Kronika 3 March 2026, 15:04 Nga VNA

Qytetarët e bllokuar në Lindjen e Mesme, Mali i Zi nis avionët, Shqipëria mbetet te këshillat

Ndaje në Whatsapp

Qytetarët e bllokuar në Lindjen e Mesme, Mali i Zi nis avionët,

Përshkallëzimi i situatës së sigurisë në Lindjen e Mesme ka vënë në provë reagimin e qeverive të rajonit për mbrojtjen e shtetasve të tyre jashtë vendit. Dy njoftime të publikuara sot – një nga Ministria e Jashtme e Malit të Zi dhe tjetri nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë – zbulojnë dy qasje krejt të ndryshme ndaj së njëjtës krizë.

Mali i Zi ka kaluar menjëherë nga paralajmërimi në veprim konkret: ka organizuar një fluturim evakuimi me Air Montenegro nga Sharm el-Sheikh, Egjipt, me orar të përcaktuar nisjeje dhe me një listë të qartë kontaktesh diplomatike për regjistrimin e qytetarëve. Thirrja është operative, me kërkesë për dërgimin e të dhënave të sakta dhe me premtimin se detajet logjistike do t’u komunikohen drejtpërdrejt pasagjerëve të regjistruar.

Në të kundërt, njoftimi i palës shqiptare mbetet në nivel këshillimi: shmangni udhëtimet, ndiqni burime të besueshme, kontaktoni ambasadat, mbani dokumentet gati. Një komunikim korrekt në aspektin formal, por që nuk ofron asnjë instrument konkret për zgjidhjen e situatës së dhjetëra qytetarëve shqiptarë që aktualisht janë të bllokuar në Dubai, sipas informacioneve të Ekofin.al dhe në vende të tjera të rajonit, prej disa ditësh, për shkak të anulimeve dhe pasigurisë në fluturime.

Diferenca thelbësore nuk është tek toni i deklaratave, por tek niveli i ndërhyrjes. Mali i Zi, një shtet me popullsi dhe buxhet dukshëm më të vogël se Shqipëria, ka aktivizuar menjëherë kapacitetet shtetërore për të garantuar kthimin e qytetarëve të tij. Organizimi i një fluturimi të dedikuar evakuimi është një vendim që ka kosto financiare dhe implikime logjistike, por mbi të gjitha dërgon një mesazh politik: shteti është i pranishëm.

Shqipëria, deri tani, ka zgjedhur një qasje më të kujdesshme, duke e kufizuar reagimin në këshillim dhe monitorim të situatës. Në teori, kjo mund të justifikohet me faktin se hapësira ajrore nuk është mbyllur plotësisht dhe se linjat komerciale vijojnë të operojnë në disa segmente. Por në praktikë, për qytetarët që kanë mbetur të bllokuar, mes anulimeve të papritura dhe mungesës së alternativave të sigurta, këshillat nuk mjaftojnë.

Krahasimi mes dy vendeve është i pashmangshëm, sidomos në një moment kur të dyja aspirojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Mali i Zi konsiderohet më përpara në procesin e negociatave, por në aspektin e burimeve financiare dhe madhësisë së ekonomisë, Shqipëria nuk ka arsye të justifikohet me mungesë kapacitetesh.

Organizimi i një fluturimi evakuimi nuk është vetëm çështje fondesh. Është çështje koordinimi mes ministrive, kompanive ajrore dhe përfaqësive diplomatike, si dhe një vendimmarrje e shpejtë në nivel politik. Në raste të tilla, koha është faktori kritik. Çdo ditë pritjeje rrit pasigurinë dhe kostot për qytetarët e mbetur jashtë.

Kriza aktuale nxjerr në pah rëndësinë e diplomacisë konsullore, një dimension shpesh i nënvlerësuar i politikës së jashtme. Nuk mjafton hapja e ambasadave apo prezenca në forume ndërkombëtare; prova reale vjen në momentet kur shtetasit kërkojnë mbështetje konkrete.

Në këtë kontekst, reagimi i Malit të Zi krijon një precedent rajonal. Ai tregon se edhe një shtet i vogël mund të ndërhyjë shpejt për të garantuar sigurinë e qytetarëve të tij. Shqipëria, nga ana tjetër, përballet me një pyetje legjitime publike: a do të kalojë nga faza e këshillave në fazën e veprimit?

Standardet e Bashkimit Evropian nuk maten vetëm me harmonizim legjislativ apo me reforma institucionale. Ato maten edhe me mënyrën se si shteti mbron qytetarët e tij, brenda dhe jashtë territorit.

Pyetja që shtrohet sot nuk është nëse situata është e vështirë – ajo është e tillë për të gjithë. Pyetja është nëse shteti shqiptar do të ndërmarrë hapa konkretë për të garantuar kthimin e qytetarëve të tij, nëse situata përkeqësohet më tej.

Për momentin, diferenca mes Podgoricës dhe Tiranës është e dukshme: njëra ka ngritur avionin, tjetra ka ngritur këshillën. Dhe për qytetarët që presin mes ankthit dhe pasigurisë, kjo diferencë nuk është vetëm simbolike./Ekofin.al/

Video

Pas përfundimit të protestës para Kryeministrisë, qytetarët kanë nisur marshimin në rrugët kryesore të Tiranës.

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky zhvilloi takimin e tij të parë me kryeministrin e ri të Britanisë së Madhe në bordin e aeroplanmbajtëses HMS Queen Elizabeth, në bazën detare të Portsmouthit. Gjatë bisedës, kryeministri britanik rikonfirmoi mbështetjen për Ukrainën, ndërsa Zelensky ftoi kryeministrin të vizitojë vendin e tij.

Të paktën dy persona humbën jetën pasi një automjet u godit nga një sulm ajror në Deir al-Balah, në qendër të Rripit të Gazës. Sipas raportimeve, sulmi u krye nga forcat izraelite, ndërsa viktimat ishin dy zyrtarë të sigurisë së Hamasit. Ushtria izraelite konfirmoi se kishte në shënjestër një militant të Hamasit.

Një vizitor i pazakontë shkaktoi panik dhe habi në një aeroport të Nju Jorkut, pasi një rakun ra papritur nga tavani i terminalit mbi udhëtarët. Ende mbetet mister se si kafsha përfundoi mbi tavan dhe çfarë po bënte aty. Pas “uljes së detyruar”, rakuni u largua me shpejtësi, duke lënë pas pasagjerë të trembur dhe një episod sa të pazakontë, aq edhe komik. Pamjet janë regjistruar në nëntor 2024, por së fundmi janë bërë virale në rrjetet sociale.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme