Kronika 27 Prill 2026, 12:51 Nga VNA

Renato Mhillaj ishte adoleshent kur iu vra babai Genc Mhillaj, sot dyshohet për atentatin ndaj Kreshnik Mujecit

Ndaje në Whatsapp

Renato Mhillaj ishte adoleshent kur iu vra babai Genc Mhillaj, sot dyshohet

Vrasja e dyfishtë e ndodhur mesditën e së dielës në Balldre të Lezhës, ku mbetën të vrarë Kreshnik Mujeci dhe bashkëshortja e tij, ka rikthyer në vëmendje një histori të vjetër kriminale që daton nga viti 2016. Zhvillimet e fundit sugjerojnë se ngjarja mund të jetë një zinxhir i gjatë konfliktesh të pambyllura, ku boshllëqet e drejtësisë shpesh mbushen nga logjika e hakmarrjes personale.

Policia njoftoi se ka identifikuar tre persona të dyshuar për atentatin dhe i ka shpallur ata në kërkim. Bëhet fjalë për Adriano Mhillajn, 22 vjeç, Florin Mhillajn, 36 vjeç dhe Renato Mhillajn, 23 vjeç. Sipas të dhënave paraprake, Renato Mhillaj është djali i Genc Mhillajt, viktimës së vrarë në vitin 2016 në Shkodër, për një ngjarje për të cilën u akuzua dhe u gjykua edhe Kreshnik Mujeci, por në fund u shpall i pafajshëm nga gjykata. Dy të tjerët në kërkim janë djem xhaxhallarësh të tij.

Sipas hetimeve paraprake, krimi i ndodhur në Lezhë dyshohet të jetë kryer për motive hakmarrjeje. Mujeci dhe bashkëshortja e tij u qëlluan me armë zjarri ndërsa ndodheshin brenda automjetit të tyre. Nga të shtënat, të dy humbën jetën në vend, ndërsa autorët u larguan menjëherë dhe janë ende në kërkim.

Një dosje që rikthehet pas 9 vitesh

Atentati ka rikthyer në vëmendje një çështje penale të vitit 2016 që lidhej me vrasjen e shtetasit Genc Mhillaj. Sipas dosjes hetimore, më 6 tetor të atij viti, rreth orës 11:00, policia u njoftua për një person të qëlluar me armë zjarri në aksin Rranxa–Bushat drejt Malit të Jushit në Shkodër.

Viktima u transportua me urgjencë në Spitalin Rajonal të Shkodrës, por nuk arriti t’u mbijetojë plagëve. Një dëshmitar deklaroi se kishte parë dy persona të armatosur, njëri me armë automatike dhe tjetri me një shkop, të cilët pas të shtënave hipën në një automjet tip Audi me ngjyrë të errët dhe u larguan nga vendi i ngjarjes.

Prokuroria e Shkodrës dërgoi për gjykim çështjen penale në ngarkim të Jozef Mujecit, i akuzuar për “vrasje me paramendim” në bashkëpunim dhe “mbajtje pa leje të armëve”, si dhe ndaj Kreshnik Mujecit, i cili u mor i pandehur për “vrasje me paramendim” në bashkëpunim.

Provat dhe dyshimet e hetimit

Gjatë hetimeve u evidentua se viktima kishte pasur një konflikt disa ditë para ngjarjes me Jozef Mujecin, çka u konsiderua nga prokuroria si një motiv i mundshëm për krimin.

Në kuadër të hetimeve, policia kreu kontrolle në banesën e Pjetër Mujecit, babai i Jozef Mujecit. Në hyrje të oborrit u gjet një automjet tip Audi A3 me ngjyrë gri të errët, me kofanon dhe marmitën ende të nxehta.

Rreth 2–3 kilometra larg vendit të krimit, përballë restorantit “Molla”, u gjet edhe një furgon Mercedes-Benz me dokumente në emër të Kreshnik Mujecit, element që sipas prokurorisë e lidhte atë me ngjarjen.

Në vendngjarje u sekuestrua gjithashtu një armë zjarri pistoletë tip TT, model 54, kalibri 7.62 mm, me një krehër me tetë fishekë.

Hetimet përfshinë edhe përgjime ambientale mes Pjetër Mujecit dhe Jozef Mujecit, nga të cilat sipas prokurorisë u përftuan të dhëna që konsideroheshin të rëndësishme për çështjen. Një tjetër dëshmitar deklaroi se kishte parë një makinë të lëvizte pranë banesës së Pjetër Mujecit rreth një orë para mbërritjes së policisë, por nuk arriti të identifikonte drejtuesin e saj.

Pse gjykata i shpalli të pafajshëm

Megjithatë, gjatë procesit gjyqësor gjykata arriti në përfundimin se provat e paraqitura nga prokuroria nuk ishin të mjaftueshme për të provuar fajësinë përtej çdo dyshimi të arsyeshëm.

Ekspertiza tregoi se në automjetin Audi nuk u gjetën gjurmë gishtash të Jozef Mujecit. Po ashtu, dëshmitari që gjatë hetimeve kishte përmendur emrin e tij më pas deklaroi në gjykatë se nuk kishte identifikuar autorët e vrasjes.

Gjatë procesit u paraqitën edhe prova që tregonin se në momentin e krimit Jozef Mujeci ndodhej në zonën e Koplikut, ndërsa tabulatet telefonike mbështesnin këtë version.

Për këto arsye, gjykata vendosi të shpallë të pafajshëm Jozef dhe Kreshnik Mujecin për akuzën e vrasjes me paramendim.

Kur drejtësia nuk bind, lind hakmarrja

Pikërisht kjo histori duket se është rikthyer sot në mënyrë tragjike në Lezhë. Nëse hetimet do të konfirmojnë pistën e hakmarrjes, atëherë vrasja e dyfishtë mund të shihet si një pasojë e një konflikti që nuk u mbyll kurrë realisht.

Në shumë raste, edhe kur drejtësia vendos pafajësinë për shkak të mungesës së provave, kjo nuk arrin domosdoshmërisht të bindë palët e përfshira në konflikt. Dhe pikërisht në këto boshllëqe, shpesh lind një logjikë tjetër – ajo e drejtësisë private.

Ngjarja e Lezhës është një kujtesë tragjike se kur plagët e së kaluarës mbeten të hapura dhe drejtësia nuk arrin të krijojë një bindje të plotë shoqërore për të vërtetën, rreziku është që vendin e saj ta zërë hakmarrja.

Ndërkohë, policia dhe grupi hetimor vijojnë operacionin për kapjen e tre të dyshuarve, ndërsa hetimet janë përqendruar në zbardhjen e plotë të rrethanave të atentatit dhe në verifikimin e lidhjes së tij me konfliktet e mëparshme.

Video

Tani që Big Brother mbaroi, Monika Kryemadhi ka një sfidë tjetër me opinionin publik…

Seanca e parë e gjyqit në themel, Ilir Meta shpërthen në akuza

Ish-drejtori i përgjithshëm i burgjeve Agim Ismaili paraqitet në GJKKO Ismaili akuzohet bashkë me 2 bashkëpunëtorët e tij Arnold Rrokaj dhe Zambak Gjoni, për hakerimin e sistemit informatik të SPAK.

Kreu SPAk Braho shoqërohet nga Vladimir Mara, shef seksioni kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit, Dorina Bejko shefe seksioni kundër korrupsionit dhe Joni Keta Drejtori i Byros Kombëtare të hetimit

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme