Kronika 22 October 2025, 17:08 Nga VNA

SPAK përfundon hetimet ndaj një rrjeti trafiku qeniesh njerëzore drejt SHBA-së

Ndaje në Whatsapp
SPAK përfundon hetimet ndaj një rrjeti trafiku qeniesh njerëzore

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK njoftoi të mërkurën më 22 tetor përfundimin e hetimeve ndaj një grupi kriminal me veprimtari trafikimin e qenieve njerëzore drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, SHBA, kundrejt vlerave monetare të konsiderueshme. Çështja penale ndaj pesë të pandehurve, Luc Melaj, Gëzim Camaj, Emanuel Melaj, Tonin Melaj dhe Bashkim Çokaj, këta dy të fundit punonjës policie, është dërguar në gjykatë për shqyrtim.

Sipas SPAK, është provuar ekzistenca e këtij grupi kriminal të përbërë kryesisht nga shtetas shqiptarë, ku si drejtues është identifikuar i pandehuri Luc Melaj. Ky grup kriminal akuzohet se ka organizuar kalimin e paligjshëm përtej kufirit shqiptar e të paktën 25 shtetasve shqiptarë, me destinacion përfundimtar Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Veprimtaria e paligjshme është zhvilluar nga mesi i vitit 2022 deri në korrik të 2024-ës. SPAK ka arritur në konkluzionin se veprimtaria ka qenë e paramenduar, e mirëorganizuar dhe me ndarje rolesh konkrete.

Trafikantët kryenin fillimisht takime në Shqipëri, me personat që kanë kërkuar të udhëtojnë jashtë apo me familjarë të tyre, kur sqarohej itinerari i udhëtimit dhe pagesat që duhej të kryheshin, të cilat varjonin nga 40 mijë deri në 45 mijë dollarë për secilin. Kërkuesit për të udhëtuar drejt SHBA-së kanë qenë kryesisht nga Malësia e Madhe, Shkodra, Lezha, Tropoja, persona që kishin familjarë në SHBA.

Organistatorët e trafikut siguronin dokumente identifikimi të falsifikuara, kryesisht franceze, që u jepeshin të interesuarve, pasi ata mbërrinin në Spanjë. Më pas, udhëtonin drejt Meksikës nëpërmjet rrugëve ajrore dhe pasi priteshin e akomodoheshin atje, transportoheshin në rrugë tokësore deri në SHBA.

Emanuel Melaj akuzohet se ka dhënë ndihmën e tij për rezervimin e biletave, dërgimin në adresat përkatëse si edhe për transferimin e parave. Ndërkohë, të pandehurit Luc Melaj e Gëzim Camaj akuzohen se kanë transportuar në mënyrë të paligjshme shtetas shqiptarë duke mos e dokumentuar kalimin e tyre gjate hyrje-daljeve në Malin e Zi.

Përmes ndihmës të pandehurve Tonin Melaj dhe Bashkim Çokaj, punonjës policie, të punësuar pranë pikave të kalimit kufitar të Hanit të Hotit, është bërë mosregjistrimi në sisteme për shtetasit që kanë pasur probleme të qëndrimit në vendet e Bashkimit Evropian, si dhe për të tjerë që janë azilkërkues në Kanada, Mbretërinë e Bashkuar e SHBA.

Për realizimin e këtij hetimi kanë kontribuar dhe autoritetet amerikane. SPAK bënë me dije se hetimet po vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë./BIRN/

 

Video

Vila e fshehur e Belinda Ballukut në Palasë/ SPAK: Arbër Abazi financoi punimet, bashkëjetuesja e tij i mbikëqyrte.

SPAK zbardh emailet për vilën e fshehur të Ballukut/ Punonjësit e Samir Manes ngritën alarmin: Pse prona e Igli Tares po i dorëzohej Lorela Reçit?

Ilir Beqaj shfaqet në GJKKO për herë të parë që prej zbutjes së masës së sigurisë.

Deputeti i PD-së, Luan Baçi, paraqitet në SPAK, i shoqëruar nga avokati i tij.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme