende të kundërligjshme.
Ndërkohë, shtetasit Valter Bami, Gentian Koçi dhe Zyber Bami nuk janë gjetur në banesë, ndërsa shtetasit Xhuljan dhe Lefter Kullaj, Ervin Kodra, Edison dhe Fatmir Bami janë shoqëruar në ambientet e Drejtorisë Vendore Tiranë. U janë marrë faktorët plotësues të qitjes dhe janë përpiluar vendimet përkatëse për kryerjen e ekspertimit kimik,” thuhet në dosjen hetimore. Por përse grupi hetues dyshon se pas atentatit në Rinas, ku objektivi ishte Gilmando Dani, qëndron Durim Bami? Dhe a ka lidhje kjo me atentatin e dështuar të ndodhur në janar të vitit 2015 në Qafën e Kasharit, ku Emiljano Shullazi dhe Gilmando Dani u qëlluan në një pritë të organizuar, ndërsa po ktheheshin nga Fushë-Kruja në drejtim të Tiranës, pas njoftimit se në rrugën e Kavajës ishte qëlluar miku i tyre Pajtim Serjani?
Atentat që pesë vite më pas u pasua me atë ndaj Durim Bamit në Tapizë të Fushë-Krujës, ku mbeti i plagosur kushëriri i tij, Ervin Kodra.
Por vetëm bisedat në Sky ECC filluan të zbulonin aleancat fluide midis grupeve kriminale dhe se kush tashmë ishte kthyer në kundërshtar. Ashtu si edhe ato midis ish-deputetit socialist Arben Ndoka, që siguronte të dhëna nga Emiljano Shullazi në lidhje me lëvizjet e Durim Bamit.
Të dhëna që i nevojiteshin Ndokës dhe klanit të tij familjar për mënyrën sesi do të ekzekutohej Durim Bami. Ndoka, që kishte humbur vëllain e tij në një atentat, thuhet se mori pranë vetes Gentjan Bejtjan dhe Naim Stafukën, përkatësisht mikun dhe vëllain e të zhdukurit Enver Stafuka, fati i të cilit ende nuk dihet.
Ata dyshonin se në zhdukjen e tij kishte gisht Durim Bami, arsye për të cilën u bënë palë me Ndokën, i cili thirri në ndihmë për vrasjen e “të fortit të Niklës” edhe Astrit Avdylin, “të fortin” e Shijakut, i cili në këtë kohë ndodhej në burg pas arrestimit në kuadër të operacionit “Volvo 4” dhe delte në përgjime me ish-kryebashkiakun e Durrësit, Vangjush Dakon, në dosjen e bujshme “339”.
Arben Ndoka, sipas SPAK, bashkëpunoi me Aldo Avdylin, nipin e Astrit Avdylit, për vrasjen e Durim Bamit.
Aldo Avdyli u strehua në Lezhë, në ambientet e siguruara nga ish-deputeti, dhe do të hynte në lojë kur të ishte e nevojshme për të ekzekutuar “të fortin e Niklës”. Plani ishte që vëllai i Durim Bamit, Valteri, të merrej peng. Rrugës, në lojë hyri edhe Arben Mërkuri, i njohur si “Maneci”, i vrarë në vitin 2022 në Durrës, i cili do të luante rolin e ekzekutorit.
Ndërsa Gjin Ndoj, vrasja e të cilit u urdhërua nga Martinaj, do të kishte rolin e vëzhguesit të Durim Bamit. Ndoka bëri pakt edhe me Bajrat e Shkodrës, konkretisht me Behar Bajri Brajoviq, që nëse Durim Bami shkonte në shtëpinë e tyre, “ishin gati ta grinin”. Por i paduruar për të mbaruar punë, Arben Ndoka kërkoi vrasës me pagesë edhe në Kosovë.
Kjo del nga biseda me Ervis Martinajn:
Bisedë Sky ECC – 13 qershor 2020
Arben Ndoka: “Kam gjet një grup nga Kosova që bëjnë punë, janë super.”
Ervis Martinaj: “Ti jap unë pagesat e tyre.”
Pjesë e kësaj dosjeje që lidhet me planin për vrasjen e Durim Bamit është edhe ajo e janarit 2020, me bisedë në Sky ECC mes Marklen Hakës dhe Emiljano Shullazit.
Ky i fundit, edhe pse ndodhet në burg, përdor jo vetëm celular, por edhe Sky ECC.
Bisedat – Sky ECC:
Marklen Haka informon Shullazin për lëvizjet e Durim Bamit me një makinë të blinduar “Range Rover”.
Emiljano Shullazi:
“Kape… mos ja zgjat shumë. Se jam këtu dhe robt e mi që janë jashtë e kanë pak problem të vijnë në Nikël e të mbarojnë punë.
Po të jem vetë e mbaroj aty te dera e shtëpisë.
Ky legeni që është këtu në burg, Rraja (Redjan Rraja), thotë që Duri është më i fuqishmi aty. I bën reklamë.
Ai Duri i ka çuar haber atij Ndokës (Arben Ndokës) që të nxjerr kë të duash përveç Valterit dhe më jep garanci që e mbyllim bashkë.
Si t’ja bëjmë me e kap k… me e rrjep, me e torturuar, ishalla ta mbysin fort. Se tani s’ka blind që e ruan.
Ndërsa në muajin mars 2020, Shullazi komunikon me Ndokën duke i dhënë informacion për lëvizjet e Durim Bamit.”
Në përfundim, pavarësisht pistave të shumta, konflikteve të hapura dhe aleancave të lëvizshme kriminale, mbetet ende e vështirë të kuptohet kush shkrepit armën ndaj Gilmando Danit në Rinas.
Dhe nëse atentati ishte një hakmarrje e vjetër apo një goditje e drejtpërdrejtë për t’i prerë krahun e djathtë të mbetur jashtë qelisë Emiljano Shullazit.






















