
Në procesin gjyqësor ndaj tre të akuzuarve për vrasjen e Liridona Ademaj, mbrëmjen e 29 nëntorit 2023, u dëgjua dëshmia e ekspertit Naim Uka, i cili ka bërë autopsinë e trupit të së ndjerës.
Për ekzekutimin e gruas akuzohen Naim Murseli (ish-bashkëshorti i saj), Kushtrim Kokalla dhe Granit Plava, i cili dyshohet të jetë ekzekutori.
Sipas Kallxo.com eksperti Uka, tha se viktima u qëllua nga distanca 2 deri në 5 centimetra. Njëherësh, Uka përjashtoi mundësinë që vrasja e Ademajt të ketë ndodhur duke ia mbajtur armën në kokë.
“Gjatë ekzaminimit të plagës hyrëse – përreth vrimës hyrëse kemi konstatuar prezencën e faktorëve plotësues të qitjes, të cilët kanë shkaktuar djegien lëkurore – me prezencë të grimcave të barotit – dhe në bazë të këtyre provave mjekoligjore është konstatuar se distanca e qitjes sillet rreth 2-5 centimetër. Përjashtohet mundësia e vrasjes me puthitje apo gjysmë-puthitje për shkak të mungesës së stampimit të tytës së armës në indet e buta përmes vrimës hyrëse të plagës” – tha Uka.
Sipas tij, si pasojë e kësaj plage ka ardhur edhe gjakderdhja e jashtme dhe e brendshme e cila ka qenë shkaku i vdekjes.
Uka ka thënë se mundësia e vetëvrasjes është përjashtuar pasi e kanë ekzaminuar të ndjerën në të dy duart dhe nuk kanë vërejtur faktorë të qitjes (barotit) apo njolla të gjakut në duart e saj.
Tutje, si provë plotësuese që është marrë për bazë për ta përjashtuar mundësinë e vetëvrasjes, është mungesa e shtangimit të gishtit tregues.
“Bazuar në prezencën apo mungesën e faktorëve plotësues të qitjes dhe njollave (spërkalave) të gjakut është eliminuar mundësia që e njëjta të ketë përdorur ndonjë armë apo të ketë shkaktuar vetëvrasje. Mungesa e shtangimit kataliptik të gishtit tregues është një provë tjetër plotësuese” – tha Uka.
Gjatë ekzaminimit të trupit të Ademajt, sipas tij, krahas plagës së shkaktuar nga qitja me armë të zjarrit, është vërejtur edhe një mavijosje e dorës së majtë, e cila “është krijuar para ose pas vrasjes”.
“Në rastin konkret, gjatë ekzaminimit të jashtëm trupor, është konstatuar gjakmbledhja nënlëkurore – hematoma, me përmasa rreth 6 herë 1.5 centimetra në regjionin e sipërm dhe të jashtëm të krahut të majtë. Kjo gjakmbledhje është përshkruar me përngjyrime të kuqe dhe blu. Vetë përngjyrimi i tillë, bazuar në literaturën mjekësore – ligjore, dhe praktikat mjekoligjore, dëshmon se kjo gjakmbledhje është shkaktuar para ose gjatë vrasjes së tanimë të ndjerës.” – tha Uka.
Sipas ekspertit, mavijosja në krahun e majtë ka mundur të ndodhë rreth tri orë para se të ndodhte vrasja e Liridona Ademajt, por nuk ka mundur të shkaktohet pasi ajo ka vdekur, meqë “qarkullimi i gjakut ka pushuar në momentin e vrasjes së të njëjtës”.
“Proceset fiziologjike në organizmin e njeriut pushojnë së vepruari me rastin e vdekjes së të ndjerit/es. Në këtë kuptim nuk mund të zhvillohet hematomë, apo rrjedhje e gjakut, pasi që qarkullimi i gjakut ndërprehet. Prandaj përngjyrimi i kuq, bazuar në të gjitha literaturat e mjekësisë ligjore, pavarësisht kohës se kur është kryer autopsia ligjore, tregon qartë se gjakmbledhja nënlëkurore, apo hematoma, është shkaktuar nga momenti i vrasjes dhe 24 orë përpara vrasjes. Ose bazuar vetëm në përngjyrimin e kuq, nuk e kalon tri orëshin para vrasjes.” – tha Uka.
Eksperti nuk përmendi mjetin me të cilin i është shkaktuar mavijosja në krahun e majtë, por shpjegoi karakteristikat e mjetit që kanë mundur ta shkaktojnë këtë mavijosje.
“Dëmtimi i përshkruar në këtë regjion në bazë të karakteristikave të tij është shkaktuar nga veprimi i mjetit të fortë të topitur, jo i mprehtë, pa maje dhe pa tehe. Në cilësinë e mjekut ligjor mund të përshkruajë vetëm karakteristikat e mjetit, pa e emëruar mjetin. Mirëpo, përjashtohet çdo mjet i cili i ka karakteristikat e majës të tehut apo të këndeve të rregullta” – tha Uka.
Pasi u ballafaqua nga prokurorja rreth deklaratës së tij të dhënë në Prokurori dhe asaj se çfarë deklaroi në seancë, ai tha se nuk përjashtohet mundësia e veprimit të dorës ose ndonjë mjeti tjetër me formë topitëse.
“Nuk përjashtohet mundësia e veprimit të dorës apo ndonjë mjeti tjetër me karakteristika të formës topitëse” – tha Uka.
Trupi gjykues në këtë çështje penale është i përbërë nga Fatime Dermaku (kryetare e trupit gjykues), Gent Beka dhe Alban Ajvazi (anëtarë). Ndërsa aktakuza në këtë rast po përfaqësohet nga prokurorja Javorka Perlinçeviq.
Pas dëgjimit të ekspertit psikiatrik, Shpend Haxhibeqiri, i cili e ka bërë ekzaminimin psikiatrik të të akuzuarit Naim Murseli, seanca e datës 22.09.2025 vazhdoi me dëgjimin e ekspertit të neuropsikiatrisë, Bujar Obertinca.
Shqyrtimi fillestar për këtë çështje penale është mbajtur më 31.01.2025 në Gjykatën e Prishtinës.
Më 31.01.2025 Naim Murseli nuk e kishte pranuar fajësinë lidhur me akuzën për vrasjen e Liridona Ademajt. Kurse, Kushtrim Kokalla nuk kishte pranuar të deklarohet pa u këshilluar me avokatin e tij, Ndrecë Dodajn.
Naim Murseli, Granit Plava, Kushtrim Kokalla janë personat të cilët tashmë po akuzohen nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, nën dyshimin për organizimin dhe vrasjen e Liridona Ademajt – ngjarje që u regjistrua më 29.11.2023, në fshatin Bërnicë të Prishtinës.
I akuzuar në këtë rast është edhe Tom Dodaj, i cili akuzohet që shiti armën me të cilën u krye vrasja e Liridona Ademajt. Ky i fundit në shqyrtim fillestar më 31.01.2025 kishte pranuar fajësinë për veprën penale që i vihet në barrë nga Prokuroria.
Dodaj nga Gjykata e Prishtinës për këtë vepër penale është dënuar me 5 vjet dënim me burgim dhe me 5,000 euro dënim me gjobë.
KALLXO.com ka arritur që të sigurojë aktakuzën e plotë të ngritur nga prokurorja Javorka Perlinçeviq. Kjo e fundit madje në një konferencë që u thirr nga kryeprokurori Zejnullah Gashi tha se vonesa e aktakuzës është si shkak i disa dokumenteve dhe kërkesave që ka kërkuar nga Suedia, për të zbardhur motivin që qëndroi mbrapa vrasjes.
Prokurorja e rastit ka përshkruar se Naim Murseli planifikoi vrasjen e bashkëshortes së tij për shkak të raporteve të çrregulluara familjare dhe martesore. Prej këtyre problemeve – siç përshkruhet edhe në Aktakuzë – kishte lindur edhe dëshira për hakmarrje nga ana e Naim Murselit ndaj bashkëshortes së tij.
Gjithmonë sipas aktakuzës, pas datës 25.06.2022, kur ishte paguar një polisë e sigurimit jetësor në emër të Liridona Ademajt në vlerë prej 3 milionë kruna suedeze, me qëllim që pas vrasjes Murseli të përfitojë dobi financiare.
Këtë plan dosja e përshkruan se Naim Murseli e ndau me familjarin e tij Kushtrim Kokallën dhe se ky i fundit kishte refuzuar që të kryejë vrasjen, por tutje ka gjetur personin e tretë, Granit Plavën, me të cilin e ka njoftuar Naim Murselin.
Gjithmonë sipas dosjes, më 29.11.2023, në orët e mesditës, Naim Murseli bashkë me Granit Plavën blenë një armë të tipit “Zastava”, me ngjyrë të zezë, nga Tom Dodaj, në vlerë 280 euro.
E, në të njëjtën ditë dosja shpjegon se në intervalin kohor: 20:11-20:18 minuta, në vendin ku paraprakisht ishte dakorduar Naim Murseli me Granit Plavën – plan të dakorduar që e kanë inskenuar që të duket si grabitje e armatosur – është kryer edhe vrasja.
Në dosje shkruhet se Naim Murseli e kishte lajmëruar fillimisht Granit Plavën me drita të veturës, më pas e kishte kapur për dore Liridona Ademajn, që të mos i shpëtojë plumbit, pasi u shkrep nga Plava. E, që tutje Naimi ka dalë nga vetura me fëmijët dhe është larguar nga vendi i ngjarjes. Me të gjitha këto veprime që ka kryer Naim Murseli Prokuroria e ka ngarkuar atë me veprën penale të vrasjes së rëndë.
I pandehuri i dytë është Granit Plava, i cili sipas Prokurorisë në ditën kritike në intervalin kohor: 20:11-20:18 minuta, në fshatin Bërnicë, pas marrëveshjes paraprake që kishte bërë me Naim Murselin, Dosja përshkruan se kreu vrasjen në formë të maskuar, kishte shtënë në drejtim të viktimës, e cila për pasojë edhe ka vdekur. E, për të gjithë këtë rast Plava do të kompensohej me një shumë prej 30,000 eurosh.
Sipas dosjes së Prokurorisë Plava ishte afruar drejtpërdrejt me viktimën dhe të njëjtën e ka qëlluar me armë, derisa krahun viktimës po ia mbante ish-bashkëshorti i saj, që të mos i shmangej plumbit.
Arma që ishte përdorur në rast ishte gjetur në shtëpinë e tashmë të akuzuarit Granit Plavës, në fshatin Cermjan në Gjakovë. Sekuestrimi i armës u bë pas bastisjes, që u krye në shtëpinë e të dyshuarit.
Plava nga Prokuroria ngarkohet me veprat penale “vrasje e rëndë” dhe “posedim i armës pa leje”.
I akuzuari i tretë është Kushtrim Kokalla, familjar i Naim Murselit. Dosja tregon se Kokalla kishte refuzuar të kryente vrasjen, por që më pas kishte gjetur Granit Plavën dhe i kishte prezantuar Naim Murselit.
Edhe Kokalla ngarkohet me veprën penale “vrasje e rëndë”. E, i pandehuri i katërt në këtë rast është Tom Dodaj. Ai po ngarkohet për “furnizim me armë” të tre të dyshuarve të parë, të cilët planifikuan dhe kryen vrasjen.I akuzuari i katërt në këtë rast Tom Dodaj ka pranuar fajësinë duke thënë se në mënyrë vullnetare e pranon fajësinë për veprën penale “importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse”.
Tom Dodaj për veprën penale “importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse” nga Gjykata e Prishtinës është dënuar me 5 vjet “dënim me burgim” dhe me 5,000 euro “dënim me gjobë”. Kallxo.com