Kronika 18 Janar 2026, 13:45 Nga VNA

Call centeri që mashtronte Europën. SPAK strukturë me “perimetra sigurie”, u zhvendosën natën për t’i shpëtuar BKH-së

Ndaje në Whatsapp
Call centeri që mashtronte Europën. SPAK strukturë me

SPAK reagon zyrtarisht lidhur me aksionin për goditjen e call center-ave. Në njoftimin zyrtar thuhet se hetimi nisi nga një investigim i emisionit “Le Iene”, që transmetohet në Mediaset, i cili kishte zbuluar se nga një call center në Tiranë ishin mashtruar shtetas italianë dhe europianë për investime në kriptomonedha të ndryshme. Gazetarët italianë arritën të infiltronin një shtetas italian, i cili realizoi filmime brenda call center-it dhe zbuloi skemën e mashtrimit të qindra mijëra qytetarëve.

“Procedimi u regjistrua në datën 9.1.2026 në Byronë Kombëtare të Hetimit pas paraqitjes së gazetarëve italianë të emisionit investigativ ‘Le Iene’, që transmetohet në Mediaset. Ata kanë dorëzuar materiale të punës së tyre.

Gjatë këtij hulumtimi është identifikuar një Qendër Thirrjesh (Call Center) që ndodhet në Tiranë, në ndërtesën ‘Atti Tower’, në rrugën ‘Ibrahim Rugova’, përballë Katedrales Ortodokse, nga ku autorët e mirëorganizuar dyshohet se kanë mashtruar shtetas italianë dhe europianë për investime në kriptomonedha të ndryshme.

Investigimi mori shkas nga ankesat e disa shtetasve italianë të mashtruar nga Qendra e Thirrjeve. Gazetarët italianë mundën të infiltrojnë një shtetas italian, i cili nisi të punojë aty dhe realizoi regjistrimin e të dhënave në ambientet e Qendrës së Thirrjeve. Nga të dhënat rezulton se në këtë veprimtari dyshohet të jenë përfshirë shtetas italianë, rezidentë në Itali dhe të tjerë që jetojnë në Shqipëri, ndërsa transaksionet kryheshin në kriptovaluta, në portofolet e monedhave virtuale të menaxhuara nga drejtuesit e këtij aktiviteti të kundërligjshëm, duke përdorur platforma mashtruese.

Duke iu referuar materialeve video, bëhet fjalë për një Qendër Thirrjesh që ndodhej në katin e 9-të dhe të 13-të të ‘Atti Tower’. Nga pamja e përgjithshme, dinamika e komunikimit dhe veprimet e personit që kryen regjistrimin apo edhe personave të tjerë, shihet se është një qendër e mirëorganizuar e thirrjeve telefonike, me poste pune të ndara, role të përcaktuara dhe staf që operonte në gjuhën italiane, franceze, spanjolle dhe gjermane”, thuhet në njoftim.

SPAK thotë se organizatorët kishin marrë masa të larta sigurie dhe për këtë, përpara se BKH të ndërhynte, ata kanë boshatisur zyrat dhe nga kulla “4EVER GREEN” janë shpërngulur në një ambient tjetër të marrë me qira në “Downtown One”.

“Nga veprimet e para hetimore të BKH-së rezultoi se organizatorët e kësaj veprimtarie kriminale kishin ngritur një strukturë të sofistikuar sigurie, me disa perimetra mbrojtës, duke përdorur jo vetëm kamera filmike statike, por edhe personel civil vëzhgimi jashtë kësaj Qendre. Ekzistojnë indicie të qarta se mbrëmjen e datës 15 janar 2026, pas përfundimit të punës, pjesëtarë të këtij personeli vëzhgues kanë njoftuar pronarët e Qendrës për një ndërhyrje të mundshme. Pas kësaj, në orët e para të mëngjesit të datës 16 janar 2026, janë larguar pajisjet dhe është boshatisur ambienti i Qendrës së Thirrjeve.

Pas ekzekutimit të vendimit të Gjykatës së Posaçme nr. 85, datë 15.1.2026, hetuesit e BKH-së konstatuan më 16 janar 2026 boshatisjen e ambientit dhe largimin e pajisjeve dhe personelit. Falë veprimeve të shpejta dhe të pandërprera hetimore, u bë i mundur identifikimi i personave dhe automjeteve të përdorura për largimin e pajisjeve kompjuterike dhe sistemeve nga call center-i. Pas gjurmimit të tyre, në një kohë të shkurtër, u realizua kapja në flagrancë e disa shtetasve, të cilët kishin transportuar gjatë natës materiale drejt një ambienti tjetër të marrë me qira në ‘Downtown One’”, thekson SPAK.

Më tej, Prokuroria e Posaçme sqaron se “hetuesit kanë bërë kontrollin me iniciativë të ambientit në katin e 5-të të godinës, ku është konstatuar një Qendër tjetër Thirrjesh, në ndërtim e sipër. Aty u gjetën pajisje kompjuterike, telefona, hard disqe, laptopë, karta të ndryshme SIM, dokumente dhe blloqe me shënime. Personat e kapur në flagrancë po transportonin një kosh mbeturinash, i cili përmbante sende të dyshuara të marra nga Qendra e Thirrjeve në rrugën ‘Ibrahim Rugova’, të cilat po asgjësoheshin”.

Në pranga përfunduan 8 të dyshuar, ndaj të cilëve rëndojnë veprat penale të “Mashtrimit kompjuterik”, në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal.

SPAK thotë se janë lëshuar edhe urdhra ndalimi për tre shtetas të tjerë, të dyshuar për të njëjtën vepër penale, të cilët nuk janë gjetur deri në këto momente. Bëhet fjalë për tre vëllezërit Preka.

“Gjatë kontrolleve të ushtruara në 28 ambiente – banesa, automjete, zyra, garazhe etj. – janë gjetur dhe sekuestruar, në cilësinë e provës materiale, qindra pajisje kompjuterike që janë në proces verifikimi, sisteme monitorimi kamerash, sisteme të rrjetit kompjuterik, pajisje memorizuese, serverë, dokumente të Qendrës së Thirrjeve, subjektit ‘Infinite’ sh.p.k. dhe subjekteve të tjerë në proces verifikimi. Gjithashtu janë sekuestruar edhe automjete të përdorura nga autorët e dyshuar, motomjete, si dhe një automjet luksoz i markës Ferrari, që dyshohet se i përket organizatorëve të këtij aktiviteti”, thekson SPAK.

Prokuroria e Posaçme vijon kryerjen e veprimeve hetimore për inventarizimin e të gjitha pajisjeve kompjuterike, sekuestrimin dhe analizimin e tyre, si dhe identifikimin e të gjitha viktimave të veprës penale, në bashkëpunim me autoritetet e huaja.

Video

Grupi amerikan i shpëtimit Grey Bull ka publikuar një video të shkurtër që tregon se si e ndihmoi udhëheqësen e opozitës venezueliane Maria Corina Machado të largohej nga vendi muajin e kaluar, raportoi CNN. Machado u largua nga Venezuela në fillim të dhjetorit në mënyrë që të mund të udhëtonte për në Norvegji për të marrë Çmimin Nobel për Paqen. Sipas asaj që është bërë e ditur, ajo fillimisht hipi në një varkë nga brigjet e Venezuelës dhe lundroi drejt një pike takimi të paracaktuar në Detin e Karaibeve. Atje, një varkë e dytë po e priste, në të cilën ndodhej themeluesi i Grey Bull dhe veterani i forcave speciale, Brian Stern, së bashku me ekipin e tij.

Shqipëria do ndryshojë kur të duam më shumë babën se kryetarin e partisë. Kushdo qoftë kryetari e cilado të jetë partia

Pas përfundimit të protestës, protestuesit kanë hedhur miell drejt Kryeministrisë. Në këtë moment, mbështetësit e “Shqipëria Bëhet” kanë identifikuar një person si të “infiltruar” mes tyre dhe për disa momente ka pasur përplasje me forcat e rendit. Situata është qetësuar disa minuta më vonë.

"Shqipëria Bëhet" protestë para kryeministrisë. Kërkohet dorëheqja e Edi Ramës. Me thirrjet “Edi Rama frikacak” dhe “Dorëheqje”, iu drejtuan kryeministrisë.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme