Elis Gjevori për Middle East Eye
Autoriteteve shqiptare u kërkohet të arrestojnë dhe gjykojnë rabinin izraelit Yoel Kaplan për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, të kryera gjatë asaj që cilësohet si gjenocidi i Izraelit në Gaza, zbulon në mënyrë ekskluzive Middle East Eye.
Të mërkurën, një kërkesë kundër Yoel Kaplan, qytetari izraelito-amerikan, ushtar aktiv i ushtrisë izraelite dhe drejtues i komunitetit të vogël hebraik në Shqipëri, u dorëzua te prokurori i përgjithshëm në Tiranë.
Kaplan ndan kohën e tij mes Izraelit, Shqipërisë dhe Selanikut në Greqi, ku gjithashtu drejton një komunitet të vogël hebraik. Ai është fotografuar në Gaza dhe videot e tregojnë me uniformë ushtarake pranë batalionit të 55-të të divizionit 98 të ushtrisë izraelite.
Qendra Ndërkombëtare për Drejtësi për Palestinezët (ICJP), një organizatë britanike për të drejtat e njeriut, njoftoi të mërkurën se kishte depozituar një kërkesë zyrtare te policia shqiptare lidhur me një anëtar të ushtrisë izraelite, i dyshuar për pjesëmarrje në krime lufte.
“Ne kemi arsye të besojmë se ky person ndodhet aktualisht në juridiksionin shqiptar dhe policia duhet të nisë urgjentisht hetimet dhe të kryejë arrestimin,” thuhet në deklaratë. Për arsye ligjore, ICJP nuk e ka bërë publik emrin e të dyshuarit.
Burime në Shqipëri kanë konfirmuar për Middle East Eye se i dyshuari është Kaplan. Në mars, ICJP nisi Koalicionin Global 195, një rrjet ndërkombëtar ligjor që ndjek krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit të kryera nga Izraeli në Gaza.
Divizioni 98 operoi në Gaza nga dhjetori 2023 deri në gusht 2024 dhe besohej të ishte aktiv në zonën e Khan Younis, në jug të Rripit të Gazës.
MEE raportoi për dhjetëra viktima civile gjatë operacioneve të njësisë së Kaplan në Khan Younis, ku pjesa më e madhe e qytetit u shkatërrua ose dëmtua para se divizioni të zhvendosej në Liban në tetor 2024.
Batalioni i Kaplan ishte i pranishëm në Khan Younis kur forcat izraelite qëlluan mbi fëmijë dhe sulmuan spitale, ambulanca dhe shkolla ku strehoheshin mijëra civilë.
Rabini kryesor i Shqipërisë, i emëruar nga qeveria në vitin 2010 pa mbështetjen e pjesës më të madhe të komunitetit të vogël hebraik shqiptar, po ndiqet penalisht sipas Nenit 7 të Kodit Penal Shqiptar, që trajton qytetarët e huaj që kryejnë krime jashtë vendit, përfshirë “krime kundër njerëzimit.”
Si vend anëtar i Gjykatës Ndërkombëtare Penale (GJNP) dhe Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), Shqipëria ka detyrimin ligjor të hetojë, sipas ICJP-së.
Misioni i Rabinit në Ballkan
Në shtator 2024, MEE publikoi video në rrjetet sociale ku Kaplan festonte mbi një tank mes shkatërrimeve të mëdha në Gaza.
“Rabini Yoel Kaplan, përfaqësues i Chabad në Shqipëri, i cili u kthye në Izrael pas 7 tetorit dhe ka qenë në luftë kundër Hamasit që nga fillimi i konfliktit, puhoi shofarin për ushtarët në Gaza,” thuhej në mbishkrim.
Pas këtij zbulimi, MEE kontaktoi Kaplanin për rolin e tij në Gaza.
“Jam shumë aktiv në ushtri dhe mendoj se ky është momenti për të qenë aktiv, sepse nëse jo në këtë luftë, kur?” tha Kaplan, duke theksuar se Izraeli lufton “për familjet hebreje” në mbarë botën.
Kaplan, i lindur në Brooklyn, New York, më vonë emigroi me familjen në Izrael, ku u vendos në qytetin Safed.
Ai kreu studimet në seminaret fetare në Jerusalem dhe New York dhe përfundoi studimet në vitin 1998.
Rabini është pjesë e lëvizjes Chabad-Lubavitch, një nga grupet më të mëdha hasidike në botë, me rreth 90,000 anëtarë.
Ideologjia e saj ultra-ortodokse dhe mesianike është lidhur shpesh me politikën e ashpër të kolonizimit. Kaplan është përputhur me këtë linjë, e cila e sheh pushtimin izraelit të territoreve palestineze si një mision hyjnor.
Në Ballkan, lëvizja Chabad, e cila nuk kishte prezencë para ardhjes së Kaplanit në Shqipëri, tani ka pika në rajon.
Kaplan la Shqipërinë pas 7 tetorit 2023 dhe tha për MEE se zgjodhi të “shfaqej dhe të ishte pjesë e njësisë sime ushtarake” në luftën në Gaza.
Në nëntor 2024, Kaplan i tha MEE se sapo kishte ardhur nga luftimet në Liban, ku Izraeli kishte nisur pushtimin më 1 tetor.
Kaplan në front
Informacioni i hapur tregon se divizioni 98 u tërhoq nga Gaza në gusht 2024 dhe u zhvendos në veri të Izraelit në fund të shtatorit, në përputhje me deklaratën e Kaplanit.
Në shtator 2024, kanali izraelit Channel 14 transmetoi pamje ku rabini Yoel Kaplan shfaqej me uniformë ushtarake dhe armë në krah, duke puhuar shofarin para një tanku në Rafah.
Kaplan e konsideronte rolin e tij si përforcues i besimit mesianik të ushtarëve përpara betejës, duke u dhënë atyre “shofarin e Mesiasit, shpëtimin që të gjithë e presim dhe shpresojmë.”
Ai shpjegoi se misioni kryesor ishte “forcimi i shpirtit të luftëtarëve,” dhe se ishte “thelbësore” t’u shpjegohej atyre se “janë pjesë e një plani të plotë shpëtimi për popullin e Izraelit, dhe secili prej tyre kryen një mision kritik.”
Ai përjetonte emocione të forta kur grumbullonte ushtarët për luftë dhe pas një takimi me djalin e tij të madh në Gaza, deklaroi se ishte “me krenari të madhe që babai dhe djali ishin në luftë.”
Lufta e shkurtër e Izraelit me Hezbollah-un përfundoi më 28 nëntor 2024 me një armëpushim, por Izraeli vazhdoi sulmet në Liban duke thyer armëpushimin dhe duke vrarë qindra persona.
“Është një përpjekje e madhe që po bëjmë – unë dhe disa ushtarë me të cilët punoj, përfshirë djalin tim, i cili është gjithashtu oficer… po bëjmë shumë,” tha Kaplan. “Jam shumë krenar për këtë.”
“E di që disa do ta shohin luftën në mënyrë të gabuar, por kujt i intereson? Ne jemi shumë të fokusuar në detyrën tonë dhe në kohën e duhur po e bëjmë me një privilegj të madh,” shtoi ai.
Kur u pyet për eksperiencat në Gaza dhe Liban, Kaplan u tërhoq dhe tha: “Më mirë të mos flas për detajet, veçanërisht jo për median. Më mirë të mos flas këto ditë, veçanërisht për veten time, pasi udhëtoj shumë – më mirë të mos e bëj publik këtë pjesë të përvojës.”
Kaplan ndoshta ishte i shqetësuar sepse organizata si Hind Rajab Foundation dhe Koalicioni Global 195 i ICJP po ndjekin figura politike dhe ushtarake izraelite për krime lufte, duke ndërtuar raste për gjykata ndërkombëtare.
Në janar, ushtria izraelite kufizoi ushtarët aktivë nga postimet në rrjetet sociale për shkak të frikës se informacionet mund të përdoren në gjykata jashtë vendit.
“Kam mbështetjen e qeverisë shqiptare”
Veprimet e Izraelit në Gaza kanë nxitur protesta edhe në Shqipëri.
Kaplan i hodhi poshtë si të parëndësishme protestat pro-palestineze në Shqipëri, duke thënë: “E dimë që thonë shaka… reklama e keqe është gjithmonë reklamë.”
“Kam mbështetjen e qeverisë. Mendoj se nuk do të ndikojë aspak,” tha rabini.
Kur u pyet nëse ekziston tension midis pjesëmarrjes së tij në luftërat izraelite dhe rolit të tij si udhëheqës shpirtëror i komunitetit hebraik shqiptar dhe më gjerë në Ballkan, ai iu përgjigj shkurt: “Jo.”
Në televizionin shtetëror shqiptar RTSH, Kaplan paraqitet si një person apolitik, njeri paqeje dhe dialogu ndërfetar.
Ai kërkoi disa herë nga MEE që të mos raportohej për rolin e tij në luftën në Gaza, edhe pse intervista është në regjistrim.
Ai përsëriti: “Preferoj mos të përmendet kjo nga ana juaj. Nuk dua të bëhet çështje prej kësaj. Ju lutem mos e përmendni dhe mos e bëni pjesë të intervistës.”
Kaplan dëshironte të fokusohej tek jeta hebraike në Shqipëri dhe Ballkan.
Në ditën që MEE e intervistoi, GJNP lëshoi urdhërarrest për Kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-Ministrin e Mbrojtjes Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
“Të gjithë hebrenjtë duhet të jenë të trishtuar për këtë vendim,” tha Kaplan.
“Nuk jam pjesë e intervistës tuaj”
Kur u pyet për situatën humanitare në Gaza, Kaplan përsëriti argumentet propagandistike të qeverisë izraelite, tashmë të diskredituara, sipas të cilave Hamas po vjedh ndihmat humanitare.
Ai u mërzit dhe pretendoi se kishte mbajtur “me dhjetë gishtat e mi, foshnjat që terroristet i vunë në furrë.” Nuk ka asnjë provë për këto pretendime.
“Nuk kam opinion për këtë,” tha Kaplan kur u pyet nëse mbështet zgjidhjen me dy shtete, një shtet palestinez pranë një shteti izraelit.
Për pyetjen në lidhje me kolonitë në Bregun Perëndimor të pushtuar, Kaplan ofroi të lidhë MEE me ambasadën izraelite në Shqipëri.
Ai tha gjithashtu se nuk ka koment dhe “nuk di” për hetimet e GJND dhe GJNP ndaj udhëheqësve dhe forcave ushtarake izraelite për krime në Gaza.
Kur u pyet nëse ndjen tension mes detyrës si rezervist ushtarak izraelit dhe detyrës si rabin kryesor në Shqipëri, Kaplan tha: “Jo, shumë rabinë në botë janë pjesë e kësaj.”
“Nuk jam i interesuar të flas për këto çështje… nuk jam pjesë e intervistës suaj,” tha Kaplan. “Intervista ka përfunduar dhe nga ana ime nuk ka ndodhur. Nuk kam asgjë për të thënë për këtë temë, dhe kaq.”
Në profilin e tij në WhatsApp gjatë intervistës shfaqej në foto duke udhëhequr lutjet e ushtarëve në Gaza.
Pas intervistës, ai fshiu menjëherë foton. MEE i dërgoi një kërkesë rabinit kryesor të Shqipërisë për të komentuar rastin ligjor që po ndiqet ndaj tij, por deri në publikim nuk ka marrë përgjigje.