Kronika 19 March 2026, 15:05 Nga VNA

Prokuroria dërgon për gjykim autorin e mitur dhe tre persona të tjerë për vrasjen e 14-vjeçarit

Ndaje në Whatsapp

Prokuroria dërgon për gjykim autorin e mitur dhe tre persona të

Prokuroria e Korçës ka përfunduar hetimet për vrasjen e Erald Xhejos në fshatin Pirg të Maliqit dhe ka dërguar për gjykim autorin e mitur, Enedio Guri, babain e tij Edison Guri, xhaxhain Roland Guri, si dhe Flori Çelën.

Ndaj autorit të mitur rëndon akuza për “vrasje në rrethana cilësuese”. Babai, Edison Guri, akuzohet për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës, ndërsa xhaxhai, Roland Guri, përveç pengimit të zbulimit të së vërtetës, akuzohet edhe për përkrahje të autorit në kryerjen e krimit. Ndaj Flori Çelës rëndon akuza për moskallëzim krimi dhe përkrahje të autorit në krim.

Ngjarja ka ndodhur në ambientet e jashtme të një lokali në Pirg, ku i mituri Erald Xhejo është përfshirë në një konflikt fizik me Enedio Gurin. Sipas Prokurorisë, pamjet filmike tregojnë se Enedio ka ndjekur Xhejon me një thikë në dorë dhe, pasi i mituri rrëzohet në tokë, e godet.

Prokuroria thekson se babai i autorit ka pasur dijeni për përfshirjen e të birit në konflikt, por nuk ka bashkëpunuar me organet e drejtësisë, ndërkohë që ka ndërmarrë veprime që kanë penguar zbardhjen e ngjarjes.

Njoftimi i plote:

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq shtetasin e mitur E.G., për veprën penale ‘Vrasje në rrethana cilësuese’ e parashikuar nga neni 79/a/ë i Kodit Penal si dhe shtetasit E.G., R.G. dhe F.Ç, për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtëtës” parashikuar nga nini 301 i Kodit Penal.

Në përfundim të hetimeve mbi procedimin penal nr.1155/2025, rezultoi se, më datë 14.08.2025, rreth orës 17:30, strukturat e Policisë u njoftuan se në Spitalin Rajonal të Korçës ishte transportuar në gjendje të rëndë shëndetësore i mituri E.Xh., 15 vjeç, banues në fshatin Zvirinë. Për shkak të plagëve të marra me mjet prerës (thikë) në zonën e kraharorit, i mituri ndërroi jetë, pavarësisht ndihmës mjekësore.

Nga veprimet e para hetimore u konstatua se ngjarja kishte ndodhur në ambientet e jashtme të lokalit “Amar”, në fshatin Pirg, ku viktima ishte konfliktuar fizikisht me një tjetër të mitur, shtetasin E. G., banues në të njëjtin fshat.

Nga këqyrja e pamjeve filmike të siguruara nga kamerat e sigurisë së lokalit, u konstatua se viktima dhe autori i dyshuar ishin përfshirë në një konflikt fizik. Në video shfaqet qartë se shtetasi E. G. mbante në dorë një thikë, ndjek viktimën mes tavolinave të verandës dhe, pas një përleshjeje dhe rrëzimi në tokë, e godet me mjetin prerës, duke i shkaktuar plagën fatale.

Po kështu, nga hetimet e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Korçë, shtetasi E.G., babai i të miturit të akuzuar, rezultoi se pasi ka marrë dijeni për përfshirjen e djalit të tij në konfliktin e ndodhur në fshatin Pirg, nuk ka mbajtur një qëndrim bashkëpunues me organet e drejtësisë, por përkundrazi ka ndërmarrë veprime konkrete që kanë penguar zbulimin e plotë dhe të menjëhershëm të së vërtetës.

Nga analiza e deklarimeve të dëshmitarëve dhe provave filmike rezulton se shtetasi E.G, në bashkëpunim me shtetasin R.G. (vëllai i tij dhe xhaxhai i viktimës) dhe shtetasi F. Ç., si dhe me vetë autorin, ka ndërmarrë veprime aktive të cilat synonin të krijonin një situatë të re faktike, me qëllim devijimin e vëmendjes nga ngjarja kriminale e ndodhur më parë.

Në të njëjtën kohë, rezultoi e provuar se E.G., ka pasur dijeni edhe për fshehjen dhe manipulimin e provës materiale kryesore të krimit, konkretisht thikës së përdorur nga autori. Nga provat rezulton se kjo thikë nuk është sekuestruar në vendngjarje, por është marrë dhe më pas është larë nga vëllai i tij, shtetasi R.G.,

Për sa më sipër, në mbështetje të nenit 327, pika 6, gërma “b”, si dhe 331 të Kodit të Procedurës

Penale Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Korçë kërkon dërgimin në gjyq të shtetasve:

E.G. për vepran penale ‘Vrasje në rrethana cilësuese’ dhe ‘Drejtim i automjetit në mënyrë të parregullt ’parashikuar nga nenet 79/a/ë dhe 291 të Kodit Penal;

E.G. për veprën penale ‘Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës’ parashikuar nga neni 301 i Kodit penal;

R.G. për veprat penale ‘Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës’, ‘Moskallëzim i krimit’ dhe ‘Përkrahja e autorit në krim’ parashikuar nga nenet 300, 301 dhe 302 të Kodit Penal; dhe

F.Ç. për veprat penale ‘Moskallëzim i krimit’ dhe ‘Përkrahja e autorit në krim’ parashikuar nga nenet 300 dhe 302, pg.2 të Kodit Penal.

Video

Pas përfundimit të protestës para Kryeministrisë, qytetarët kanë nisur marshimin në rrugët kryesore të Tiranës.

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky zhvilloi takimin e tij të parë me kryeministrin e ri të Britanisë së Madhe në bordin e aeroplanmbajtëses HMS Queen Elizabeth, në bazën detare të Portsmouthit. Gjatë bisedës, kryeministri britanik rikonfirmoi mbështetjen për Ukrainën, ndërsa Zelensky ftoi kryeministrin të vizitojë vendin e tij.

Të paktën dy persona humbën jetën pasi një automjet u godit nga një sulm ajror në Deir al-Balah, në qendër të Rripit të Gazës. Sipas raportimeve, sulmi u krye nga forcat izraelite, ndërsa viktimat ishin dy zyrtarë të sigurisë së Hamasit. Ushtria izraelite konfirmoi se kishte në shënjestër një militant të Hamasit.

Një vizitor i pazakontë shkaktoi panik dhe habi në një aeroport të Nju Jorkut, pasi një rakun ra papritur nga tavani i terminalit mbi udhëtarët. Ende mbetet mister se si kafsha përfundoi mbi tavan dhe çfarë po bënte aty. Pas “uljes së detyruar”, rakuni u largua me shpejtësi, duke lënë pas pasagjerë të trembur dhe një episod sa të pazakontë, aq edhe komik. Pamjet janë regjistruar në nëntor 2024, por së fundmi janë bërë virale në rrjetet sociale.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme